Në "nderim" të princave të rinj, që po kurorëzohen këto ditë me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë

Ca kohë më parë, kënduam te fletorja e Parisit “L’Européen”, një artikull të zotit Guillaume Apollinaire, nën titullin: Deux faux princes d’Albanie", do me thënë "Dy princa të rremë të Shqipërisë."

Zoti Guillaume Apollinaire flet më parë për Aladron, dhe për kërkimet qesharake të tija, dhe dëfton se si Aladrua nuk mund të zbresë prej Skenderbeut, duke qenë se i fundit  zbritës (pasardhës) i derës së Kastiotëve u vra në luftë të Pavies, më 1525.

Pastaj Zoti Guillaume Apollinaire na rrëfen, sipas një libri të shtypur më 1786 n’Amsterdam historinë e çuditshme të një të vetë thëni  “Princ Kastioti” në fund të shekullit XVIII.

Një puntor vendikas i quajtur  Anton Zamuvich kish fituar nje “faraon” , duke lozur me hile, një shumë të madhe, dhe për të shpëtuar nga thonjtë e autoritëve, iku nga Venediku  dhe u hodh  në Pastroviq  të Shqipërisë veneciane. Djalin e tij, Stepanin e vuri në një manastir. Kallogjeri i ri  nuk qëndoj shumë kohë i mbyllur , shpejt dolli andej dhe nisi një jetë gënjeshtrash   të sjellura  me aq mjeshtëri  sa janë  për çudi edhe sot.

I motuar vetëm 17 vjeç, Stepan Annibali  i bëri  malazezët ta njohin për kryetar dhe për patrik të tyre , duke thënë se ishte Pjetri i III, cari i Rusisë.

Gojë-mulli, i gatshëm dhe i flaktë në fjalë, deshi  të provojë me ca “mrekulli ” se ish i dërguar i Perendisë. “Të fshehta e kimisë”, thotë baroni Kloots, historian i Stepan Annibalit- janë çudira në Mal të Zi. Prinic i ri u ngrit të predikojë duke mbajtur në dorë një trëndafil të zbadhur  me tym squfuri. Zë të flasë me fjalë të flakta.

“Perendia më dërgoi t’ju shpie në luftë e t’i shuajmë anëtarët e se pabesës Katerinë. Hapni dritaret.Shpirti i shënjtë do të zbrezë mbi mua” .

Dhe më të vërtetë, era e freskët i jep ngjyrën  e parë trendafilit dhe kombi i tërë bie në këmbë të bajlozit qiellor. Princi mbodhi edhe besnikët në flamuj të tij  dhe u derdhet rusëve , duke vrarë malazezët që nuk i zinin besë. ”

Pas kësaj pune, nuk kish më pengesë që ish i zoti ta mbante Stepan Aniballin. Baroni Kloots  jep titujt që kish marrë “princi”:

“Kastriot, Princ i Shqipërisë, Kapedan i Përgjithëhsmë i Malazezëve, Partik i Kishës Greke, Bari i vjetër, Manjat i Polonisë, Princ i Perandorisë së Shënjtë Romane, Dukë i Shën Sabës, Dukë i Hercegovinës, Fisnik Venedikas, I Madh i Spanjës i Rëngut të Parë, Kryelutës i Maltës, Kryemadh i Urdhërit të Shën Kostandinit etj dhe Pasardhës i njëmbëëdhjetë i Skenderbeut”

Vini re se disa nga këto tituj kundërshonin njëi tjetrin. Si mund kryelutësi i Maltës  (katolik) të ishte edhe patrik ikishës  greke ? Por janë njerëz për të gënjyer të tjerët  dhe sado kundërshti të kenë në të thënat e tyre, aq më tepër verbohet bota.

“Princ Kastrioti” nis të udhëtojë nëpër Evropë, dhe kudo pritet me nder të madh. Mëson gjuhët e perendimit, shkruan libra, Historinë e Skenderbeut,Kuranin e Princësve etj.

Piqet  me Volterin, me Rusonë  e më të tjerë shkrimtarë të njohur. Piqet me Frederikun e Madh, me të birin e tij, princin e Prusisë, lidh një miqësi të ngushtë. Merr anën e Polonisë, çudit polakët, u shtie datën rusëve. Bën një dy trimëri, shton njëqint.

Guxon të rrefejë punë të pangjara fare.Tregon se “mundi 15.000 venedikas që kishin topa të mirë dhe ishin nën urdherine kontit të Wirzburgurt”

Kur Hollanda u rrëmbyue me perandorin, ”princ Kastrioti” si “Patrik i Kishës Greke” u dha urdhër subjekteve shpirtrore të tij  të mos marrin armët në shërbim të perandorit.

Nga na tjetër Hollanda i fali 20.000 shqiptarë për ndihmë, në qoftë se ky vend kishte nevojë. Dhe si u bë paqia, princi shkoi në Hollandë ti kërkojë qeverisë një milion për atë ndihmë.

Një nga  titujt që kish marrë Kastrioti i rremë ishte Baba i Amerikës,se,thosh, Kongresi i kish dhënë fjalën ta bënte mbret. Përveç kësaj, kish shpresë të merrte edhe kurorën e Polonisë.

“Princi Kastriot”  fliste kështu për shqiptarët:

“Bashëkatdhetaret e mij janë diamante të pagdhendur të cilët nuk presin veçse dorën e skalitësit për të zënë vend pranë të shkrinjtorëve të medha të Athinës, të Romës, të Parisit” Thoshtë se mbretëria e Shqipërisë, me klimën e mirë të dhe ne tokën e mirë që ka ” do të ndrinjë një ditë në mes të shteteve të qytetëruara”

“Princi Kastriot” shpërndante poste e pozita me të dy duart në Mbretërinë Shqiptare. Baronit Kloots i kishte kërkuar të bënin bashkë një udhwtim në këmbë : Qëllimi  i Stepan Annibalit ish ta vriste  që ta vidhte baronin, i cili ishtë shumë i pasur. Fatmirësisht për Klootsin , udhëtimi mbeti pa u bërë dhe miqësia  për princin u shtua më shumë. Stepani i kish premtuar Klootsit  një pozitë të lartë  në Mbretërinë Shqiptare…

Por çdo gënjeshtër e ka një fund.

Një anije nga Ragusa, ndodhi të shkojë në Amsterdam dhe kapedani tregoi se “Princi i Shqipërisë, Duka i Hercegovinës,Patriku i Kishës Greke, Kryelutësi i Maltës etj, nuk ishte tjetër përveç se një gënjeshtar i çuditshëm i shekullit të XVIII.Them i çuditshëm se, tregimi për batakçillëqet e vogla të Giuseppe Balsamos, të vetquajtur: kont “Caliostro” janë foshnjarake  perpara punëve të Stepan Annibalit.

“Princi Kastriot”  kish rënë për herë të parë në burg  në qytetin e Hamburgut : Kish marrë  pranë vetës dy djem  të atij qyteti si “kalorës nderi” dhe i kish ligështuar në një mënyrë që s’thuhet: kur e gjykuan, pati paturpësinë t’i thotë kryegjykatësit se kish për t’ia bërë atij ashtu si ua kish bërë djemve !

Kur e zunë në Amsterdam dhe e plasën në burg Sterpan Annibalit i gjetwn  një brez plot me gjithfarë helmesh si dhe një thikë të helmuar: Këto armë i mbante gati për të vrarë veten në kohë të një rreziku të pashpresë. Mbasi e kapën, Stepani vrau veten duke prerë damarët me thonj.

Zoti Guillaume Apollinaire mbaron më një të vëne re fort të kripur:

“Duke kënduar këto ngjarje, shumë shqiptarë kanë për të menduar se nëqoftëse fronkërkuesi Aladro rrjedh nga Skënderbeu, do të kish rrjedhur duke kaluar nëpër të njëmbëdhjetin pasardhës  të tij, i cili vdiq më 1786 në burgun e Amsterdamit”.

Kjo e vënë re e Zotit Guillaume Apollinaire e shënojmë më të dy duart-por diç duhet shtuar : Aladrua vërtet rrjedh nga Skënderbeu me anë të Stepani Annibalit, vetëm se i shkreti Aladro s’është perveç se një gënjeshtar i vogël, me të cilin qesh gjithë shoqëria e lartë e Parisit dhe e Madridit;  por stërgjyshi i tij, Stepan Annibali, mund me një mënyrë që quhet Njeri i Madh. Merreni pak me mend : Një fshatar sllavo-shqiptar i Venedikut, i lindur më 1751 dhe i rritur pa dije, arrin që më 1768, (kur ishte shtatëmbëdhjetë vjeç), e deri më 1786 kur vdiq, të lozë një lodër të çuditshme,arrin të mësojë vetiu mjaft sa për të shkruar libra që bien në sy dhe që i siguruan miqësinë e Frederikut të Madh; arrin, i rritur në një katund, të marrë mënyrat e oborrëve aq mirë sa të shkojë për princ në sy të princëve të vërtetë; më një fjalë arrin  të tallet më Evropën tetëmbëdhjetë vjet pa pushim.

Përpara një njeriu të tillë, ç’janë gënjeshtrat qesharake të Aladros ?

Shkrimtari francez, Aleksander Dyma-”markez” i Shqipërisë !

Ka qenë një Kastriot i tretë i rremë, për të cilin Zoti Guillaume Apollinaire nuk ka dëgjuar.

Ky “princ” u çfaq më 1879-1880, në kohën e Kongresit të Berlinit, kur Fuqitë e Mëdha dërgonin anije lufte për të goditur me topa Ulqinin.

“Kastrioti” i asaj kohë, jo vetëm thonte se shqiptarët  “e kishin zgjedhur për mbret”, po kishte nisur edhe të sillet “mbretërisht” duke shpërndarë pozita dhe tituj. Një  shkrimtari të madh francez, Aleksandër Duma, i fali titullin “markez” .

Paturpësia e këtij  “princi” pak nga pak arriti  të mos ketë kufi. Guxoi të bëj, në Angli, bankota të “Bankës Mbretërore të SHQIPËRISË”. Zëvëndësin e tij e zunë në Londër dhe e plasën në burg si vjedhës, ndësa për “princin” s’dihet se çfarë u bë. Kemi shpresë të mund një ditë ta shkoqisim  punë e këtij “Kastrioti”

Mësimin e këtyre ngjarjeve mund ta heqë sejcili. Sa njerëz deshën me gënjeshtra, të dalin “princa” dhe “fron kërkues”  mbaruan në burg, dhe ata që dini sot të nisur në atë udhë, ta dini me siguri se do të kenë po atë fund.

 

(“Albania”, viti VIII, 1904,  nr. 8, f. 160-163)

5 Komente

Si i rremujshem dhe plot rrena ishte ky artikull, Alidemso. 

Pjer, ky eshte nje shkrim i Te madhit Faik Konica, i shkruar qysh ne vitin 1904, eshte nje pershkrim i nje ngjarje te jetuar, me ate kohe..... E jo pa qellim e prura ketu.  Siç e shkrova edhe nen/titullin, po na dalin trima te çartun tani pas beteje, e po na dalin pleq te urte tash pas kuvendit..... e ky eshte dhe qellimi i kesaj prurje.... ndaj lexoje me kujdes, se besoj te ka shpetuar nga VQ-ja kjo pjese.....

ps

faleminderit admineve per ilustrimin....

Do ta lexoj neser perse dyti me vemendje Alidemso, per ti marre kuptimin. E pranoj qe -fatkeqesisht- kete shkrim e kalova/lexova shum shpejt, pa e pertypur smiley

 

me te hershem po te shek 20.

 

thjesht wikipedia. si ndryshoi forma e flamurit, edhe si ka mundesi te jete gabim teknik kete nuk ka kush ta dije me mire se kinezit qe ka  ulur koston e prodhimit me numrin e pendeve, edhe nofullat e sqepit.

shendeti ne rradhe te pare smiley edhe princat nuk ishin aq keq smiley

petllane, jane keto si te   Gjin Varfit ? Interesante

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).