Mungesë fondesh, infrastruktura dhe mësimdhënia sërish probleme me të cilat do të përballen studentët

Rreth 52 mijë studentë të rinj në të tria ciklet e studimit ulen sot në auditoret e universiteteve. Zyrtarisht çelet viti i ri akademik. Infrastruktura dhe mësimdhënia janë sërish problemet me të cilat do të përballen studentët. Për Universitetin e Tiranës, më i madhi në vend, nuk është shtuar asnjë pedagog i ri. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së fondeve. Ndërkohë, sa i përket infrastrukturës, kampuset universitare që pritet t’i japin zgjidhje përfundimtare këtij problemi, ende nuk kanë filluar të ndërtohen. 

Këto mangësi me të cilat përballen sot shkollat e larta i ka pranuar edhe ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, gjatë fjalës së tij të përvitshme përshëndetëse për studentët. “Cilësia kërkon më shumë auditorë, laboratorë, biblioteka dhe kapacitete të tjera. Qeveria është e angazhuar për rritjen e investimeve në arsimin e lartë. Ajo i ka akorduar kampuse pesë universiteteve publike. Universitetit të Tiranës iu transferuan dy godina të tjera me kapacitete të mëdha. Me FZHR të vitit 2011 ka filluar financimi i 6 projekteve të reja të mëdha të arsimit të lartë.  Vetëm në vitet 2001-2011, janë financuar 51 laboratorë mësimorë shkencor”, tha Tafaj. Ai u ndal te numri i studentëve që është shtuar ndjeshëm dhe te kualifikimi i brezit të rinj të pedagogëve, përmes fondit të ekselencës. “Qeveria ka miratuar për këtë vit akademik rreth 34500 vende studimi (kuota) për nivelin e parë të studimeve universitare (Bachelor) në universitetet publike. Prej tyre, 25000 kuota janë në sistemin me kohë të plotë. Deri tani, janë regjistruar rreth 23000 studentë në sistemin me kohë të plotë”, tha Tafaj.

Sipas tij, javën që vjen shpallet formulari i ri A3, që do t’u japë mundësi studentëve që nuk kanë fituar një vend studimi të rikonkurrojnë. “Më pas fillojnë regjistrimet në sistemin me kohë të pjesshme. Ky numër kuotash bën të mundur që  mbi 70 % e maturantëve, që kanë përfunduar me sukses Maturën Shtetërore, të kenë mundësi reale për të vijuar studimet në universitetet publike. Ndërkohë, janë miratuar edhe rreth 15500 kuota për studime universitare të nivelit të dytë, duke i dhënë përparësi studimeve të orientuara në profesione, pra programeve që u japin më shumë shanse të rinjve për punësim të shpejtë”, theksoi ministri i Arsimit. Sipas tij, liberalizimi në arsimin e lartë është një arritje e madhe. “Rritja e cilësisë kërkon investime më të mëdha për kërkimin shkencor. Universitetet janë institucionet kryesore të sistemit tonë të kërkimit shkencor. Prandaj, ato duhet të kthehen në qendra të fuqishme kërkimore që duhet të rrokin fusha dhe tema kërkimore shumë të rëndësishme për vendin, si albanologjia, energjia, IT, ushqimi dhe bujqësia, pasuritë nëntokësore, turizmi, mjedisi etj. Universitetet duhet të krijojnë grupet kërkimore, në mënyrë që të rrisin aplikimet për fonde kërkimore në kuadër të programeve të mëdha të BE-së”, nënvizoi Tafaj. Ai theksoi se rritja e cilësisë nuk mund të arrihet pa një internacionalizim të shpejtë të universiteteve, çka nënkupton shkëmbim intensiv të profesorëve dhe studentëve, më mënyrë të veçantë të atyre të nivelit master dhe doktoratë, si dhe diploma të përbashkëta.

Kule: për pedagogët duhet 3-fish buxhet më shumë

Disa javë më parë, rektori i Universitetit të Tiranës ka deklaruar se një pedagog punon sa për 3 veta. Ai ka theksuar  se shtimi i tyre do të kërkonte një buxhet 3-fish më të madh nga ai aktual, dhe kjo sipas Kules është e papërballueshme. Ndaj, ai ka theksuar se Ministria e Arsimit duhet të rishikojë buxhetin. “Çdo pedagog i brendshëm kryen punën e tre pedagogëve. Zhvillojmë 600 mijë orë pune me ngarkesë mësimore dhe paguajmë me fond pagash vetëm 240 mijë orë pune. Që të trefishohet numri i pedagogëve kërkohet një buxhet trefish, aktualisht është e pamundur kjo gjë”, pohoi Kule. Ndërsa sa i përket kampusit, rektori i Universitetit të Tiranës është shprehur se brenda 1 viti nga nisja e punimeve do të krijoheshin hapësirat akomoduese për 15 mijë studentë. Ndërsa brenda 3 vjetësh, kampusi do të ofronte një infrastrukturë krejt të re për shkollat e larta.

Infrastruktura, larg standardeve të Bolonjës

Numri i studentëve që pranohen në universitete, të paktën 5 vitet e fundit, është rritur me 10% çdo vit. Por ndërkaq, asgjë nuk është bërë për të përmirësuar infrastrukturën. Dy kampuset universitare ende nuk kanë nisur nga puna. Njëri projekt i Universitetit të Tiranës, tjetri i Universitetit Politeknik. Problem madhor mbetet edhe stafi akademik. Me gjithë pedagogët e rinj që janë marrë në punë, mesatarisht në universitetet publike të vendit, raporti pedagog-student është 1 me 40. E gjithë kjo panoramë të ofrohet në një kohë kur, sipas standardeve që kërkon Karta e Bolonjës, raporti pedagog-student nuk duhet t’i kapërcejë vlerat 1 pedagog për 20 studentë. Nga të dhënat rezulton gjithashtu se raporti hapësirë për student është ngushtuar aq shumë, sa është tejet normale që në një bankë të ulen 4 persona e madje, edhe me 3 karrige. Ndoshta ndokujt e gjithë kjo i tingëllon qesharake, por për mijëra studentë që arsimohen në universitetet tona nuk përbën aspak çudi. Ata e përjetojnë çdo ditë këtë situatë, e madje për 4 vjet me radhë. Sipas standardeve të përcaktuara, hapësira për student duhet të jetë në raportin 1 me 3.5 metër katrorë. Por, në universitetet tona nuk bëhet fjalë as për gjysmën e kësaj hapësire.

________

Berisha: Universitetet nuk janë pellgje papunësie, do dyfishojmë studentët

(Marrë nga Shekulli)

 

Dita e parë e vitit akademik e gjeti kryeministrin Berisha në universitetin “Fan Noli” në Korçë. Shefi i qeverisë e përdori 40-vjetorin e hapjes së këtij universiteti për një tjetër sulm ndaj opozitës, njësoj si një ditë më parë.
 
Ai i cilësoi të pavlera shqetësimet e opozitës përsa i përket arsimit, veçanërisht atij të lartë. “Universitetet nuk janë pellgje papunësie si thoni ju…. Universitetet nuk janë libreza punësimi, por shanse të shumta për punësim”, tha Berisha.
 
Ai shtoi se arsimi i lartë do të jetë prioritet i qeverisë, e cila në vitet e ardhshme do ta dyfishojë numrin e studentëve që dalin nga auditoret e i drejtohen tregut të punës. Sipas tij, qeveria do të financojë më shumë arsimin e lartë dhe në buxhetin e shtetit do të përcaktohet një fond i veçantë për tekstet e universiteteve.
 
Viti i ri akademik hapi sot dyert e universiteteve shtetërore e private, të cilat presin gjithsej në mbarë vendin 52 mijë studentë.
 
Për fjaliminin e plotë të Kryeministrit kliko këtu

10 Komente

mire oferta pagu nje provim, merr nje falas qe i kemi pa....po oferta puneso nje diplomant nga uni-berati, merr nje tjeter falas besoj qe do e pergjysmoje papunesine smiley 

Universitetet nuk janë pellgje papunësie...

Myzeqeja nuk eshte hambar mushkonjash, or tai!

Eshte tmerri vete! C'na hapni plage me kete artikull...smiley

52.000 studente te rinj... sa pjellin shqiptaret mer yahoo.

Po c'pellgje papunesie  Berishe,se ai/ajo  mbarojne shkollen dhe punojne ne butiqe e recepsione  smiley mgjth me keq akoma ,po kthehen ne pellgje injorantesh me dipllome.

Arsimi  ne Shqiperi po degjeneron cdo dite e me teper...Deshtim total i kesaj qeverie! Nuk ka sens pranimi i studenteve ne arsimin e larte pa iu nenshtruar asnje konkursi.Matura shteterore mendohet te kryeje kete funksion por eshte gjithperfshirese ne thelb.Ketu qendron e keqja me e madhe...

Te rinjte shkollohen apo shkallohen? smiley

Pavarsisht sistemit, pavarsisht epokes dhe pavarsisht kushteve ata qe kane dashur te jene te zote nga ana shkollore, ia kane dale mbane. Me behet qejfi, per absurd, qe Shqiperia ka probleme me sistemin arsimor, sepse ate "perzgjedhje" qe duhet ta beje nota (mesatarja), do e bejne veshtiresite. 

Arsimi duhet te funksionoje si nje sistem "nxites"(ofron alternativa arsimimi dhe motivuese ) dhe "filtrues"(perzgjedh ndaj studenteve qe kane kete ambicje) .Arsimi i nivelit te meset eshte ai qe percakton cilesine e prurjeve ne fakultetet perkatese.Liberalizimi i arsimit te larte jo domosdoshmerisht duhet te jete "i liberalizuar",duhet te ekzistoje Matura Shteterore por edhe nje raund i dyte i aplikuar nga vete Fakulteti.Pavaresisht kesaj,ajo cka demton ndjeshem studentet por edhe vete sistemin ne kompleks eshte padyshim PART-TIME ! 

hë mo, avash avash! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).