Para disa ditësh lexova një lajm mbi studimin që kishte bërë një OJQ shqiptare rreth integrimit social – ekonomik të ardhësve në qytetin e Tiranës. Studimi ishte ndërtuar mbi një pyetësor rreth çështjesh të tilla si banimi dhe legalizimi, shërbimet, arsimi, punësimi, gjendja ekonomike, cilësia e jetës, angazhimi dhe përkatësia në komunitet, raporti me institucionet vendore.  Sipas lajmit, të dhënat e studimit kanë sjellë në përfundimin se banorët tiranas që kanë mbi 10 vjet që jetojnë në kryeqytet, kanë një këndvështrim të ngjashëm rreth çështjeve të rreshtuara më sipër me banorët që kanë jetuar në Tiranë para vitit 1990. (Nuk di pse në vend se “banorët”, në njoftim thuhej “rezidentët”.) Shkurt, pra, sipas këtij studimi, kush vjen në Tiranë, ka nevojë për dhjetë vjet që të ndjehet tiranas.

Kaq ishte lajmi që më ngacmoi jo edhe aq pse m’u duk si një nga ato punët sipërfaqësore që kryejnë rëndom OJQ-të shqiptare për të nxjerrë ndonjë lek, por sepse, përfundimi m’u duk si pa qëllim. Pra, nuk kuptova pse duhej ky studim. Ashtu siç lexohej lajmi dukej sikur bëhej fjalë se këtyre ardhacakëve, që të integrohen, d.m.th. të ngrihen në nivelin e lartë të kryeqytetasit, u duhen të paktën dhjetë vjet. Ndërsa për mua, çështja që shtrohet sot për tiranasit është krejt tjetër. Ajo ka të bëjë më së pari me pyetjen: çfarë do të thotë sot të ndjehesh “i integruar” në kryeqytetin tonë? Dhe kësaj i shtohet pyetja: a është e mundur që brenda dhjetë vjetësh, një njeri apo familje që ka ardhur në Tiranë të ndjehet njëlloj si qytetarët e vjetër të Tiranës? Ndoshta po, por në këtë rast duhet thënë: aq më keq për ardhësit.

E them këtë pasi si qytetar i vjetër i Tiranës e që jeton e ndjek me vëmendje jetën e bashkëqytetarëve të vet, mund të them se përjetimi im është se qyteti është bërë thuajse i pabanueshëm qoftë në kuptimin e atyre që do t’i quaja nevoja primare të jetës, që kanë të bëjnë me raportin tonë me ajrin, gjelbërimin, ujin, rrugët, peizazhin urban etj., qoftë përsa u përket atyre nevojave që nënkupton “integrim social”, që kanë të bëjnë me atë se sa ndjehemi pjesë e një komuniteti të caktuar, ku hyn edhe raporti ynë me institucionet vendore të qytetit. Me një fjalë të vetme, do të thosha se si qytetar i Tiranës, ndiej jo integrimin, por pikërisht dizintegrimin. Nëse studimi i OJQ-së në fjalë ka arritur në këtë konkluzion edhe për ardhësit që kanë kaluar dhjetë vjet qëndrim, atëherë mund të them se ka arritur në një konkluzion të saktë. Përndryshe, është një vër në ujë. Në fakt, ajo çka do të kërkoja sot nuk është një studim mbi atë se sa kohë duhet që të ndjehen ardhësit të integruar, por një studim serioz mbi dizintegrimin social të tiranasve, mbi shkaqet dhe pasojat e mbi atë se çfarë duhet bërë (e sa kohë mund të na hajë kjo) për të filluar procesi i integrimit të qytetarëve të Tiranës në qytetin e tyre që në një farë mënyre, ashtu siç është bërë, kërkon t’i dizintegrojë e t’i flakë jashtë banorët e tij. Një studim që të merrej me atë se sa është rritur numri i të sëmurëve nga kanceri, i të sëmurëve nga mushkëritë, apo ai i të sëmurëve psikikë. Një studim që të merrej edhe me atë se si ndërtuesit që deri dje kanë shkatërruar kryeqytetin me betonizim, sot po na dërgojnë vazhdimisht e-mail-e ku na bëjnë publicitet në forma të ndryshme, duke na thënë: Tirana është bërë e pabanueshme, ju keni nevojë të dilni prej saj dhe të blini vilat që ne po ndërtojmë për ju në rrethinat e saj – që, tek e fundit, do të rezultojë edhe në një shkatërrim të rrethinave.

Gjithsesi, kur flas për dizintegrim social të komunitetit të tiranasve, e ndiej se më së pari më duhet të hap një parantezë që të çon në periudhën komuniste. “Pse, a kishte komunitet tiranasish atëherë?” – mund të shtrohet me të drejtë pyetja. Si qytetar i Tiranës them se shteti komunist, në një farë mënyre, duke uzurpuar të gjitha atributet e jetës publike, i shkatërroi komunitetet e vjetra e të reja të Tiranës dhe kjo që po jetojmë sot është edhe pasojë e asaj periudhe. Por jo vetëm. Përsëri si qytetar i vjetër i Tiranës, mund të them se në Tiranë mbetën, sado-kudo, ato të quajturat lagje apo mëhalla ku njerëzit kishin jetuar prej vitesh, mbeti një lloj solidariteti i lagjes/mëhallës, mbetën marrëdhëniet e njerëzve që e njihnin njëri-tjetrin prej kohësh, që i kishte lidhur një kopsht, apo një shkollë, apo një fushë sporti me të tjerët. Është e vërtetë se institucionet vendore, aq të rëndësishëm për të ngjizur komunitetet, u imponuan nga lart dhe qytetarët nuk i ndjenin si të tyret; është e vërtetë po ashtu se regjimi mbolli një mosbesim të thellë te njeriu, që nuk e ndihmon sociabilitetin, por megjithatë, mund të them se, ashtu si doli, Tirana në vitet ‘90 i kishte mundësitë urbane që të zhvillonte ato elemente komunitare që i kishte ruajtur apo zhvilluar sadopak në komunizëm. Mirëpo në vend të kësaj filloi një shkatërrim që solli edhe një dizintegrim të paparë social. Faktorët qenë të shumtë, pa dyshim, duke filluar që nga emigracioni i një pjese të mirë të tiranasve e duke vazhduar me dyndjet e ardhësve që u shoqëruan me një urbanizim të egër, me një masakër urbane me zaptime pronash publike e me privatizime abuzive në krye të të cilave u vunë institucione shtetërore që në vend se të bëheshin demokratike, në kuptimin që tiranasit t’i ndjenin si të tyret, filluan, në bashkëpunim me gjithfarë horrash, të ardhur e tiranas, të grabisnin hapësirat publike, të shkatërronin kujtesën historike e me radhë e me radhë, çka, tek e fundit, ka rezultuar në shkatërrimin e çdo ndjenje komuniteti midis tiranasve, duke e bërë tiranasin sot të ndjehet më shumë se kurrë i vetmuar në hallin e tij, pa ndjenjë komuniteti, pa ndjenjë se ka komshinj që mund t’i gjenden në një hall, pa institucione që mund t’i shërbejnë, pa shkolla e kopshte të atilla që të ndjehet i sigurt se po edukojnë qenie njerëzore të shekullit XXI.

Nuk po zgjatem në këtë histori depresive për të cilën kam shkruar shumë. Përkundrazi, në këtë shkrim dua të sugjeroj diçka me idenë se nuk është kurrë tepër vonë, madje edhe duke pasur parasysh faktin se sot kemi një kryetar bashkie të ri dhe një grup që po punon për planin urbanistik të qytetit. Ndoshta – them akoma – mund t’i lexojnë këto rreshta edhe nën dritën e katastrofës që kemi të gjithë përpara syve e nuk do të më përqeshin – siç kam frikë – duke thënë me njëri-tjetrin me cinizëm se çka po them janë broçkulla të një jokompetenti (“urbanist popullor” më përqeshte dikur ish-kryebashkiaku), pasi çka përshkruaj janë fenomene të kapitalizmit kudo në botë.

Madje, për ta sqaruar më mirë se ç’dua të sugjeroj, po sjell shembuj pikërisht nga bota. Po e filloj me përvojën e Enrique Penalosa, kryebashkiak në fillimvitet 2000 i kryeqytetit të Kolumbisë, Bogota, i cili është bërë i famshëm sot për projektin e tij. Në një kryeqytet dhjetë milionësh të mbytur nga një trafik kaotik e nga një problematikë e krahasueshme në shumë aspekte me Tiranën, Penalosa u nis nga ky parim: “Ne kemi nevojë të ecim ashtu sikurse zogjtë kanë nevojë të fluturojnë. Ne kemi nevojë të qëndrojmë së bashku me njerëz të tjerë. Ne kemi nevojë për të bukurën; për kontakte me natyrën. Kemi nevojë, mbi të gjitha, të mos ndjehemi të përjashtuar. Kemi nevojë edhe të ndjehemi në një farë mënyre të barabartë”. Mbi këtë parim, pra, ai krijoi një projekt qyteti relacional me një impakt të jashtëzakonshëm në botë. Së pari, ai ngulmoi se ekziston një konflikt midis vënies së qytetit në funksion të makinave dhe vënies së qytetit në funksion të njerëzve (e kush më shumë se ne tiranasit e provon këtë konflikt mbi kurriz?). Kështu, Penalosa i braktisi projektet e rrugëve të mëdha në periferi (kujtoni se ne po bëjmë një të tillë) duke i përdorur burimet financiare për të realizuar parqe të mëdha, pista biçikletash dhe “autostrada këmbësorësh”. Ndërkaq, për të përballuar nevojën e transportit, ai u mbështet mbi transportin publik, të cilin e bëri shumë të shpejtë dhe cilësor. Po ashtu, ai zgjeroi trotuaret duke krijuar në to hapësira të mëdha publike dhe pista biçikletash. Kujtoj se Bogota është një qytet të varfërish (siç jemi ne) e kjo punë e kryebashkiakut mund të duket si një luks që e kanë qytetet e pasura perëndimore, veçanërisht apo nordike. Por, sipas Penaloses, pikërisht në një qytet të varfërish, siç është Bogota, sociabiliteti është një nevojë bazike, që madje ai mund të lehtësojë edhe probleme të varfërisë e deri të reduktojë kriminalitetin. Si pasojë e vënies në jetë të këtij projekti urban, që i nxori si të thuash njerëzit në rrugë si këmbësorë që takohen me këmbësorët, si popullsi që lëviz me biçikletë (nga vetëm 0,2%, pas gjashtë vjetësh numri i tyre arriti në 5%), në Bogota u pakësua në një të tretën numri i aksidenteve automobilistike dhe ra ndjeshëm edhe niveli i vrasjeve. Sot, disa nga arritjet e tij janë të pakthyeshme dhe shembull për gjithë botën. Të njëjtën filozofi ka aplikuar kryebashkiaku i njërit prej qyteteve europiane më të njohur, Parisit. Parisianët kishin arritur një pikë të tillë lodhjeje nga zhurmat, ndotja e ajrit, bllokimet e trafikut, saqë mbështetën planin e kryebashkiakut Bertrand Delonow për t’i rimarrë rrugët. Administrata arriti deri atje sa mbuloi me rërë rrugën “Pompidou”, arterie e rëndësishme qarkullimi makinash dhe vendosi aty çadra nëpër hapësira ku mund të pihej një birrë e të bëheshin aktivitete të ndryshme. Asfalti, pra, u kthye në rërë plazhi me sheshe të vogla, me hapësira për të kërcyer. Delanow, po ashtu, e përmbyti qytetin me qindra mijëra biçikleta që përdoren falas. Për të vazhduar me shembuj gjithmonë në frymën e filozofisë së kryebashkiakut të Bogotas, kujtoj se në Suedi, administrata publike blen terrenet rreth qytetit, që i deklaron zona ku s’mund të ndërtohet.

E di që dikush do të më thotë: çfarë po na thua, me kë po na krahason? Por nuk mund të mos mendosh se Tirana i ka pasur këto mundësi dhe i ka humbur e po i humbet me një shpejtësi dramatike. Dhe nuk mendoj se kjo ndodhi pasi ardhësit ishin katundarë e injorantë që donin të banonin ngjit e ngjit në ato kosheret gjigante të bletëve, apo se ishin të etur për makina e i urrenin biçikletat, deri edhe barin – siç thonë disa. Jo, ardhësit në Tiranë ndërtuan shtëpi me oborr ku mbollën edhe pemë në stilin si kishin banuar në fshat. I bënë të mëdha vërtet, të shëmtuara, e pa infrastrukturë, por, sipas meje, masakrën kryesore e bënë “të diturit” e qytetit. Ishin ata që kryen betonizimin e qytetit duke përdorur, sigurisht, edhe një lavazh trush, por, mbi të gjitha, duke përdorur forcën e pushtetit, të parasë së zezë e korruptive, e pandëshkueshmërinë nga ligji. Kësisoj, Tirana u shndërrua në një qytet në funksion të makinave e të pasurimit të një pakice që sot ua ka bërë të pamundur jetën qytetarëve jo thjesht në kuptimin fizik, por, mbi të gjitha, në kuptimin e zhveshjes së qytetarëve thuajse nga çdo mundësi relacionale, sociabiliteti. Një qytet, pra, ku vetëm për atë që quhet integrim social nuk mund të bëhet fjalë.

Duke mos dashur ta mbyll këtë shkrim me pesimizëm, po e mbyll duke uruar që teknikët e Bashës që po punojnë për planin urbanistik t’i njohin e studiojnë ca më shumë përvojat që përmenda, në mënyrë që të mund të rikuperojnë ç’mund të rikuperohet në qytetin tonë të masakruar barbarisht nga njerëz shumë të këqij.

15 Komente

"Mbi këtë parim, pra, ai krijoi një projekt qyteti relacional me një impakt të jashtëzakonshëm në botë."

Vone, shume vone. Aty i kishte artisti bashkiak, qe nga Anri Sala e Liam Gillick, e deri madje edhe Rikrit Tiravanijen e te tjere te llojit relacional. E kur nuk arriti t'i shfrytezoj pertej fasadave, kur nuk arriti t'i drejtonte rreth nje utopie urbane, e jo t'i linte te kullosnin neper utopira orizoresh, pikerisht Rama, une habitem me ty Toso qe shpreh shprese ne lidhje me keta kllounat e pushtetit, ne lidhje me keta dallkauke fushatash injorance qe kane zaptuar qe nga foltoret e dijes neper universitete private ku as librarira nuk ka, e deri tek kolltuku i kryebashkiakut. Ti qofsh qe i quan "teknike" keta parazite te shoqerise civile, edhe repsekte per optimizmin. 

Tirana hale ngelet anyway

Tirana besoj se eshte i vetmi qytet qe sheh me krenari e dekoron me peme e lulishte ujerat e zeza. Qytetet e tjera i kane jashte qytetit, si Gorga e Elbasanit tend psh.

Fatos Lypsi duhet ta ket emrin ky...qe pret nga "tekniket" e Bashes

Nuk di pse në vend se “banorët”, në njoftim thuhej “rezidentët”.

Po katunaret si do tu duket vetja pa thene " jam rezident i Komunes se Parisit ?!!!" Te vish ne qytet pa mesuar nje gjuhe te huaj, duke harru shqipen, nuk te quajne "qyetetar tirone" 

Vetem ketu me rri tek formularet tek menyra e punes e komunikimit e pregatitjes se ketyre njerezve qe meren me "integrimin" e te ardhureve dhe do te kuptosh se cfare eficence do te kete projekti. Nuk mund te kete qyteterim integritet civil kur ne krye ke katunarizmin ul kom kryq! smiley

Po ne qytetet e perendimit nuk ja di emrin komshiut qe ke 10 a 15 vite qe banon ngjitur me te, ky flet perralla. Jane ca tipa si ky e njefare Klosi qe per t'u dukur snobe kerkojne te na kthejne ne natyralitet.

Bota ka lloj-lloj eksperiencash dhe njera prej tyre tani se fundi ne Angli, na sugjeron krejt nje rruge tjeter nga ajo qe thote Lubonja. Ne Angli, ato qe njihen si kurora te gjelberta qe rrethojne qytetet dhe nuk ndertohej ne to, tani po lehtesohen kufizimet e po jepen kompetencat qe autoritetet lokale te japin leje per ndertime pasi "ngrirja" e ketyre zonave sipas review-ve qeveritare ka demtuar ekonomine e ka veshtiresuar ndertimin e shtepive duke mbipopulluar zona te caktuara pasi njerezit mblidheshin vetem ne nje zone.

Kjo pune nuk behet duke i shpallur lufte progresit, por duke bere me te miren e mundshme.

Tirana eshte e vertete qe eshte shkaterruar nga Rama kur edhe pas 11 vitesh ne pushtet edhe nje plan urbanistik nuk i la dhe duhet kujdes me ndertimet tani.

Mbi te gjitha duhet plan urbanistik qe nuk lejon te ndertohet pa kriter e pa plotesuar ca kushte. Pastaj prej kesaj rrjedhin edhe te tjerat. Nuk mund te ndertohen nje numer pallatesh pa pasur aty edhe nje hapesire te gjelber, shkolle, sherbim shendetsor, transport etj.

Zhvillimi i nje zone me sakte, nuk do te thote vetem te ndertosh pallate ose shtepia, sic u be ne kohe te Rames, por krahas ketyre aty te ndertohet infrastruktura, parqet, shkolla e kopshte, ndertesa per biznes qe gjenerojne vende pune e pasuri etj.

Bashkia ne kooperim me tregun/biznesin mund te rregulloje edhe vendet e socialibitetit pastaj. Rinia ka vende ku mblidhet bashke, femijet me poshte etj. por keto nuk behen duke lene pa unaze te madhe Tiranen. Unaza te tilla i ka cdo metropol perendimor se helbete makinat nuk i zhdukim dot nga qarkullimi. Apo jo?

*sociabilitetit

Ne shum pika, Lubonja ka te drejte por ne lidhje me unazen e madhe, e ka gabim, sepse (jo vetem qe shumica e qyteteve perendimore e kane) ajo zgjidh problemin e rendimit te trafikut ne rruget e Tiranes. Nese nje shofer do te shkoje ne nje qytet tjeter, nuk ka pse te futet ne unazen e vogel apo rruget e Tiranes, per te kapur autostraden apo rruget nacionale, sepse e rendon trafikun. Ai fare mire kap unazen e madhe, piken me te afert te tij, dhe nepermjet saj futet ne autostrade apo rrugen nacionale qe do ta shpie ne qytetin ku deshiron, njesoj si kendej. 

Ndonje kompjuterist, mund te me ndihmoje ketu me dy rradhe, per ta bere me te qarte idene. 

Pra, nuk kuptova pse duhej ky studim

Nuk ka asgje te keqe mo Lubonja,se behet nje studim i ketij lloji.Madje mua me duket interesant.Ajo qe me shqeteson mua ne nje studim eshte serioziteti i intervistuesve dhe te intervistuareve (nese jane intervistuar,se ca i mbushin me norme) ,qe mos te zihemi e bejme debat ketu mbi pallavra boshe.

Edhe jashte behen studime te llojit "Njerezit hane me shume qepen e kuqe apo te bardhe kur vine ne kryeqytet"smiley

ka ca kohe qe lubonja po flet drejte. si duket i ka bere mire abdikimi prej emisionit kellire te fevzos.

meh.

 

Mire mu qe me kini fshi , se u kam merzit Lefkofene ... po ate kryetarin e Himalajeve  qe jep Udhezime , ate pra , camus i lloit Left .....me ...YYYYYYY ne fund   ,per cfare e mbani smiley

Hiqeni ore se late nam ejjjjjjj  .Na cute 60 vjet mrapa ke klasat fillore me keto postime debilesh  .

Mushkerite duhen per te marre fryme smiley

Mjeket gjinekologe jane per te lindur dhe per te deshtuar...

.dhe me pas vijne keta , qe i shtofte zoti qe jane te pakapshem ne cdo cep te ruzullit dhe nje dreq e di si i peshkojne e kapin  adminat tane te nderuar per te na argalisur smiley

Ne na duhet te kemi nje pale mushkri te shendeteshme ! smiley

Ne na duhet nje sherbim shendetsor prane popullit smiley

late nam ore .Merrni vesh apo jo smiley Help zot ....ato te qeshmet me kurriz ! Lexome MIRE pastaj fshime dhe mba Humusin per te plehruar pellgacene! smiley Apo hajt mo e Diela perpara eshte !

Paqe , fshesaxhiut te turnit , paqe !

I zoti e di ku i pikon Tirana.

To Tirane or not to Tirane.

Me mire nje Tirane sot sesa nje pule mot.

Give me Tirane or give me death.

Tirane mire kush Tirane i fundit.

 

Ky togfjalshi "integrimi ne Tirane" eshte i 10re fare. smiley

 

 

 

TemA: Tirana është e para

Nga Artan Mullaj

Të shëtitësh trotuareve të pista për të shijuar trokitjen e vjeshtës në Tiranë është një mënyrë e mirë për të provokuar së brendshmi një frymëzim të ri, të zi, të përzier me mllef. Të meditosh për ndërrimin e stinëve ndërsa shkel nëpër plehra, urinë qensh dhe gëlbaza pensionistësh, të synosh të çlirosh  romantizëm ndërsa ndjen në fytyrë shijen alergjike të tymit të zi të makinave; të ecësh, të soditësh, të këqyrësh, të  konstatosh peizazhin e shëmtuar të  kryeqytetit me shpirtin e tkurrur prej zemërimit dhe ajrit të keq, të protestosh vetëm në heshtje ndaj këtij realiteti, pasi ke kuptuar se imazhi i Tiranës është si një pikturë bodrumi e pashitur e Pikasos, të gjitha këto përbëjnë një arsye të për të ulërirë…së brendshmi sepse ky qytet, me gjithë Bashkinë e tij, dhe me gjithë kryetarin e saj, s’janë gjë tjetër veçse ajo gjë që zakonisht  nënkupton shprehja vulgare e pesimizmit shqiptar: “Vari leshtë!”

Të nxitosh të kalosh kryqëzimet me mushkërinë e tharë dhe buzën e plasur prej ndotjes së ndotur këtej realitetit edhe andej, bri edhe matanë, larg edhe afër, midis plehrave të gëzuara të kryeqytetit që digjen anembanë dhe sehirxhinjve viktima vërdallë (dashnorë nëpër stola që puthen mundimshëm, se rëra e ajrit ju kërcet nëpër dhëmbë, fëmijë të venitur prej teprisë së fosforit,  dhe policë kryqëzimesh që helmosen dhe nxihen); të ndihesh viktimë e pafuqisë tënde për të ëndërruar ajër të pastër, që  ashtu si dëshirat e mira, mungon në këtë qytet të përbindshëm, të pushtuar nga pisllëku, nga makthi dhe horrllëku, do të thotë të jesh dëshmitar i një absurdi të shëmtuar publik, përmbi të cilin, si një vegim kobzi, regëtin kobshëm dështimi i hershëm i Bashkisë së njehsuar me qeverinë.

Si vegimet në lindje, dështimi i qeveris zë fill nëpër rrugët me pluhur dhe plehra që kutërbojnë erë kërmë gjithandej. Shëndetit të  Tiranës i mungon siguria,  njëlloj si oksigjeni ju mungon peshqve që janë duke ngordhur si mëkatarë në liqenin artificial. Shumëkush e di se vështirë të gjendet një vend i paprekur prej terrorit ekologjik, ku të mund të mbushesh me frymë. Të lumtur janë duhanxhinjtë. Cinizmi i tyre është koherent. Nikotina e cigareve në kraharorët e tyre është pikë uji përpara blozës së  muftë që prodhon ditë e natë ky qytet për të gjithë. Qendra e gërvishtur e kryeqytetit ngjan me një peizazh ironie; sarkazma është fare pranë. Midis makinave helmuese me shtëllungat e tymit të zi, midis mjegullës së lënë pas, që do (po) qarkullojnë sërish në qendrën e Tiranës, (nën kujdesin e kryebashkiakut të ri), nënat shëtisin fëmijët e vegjël verdhacukë me karroca të pluhurosura. Në qendër, pranë heroit me kalë, pensionistët kanë fytyra të lodhura prej ngushëllimeve të kota që sjellin kujtimet. Atje vijnë vërdallë të papunët e shtuar, edhe këta me fytyra të lodhura nga terrori i ditës që vjen, në të cilën do jenë sërish të papunë. Të gjithë  ngjajnë si personazhe të luftës së parë botërore, dëshmitarë të rrezikuar gjithnjë, të kotë, të asgjëje dhe të gjithçkaje.

Kjo është Tirana sot. E bukura! Shpresa! E para!

Në Tiranë, gjithkush është i dënuar të dëgjojë përnatë mashtrimet e pacipa të kryeministrit, dhe gënjeshtrat lavire të kryebashkiakut. Në Tiranë gjithkush është i mirëpritur  të  thithë ajrin e tejndotur, por edhe të pijë ujë të rrezikshëm. Përshtypja se në kryeqytet qarkullon ujë i pakët, por i dyshimtë, ndërsa epidemitë e të nxehtit kërcënojnë njëlloj shëndetin publik, edhe në verë edhe në dimër, në rastin më të mirë i shtyn njerëzit të blejnë ujë të ambalazhuar, që tregtohet në bidonë plastikë nëpër njësitë tregtare apo edhe në trotuare karshi diellit, jashtë dhe përskaj çdo sigurie. Por njëlloj, jashtë çdo norme higjiene, jashtë çdo respekti për etikën civile, jashtë çdo perceptimi normal, nëpër ambiente të paimagjinueshme, ku mbretërojnë insektet dhe plehrat, tregtohen edhe produktet ushqimore jetike, qumështi, mishi dhe frutat me çmime të çmendura. E rrokur me një të parë, ky është imazhi vizual i kryeqytetit tone, në të cilin, “qytetari është i pari”, Ky është realiteti ynë që përfaqëson në njëfarë mënyre shkallën e civilizimit tonë. Kjo është hapësira e taksuar për të jetuar.  Kjo është mbrojtja e premtuar e konsumatorit e “Lulit që tha shumë në fushatë, por tani nuk qesh e nuk flet”. Kjo është siguria e premtuar dhe amshuar.

Shtëpi e një komuniteti pa koeficiente të larta ndjeshmërie dhe përgjegjshmërie, Tirana është një qytet i braktisur nga politika e ditës. Ky lajm, edhe pse i vërtetë, vjen erë kurvëri. Tirana të kujton atë burrin e grindur që rruan përditë fytyrën e parfumosur, por morrat i ka në kokë dhe çorapet e palara i kutërbojnë. Si gjithmonë, vështirë të ketë “bir kurve”, në kuptimin harbor, që të marrë përsipër të ndalojë tatëpjetën. Aq me këta ulërimsat edhe tani. Nga ana e tyre, edhe njerëzit, si të jenë UFO mes popujve të tjerë, kanë bërë paqe me pisllëkun dhe me ironinë e fatit të fëmijëve të tyre. Nuk ka shpresë të zbresë ndonjëherë në këtë tokë Jezu Krishti shqiptar, prandaj të hamë e të pimë e të durojmë sa të mundim. Në përgjithësi, ekologjia e kryeqytetit duket e braktisur jo vetëm nga politika e mjerë e dhjerë e këtij vendi. Atë e ka braktisur edhe intelekti, arti, kapitali dhe institucionet e besimit. Është një solidaritet i shëmtuar me të keqen. Nganjëherë flet Sazan Guri, që ngjan si një murg i vetmuar mes statujash, por askush nuk ka veshë të dëgjojë.

Sigurisht që Tirana e ndotur është një faj i të gjithëve. Edhe pse klasa politike është gjithashtu “varri leshtë”, për t’ju varur diçka në qafë janë gjithë ata që marrin frymë në këtë tokë. Njerëzit heshtin në mes të pisllëkut, durojnë në mes të pisllëkut, votojnë symbyllur në mes të rrezikut dhe në mes të pisllëkut, hanë edhe pinë edhe dhjesin edhe bëjnë sehir gjithashtu në mes të pisllëkut. Bëjnë sehir se si kryeqyteti i tyre dhe vendi i tyre shndërrohet përditë e më shumë në një zhele endacaku që nuk ndjell përfytyrime. Natyrisht që përgjegjësia nuk është vetëm e politikanëve bythacë, jargamanë, idiotë e e militantë e servile, që qeverisin si fiset “fitra butra” këtë vend. Përgjegjësia nuk është as vetëm e kryetarit të ri qumështor të Bashkisë. E kotë dhe e pabesë t’ju drejtosh gishtin vetëm atyre, që mision dhe pasion dhe vizion të vetëm kanë të shkatërrojnë këtë vend, përgjithmonë.  Ka edhe një pasion negativ në frymën e njerëzve të thjeshtë, që s’e kanë për gjë të jetojnë, të gëzojnë, të vuajnë, të dhjesin dhe të vdesin në mes të pisllëkut. Se kanë për gjë të rrisin fëmijët e tyre në mes të pisllëkut. Ky interferim pasionesh, përbën një ngjarje shumë të gjatë e të rrallë në kontinentin tonë. Si një nga tregueset e civilizimit, higjiena, apo mungesa e saj, përbën sot një kambanë alarmi, mes korit të gjëmimeve të fatalitetit që jehojnë në këtë vend. Në këtë vend, në këtë trup pa kokë, pa këmbë, pa mëlçi, pa mushkëri, askush nuk shqetësohet për asgjë, aq më pak për shëndetin, për ambientin, për gjelbërimin. Komunitetit në përgjithësi i mungojnë reflekset e kundërshtisë. Shqiptarët qenkërkan kaq gjakftohtë e tolerantë, sa ndërsa janë dëshmitarë të sigurt të katastrofës ambientaliste që ndodh në jetën e tyre mes pisllëkut dhe kërmërisë, dhe ndërsa janë gjithashtu kaq koshientë për rrezikun e ardhshëm të shëndetit të tyre dhe fëmijëve, qeshin, nënqeshin, hanë edhe pinë, ose rrinë në pritje, në heshtje, në absurditet..

Shumëkush mund të thotë se është e çuditshme, por edhe e pafalshme heshtja shqiptare përballë çdo situate të tillë, që në fund të fundit i ndëshkon ekstremisht vetë ata. Ashtu si kollaj mund të kujtojë dikush se në Shqipëri kriza është ulur këmbëkryq, në kuvendin e burrave të këtij vendi, në krah të Sali Berishës dhe Jozefina Topallit. Njerëzit heshtin. Besojnë Jozefinën ose jo, ata heshtin, bëjnë sehir  dhe shijojnë idiotësitë dhe poshtërsitë e Saliut, Jozefinës dhe këlyshëve qimendritur që ju vijnë vërdallë. Pranojnë dhe shijojnë shkëlqimin e tyre,  ashtu si shijojnë pa u ndjerë orgazmat qentë që çiftohen rrugëve në Shkurt e në Mars. Ne jemi një brez që as nuk dimë të gjallërojmë imagjinatën e lodhur të europianëve. Si gjallesa të rraskapitura, shqiptarët bëjnë sehir se si pasi ju thith palcë e gjak, pushteti ju vret dhe ju helmon fëmijët e tyre, edhe me tymnajat vullkanike, me plehrat kombëtare dhe me plehrat ndërkombëtare që po(do) udhëtojnë me të shpejtë drejt mëmëdheut. Të huajt  habiten me ne. “Këta shqiptarët qenkan  popull shpatore. Popull i vrazhdë. Kaq fodullë dhe kaq barbarë të sillen këta njerëz me veten e tyre? Në vend që turma të sundojë dhe ushtrojë pushtetin e saj kundër pushtetit, për të mirën e turmës, për më shumë drejtësi, për më shumë pastërti dhe mirëqenie, turma  hesht, nguron, harron, bën sehir orgazmat e pushtetit dhe ndjen urinën e tij në shpinë”.

Ky artikulli i Artan Mullaj, ishte i forte, dhe habitem se si adminet nuk e kan vene re. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).