Arrestimi i çiftit që shiste ilaçet spitalore dhe korrupsioni i bluzave të bardha. Tenderat e ilaçeve, abuzimi në shumë pavione të QSUT-së dhe dërgimi i pacientëve drejt laboratorëve dhe klinikave private.

Të bësh tregti me pacientët e Spitalit Onkologjik, është njësoj si të shtysh plot forcë dikë që është buzë greminës, gjatë kohës që të ka zgjatur duart për ta shpëtuar. Vetëm për humanizëm nuk mund të flitet në spitalet tona, ku ndonjë mjek i rrallë që nuk kërkon para, mund të shihet si specie në zhdukje. Thuhet se në Spitalin Onkologjik u gjetën “mëkatarët” e mëdhenj që shisnin ilaçet spitalore, kur ato ishin të destinuara për t’u dhënë falas. U arrestua një çift bashkëshortësh që ndonëse vinin nga sistemi i shëndetësisë, ngjanin me hajdutë ordinerë, që nuk ishin në gjendje të fshihnin as provat më elementare. Duket sikur Ministria e Shëndëtësisë dhe Drejtoria e QSUT-së ka bërë një punë të mirë për të treguar me gisht fajtorët e prangosur, por çështja është aq e thellë saqë çifti i arrestuar që përfitoi 50 mijë euro nga shitja e ilaçeve spitalore, është më “i varfëri” mes të pasurve, mjekë e drejtues. Dhe nuk është aspak e egzagjeruar që të thuhet se në sistemin e shëndetësisë po vepron një “mafje e bardhë”… Libreza shëndetësore nuk të vlen thuajse për asgjë. Analizat që duhet të kryhen në spitale i dërgojnë në laboratorët privatë, ilaçet blihen nëpër farmaci dhe shërbimet e tjera ambulatore nuk merren në kohën e duhur. Mbase mund të duket e pabesueshme, por po u shiten me para ilaçet pacientëve që sapo dalin nga kimioterapia.

Bëri jo pak bujë arrestimi i Nikollë dhe Jetmira Kolecit. Njëri mjek dhe tjetra farmaciste pranë repartit të Onkologjikut në Tiranë. Prej një muaji policia ishte vënë në survejim të çiftit dhe kishte parë që në banesën e tyre vinin shpesh motorrë me mbajtëse termoizoluese që merrnin ilaçe. Aksioni u krye në një kohë të shkurtër dhe gjatë kontrollit u gjetën një sasi prej 30 lloje ilaçesh me një vlerë prej 800 mijë lekësh të reja. Ndërsa kontrolli i mëtejshëm tregoi se gjatë një periudhe të paktën gjashtë mujore, ky çift bashkëshortësh kishte fituar në mënyrë të paligjshme nga shitja e ilaçeve spitalore rreth 50 mijë euro. Të ruajtura në kushte aspak normale, këto ilaçe që mbanin pullën “vetëm për përdorim spitalor” u gjetën në garazhin e banesës së Kolecëve. Po ashtu në pranga përfundoi edhe një tjetër person që kryente transportin nëpër farmaci të ndryshme, sipas kërkesave që kishin. Dhe kur mendohet se të gjithë medikamentet ishin për të shtruarit e repartit të Onkologjikut, ky fakt dhemb edhe më shumë. Është vendi më i zymtë nga të gjithë repartet spitalore. Thuajse çdo pacient që është i shtruar në pavionet e Onkologjikut e ka të qartë se jeta e tij është në rrezik dhe sëmundja po e bluan gradualisht. Por përsëri duhet të paguajnë, duke blerë mjaft shtrenjtë ato pak muaj jetë që mund të kenë. Për një operacion shifra që kërkohet, ose nënkuptohet se duhet t’u jepet mjekëve dhe infermierëve, arrin nga 200-300 euro, sipas rëndësisë së operacionit. Nëse ai del me sukses, do të thotë që pacienti do qëndrojë për të paktën dhjetë ditë i shtruar. Që nënkupton të tjera shpenzime. Sipas një mjekeje, e cila kërkon të mbetet anonime, një pacient mesatarisht duhet të paguajë deri në 20 mijë lekë të vjetra dita për medikamentet bazë. “Thuajse të gjitha llojet e ilaçeve që përdoren nga pacientë të shtruar apo që kurohen në repartin e onkologjisë janë të shtrenjta. Një pjesë e tyre jepen falas, por të tjera duhen blerë nëpër farmaci, pasi mungojnë në spitale dhe prej të paktën tre muajsh nuk ka pasur furnizime të reja”. Mjekja e ka të vështirë të flasë për dy kolegët e saj, por me një keqardhje shprehet nëpër dhëmbë se: “Të tjerë janë ‘ujqit’ e vërtetë…” E ka fjalën pikërisht për drejtuesit e Ministrisë së Shëndetëisë dhe të QSUT-së, të cilët në tenderat e ilaçeve zgjasin duart dhe marrin pjesë në lojën e abuzimeve të mëdha. Përzgjedhja e kompanive farmaceutike bëhet në mënyrë klienteliste. Fliten emra konkretë të lidhur me ministrin e linjës. Aq sa edhe vetë brenda partisë së tij Vasili u akuzua si i përfshirë në afera të dyshimta në blerjen e ilaçeve, ku pjesë e kontratave të majme ishin disa të afërm të kreut të ministries, njeriut që dikur ka qenë mjek, por në kohen që e ushtronte profesionin as që i shkonte në mendje që të shihte pacientët nga xhepat. Sepse ishte tjetër sistem dhe mjeku shihej më shumë si një njeri human që si manual kishte betimin e Hipokratit. Nuk ka më nga ata mjekë që maksimumi, fusnin në torbat e tyre plot frikë ndonjë ushqim nga fshati. Kohët kanë ndryshuar dhe mjekë e drejtues të shëndetësisë ngjanë me biznesmenë të suksesshëm, që nuk i ka kapur aspak kriza… Nga ana tjetër edhe Banka Botërore konstatoi parregullsi në një tender të zhvilluar për rikonstruksionet e godinave spitalore në rrethe dhe për pasojë ndërpreu fondin e parashikuar. Të huajt bënë përgjegjës drejpërdrejtë ministrin Petrit Vasili, që sipas tyre kishte skualifikuar firmën që kishte ofruar çmimin më të ulët.

Nëse rikonstruksionet, blerjet e pajisjeve të shtrenjta spitalore dhe ngritja e godinave të reja është një “ekskluzivitet” i ministrisë së Shëndetësisë, gjendja e spitaleve rëndon edhe mbi shefat e pavionëve. Paçka se për t’u ruajtuar “integritetin” nuk mund të konsiderohen të gjithë të korruptuar, në disa raste epiteti i duhur për ta është se janë të paaftë. Secili prej tyre e ka të qartë se për çfarë ka nevojë pavioni që drejton, duke nisur nga ilaçet dhe deri tek nevojat e tjera të domosdoshme. Planet dhe kërkesat kryhen në bazë të shtrimeve dhe shërbimeve ambulatore, duke dalë një shifër mesatare e pacientëve dhe nevojave që kanë spitalet. Por shumë nuk bëjnë kërkesat në kohën e duhur, për t’i lënë mundësi pikërisht atyre fitimeve marramendëse që vijnë nga tenderat për blerjen e ilaçeve me procedurë të përshpejtuar, ose në mënyrë të drejtëpërdrejtë. Nga ana tjetër ndërrimi i shpeshtë i personelit drejtues pranë QSUT-së ka bërë që të mungojë një strategji e mirëfilltë për përmirësimin e sistemit shëndetësor. Edhe postet pranë drejtorisë të QSUT-së, janë kthyer në një “tender” partiak me shumë kandidatë… Mjekësia është një industri fitimrurëse për një grup të vogël njerëzish, të cilët direkt dhe indirekt përfitojnë nga pacientët. Po çfarë ofrojnë spitalet tona?

Të kryesh një analizë të thjeshtë gjaku duhet të presësh gjatë, derisa një infermiere që përtyp ushqim të kthehet krejt e qetë dhe pa takt duke të thënë: “Ik më mirë në privat, sot nuk ka reagent”, (fjala për kite të thjeshta laboratorike). Ambienti i laboratorëve shkëlqen i tëri. Godina është e re, por laboratorët dhe preparatet e nevojshme për kryerjen e analizave mungojnë. Me përjashtim të analizave biokimike, të cilat kryhen në spitale, analizat e tjera ose nuk kryhen fare, ose bëhen me ditë. Një problem i tillë haset edhe në repartin e kardiologjisë. Kryhen vetëm EKG-të, ndërsa holteri që kushton 3000-3500 lekë të reja nuk punon, ndaj pacientët i dërgojnë në klinika private. Në spitalin e sëmundjeve të brendshme të shtruarit detyrohen që çohen nga shtretërit e brejtur nga koha dhe të zbresin e ngjisin disa kate për të lënë kampionet pranë laboratorëve privatë për kryerjen e analizave. Laboratorë që kanë zaptuar çdo rrethinë të mundshme jashtë mureve të spitaleve, janë në ditët e tyre të arta. Në dy vitet e fundit është parë një rritje me të paktën 30 për qind të pacientëve që kryejnë ekzaminime pranë spitaleve apo klinikave private.

Nuk është rritja ekonomike që i çon të sëmurët drejt qendrave private, por mungesa e shërbimeve në sektorin shtetëror. Për kryerjen e ekzaminimeve bazë në repartin e onkologjisë mungojnë shërbimet që kërkohen. Një ekzaminim “markus tumoral”, që në privat arrin deri në 25 mijë lekë të vjetra në shtet nuk kryhet fare. Ndërsa mungojnë edhe markuset virale dhe kardiake. Analiza të tjera të kushtueshme janë elektroforezat e hemoglobinës, proteinës dhe imunofloktoreza. Duke i llogaritur të gjitha arrijnë në 120 mijë lekë të vjetra. Një shumë e papërballueshme për buxhetin e pjesës dërrmuese të shqiptarëve. Edhe thirrja e politikanëve për rritjen e kontributeve shëndetësore nuk është se të bën shumë punë. Pavarësisht se ke librezë shëndetësore, ajo vlen për pak shërbime. Shërben vetëm për shtrimin pa pagesë, ndërsa thuhet se mbulon edhe shpenzimet e operacioneve, por realisht kjo është e pabesueshme. Sepse bisturia e kirurgëve më parë se tek trupi i të sëmurëve “kalon” nga xhepat e tyre dhe familjarëve. Gjithçka anon nga privati, sidomos në kryerjen e analizave. Pikërisht këtu qëndron edhe një tjetër abuzim i dukshëm. Mjekët që dërgojnë pacientët në laboratorët privatë të analizave marrin 20 për qind të vlerës së tyre. “Shpesh pacientët vijnë për ekzaminime, pagesa e të cilave i kalon 10 mijë lekë të reja, pavarësisht se mund të mos ketë nevojë për aq shumë analiza”, shprehet një laborante. Mjekët të orientojnë edhe ku duhen kryer analizat, madje edhe ku të blihen ilaçe. Pavarësisht se pacientët janë të lirë të shkojnë ku të duan në çdo farmaci ose laborator, përsëri disa lloje ilaçesh gjenden vetëm në farmacitë ku të drejton mjeku.

Një shtrim në spitale duke nisur nga shpenzimet për mjekët, infermierët, ilaçet, nevojat e tjera arrijnë në rreth 1000 euro java, nëse pacienti është i operuar. Aq sa do të dojë kohë të marrë veten jo vetëm nga ana shëndetësore, por edhe ekonomike. Në spitalet shtetërore shihet edhe një shtresë e ulët ekonomike, pasi biznesmenët ose qytetarët që kanë ca para mëjanë i dërgojnë të afërmit jashtë vendit ose në spitalet private, që kohët e fundit janë shtuar në numër, ndoshta do të konkurrojnë edhe iniversitetet private. Dhe nëse dikush donte që të shkatërronte një sitem shëndetësor, me siguri që tashmë ia ka arritur. Këtë e di më mirë edhe vetë ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili. Një të gërvishtur në kokë dhe ca shembje në trup pati kreu shëndetësisë në një aksident automobilistik, por në fund vendosi që jetën e tij mos ia besojë shtetit. Hyri nga porta kryesore e Spitalit Ushtarak në Tiranë, por përfundoi për ekzaminime të mëtejshme në një spital privat, ngjitur me ngrehinën shtetërore.

Revista Klan

11 Komente

Keto plehra duhen varur. Sidomos me vjen per te vjell kur shoh Nard Ndoken ish axhustatorin qe beri miljarda me tenderat e ilaceve. Nuk kane per ti henger dot keto leke jo. Do ja japi Zoti aty ku i djeg me shume ketyre llumrave.

C'te thuash, ngelem duke u ankuar, e duke folur, po prape nje vrime ne uje po behet! Edhe po shkove atje do t'i tundesh parate se s'ben. une s'kam me as nerva, as fuqi, tani me ka dal dhe turpi, se me perpara me vinte zor t'u jepja leket, se si me dukej, sikur do ta fyeja (pika mua, thuaj)! Tani, jo mo vlla, futi 200 lekshin ne xhep, vjen vete heren e dyte infermierja. smiley

 

200 leke? Ku qeka ky spital me "oferte" se ne Qsut minimumi eshte 500. Sqeke bo update me cmimet me duket smiley

E kisha per ambulancen e lagjes, ne fakt. se kam ca dite qe e vizitoj rregullisht. 

Po po 2 mije leke,per ate 2 mije leksh nuk me foli pastruesja dy ore e gjysem.

Sa e poshter paska qene ne ajo mo! 

.. mos haro te paguash parkimin,rojen tek dera ,sanitaren, magazinieren, plus te maresh ilacet me vete, se ne spital ke vetem mjekun  smiley

E pra ne mjekesi korrupsioni eshte galopant,por me ka cuditur nje mjek,Doktor Bexhani,pardje shpetoi nje njeriun tim shume te afert nga vdekja pasi beri nje nderhyrje ne rrugen urinore sepse po ju mbushte veshka me uje,6 ore,dhe nuk me ka marre asnje lek me gjithe kembenguljen time,Doktor Bexhani,cfare njeriu.

Pastaj persa i perket Kryeinfermjere,Mjeke,infermiere,pastruese,eshte per te vene duart ne koke.

BeZhani

Ah, edhe nje gje: po te keni raste helmimesh, apo intoksikim nga alkooli, mos shkoni ke QSUT-ja se s'te pranon njeri, i kane cuar ne spital ushtarak! dhe atje, pastaj, e dini vete proceduren: ketu ishte 5000, mac smiley dhe te vjen serumi tek koka. 

Cfare jane keto shpifje qe thurrin komunistat?

Sula e ka zhdukur korrupsionin nga cdo instance e sherbimit publik...

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).