Pothuaj të gjithë mendimtarët seriozë që i janë qasur ideologjisë komuniste, e trajtojnë atë si një variant modern i një feje. Marksizmi, feja e parë laike, synoi të prodhojë një besim që, nëpërmjet eleminimit të feve klasike dhe dezintoksikimit religjional (pasi, për të fetë janë opium për popullin) premtonte parajsën tokësore, të arritshme vetëm nëpërmjet arsyes, siç edhe na është parathënë prej ideologëve të vargut të gjatë të profetëve të Iluminizmit. Dostojevski është nga të parët që e bën një paralelizëm të tillë mes marksizmit dhe religjionit, duke u shprehur se në thelb, komunizmi është një çështje e Kullës së Babelit, jo për tu ngjitur nga toka në qiej, por për ti zbritur qiejt në tokë. E në fakt, ashtu siç edhe ai e parashikoi, historia dëshmoi se kjo orëvatje nuk i zbriti dot qiejt, por përkundrazi, zbriti tokën në humnerat e një ferri që i tejkalon dimensionet e shkatërrimit dhe mjerimit tokësor.

Duke iu qasur një krahasimi të tillë, Ernest Gellner konstaton tek marksizmi diçka të veçantë, të ndryshme nga të gjitha fetë e tjera. Ndryshe nga ç’ndodh në përgjithësi me fetë, – të cilat rëniet i kanë graduale ndërkohë që mbetet gjithmonë një grup që lufton me mish e me shpirt për ta mbrojtur, – komunizmi u shemb për një ditë, dhe askush nuk u ngrit ti dilte për zot. “Kurrë ndonjëherë nuk ka patur ndonjë anije që fundoset, e cila të braktiset me aq gatishmëri e unanimitet”, – shprehet Gellner. Madje edhe “Nomenklatorët e vjetër, me një shpejtësi të pabesueshme dhe tmerruese, u kthyen në shovinistë dhe në kapitalistë-oportunistë”.

Arsyet mund të jenë të shumta, por ka diçka thelbësore pse “fesë së parë botërore laike i mungonte aq haptas këmbëngulja dhe aftësia për të lulëzuar”. Ndryshe nga çdo fe, marksizmi nuk shenjtëron dashurinë, por punën. “Ikonat e këtij besimi gdhendin shenjtërinë e punës dhe të punëtorit, të shaluar në ndenjëse të traktorit, me muskujt gufuar nga përpjekjet prodhuese”. Kjo shpjegon edhe kriminalitetin e sistemit komunist dhe indiferencën kolektive të proletariatit ndaj krimeve të ethshme të makinerisë vrasëse të nomenklaturës së parajsës së premtuar tokësore. Sipas Gellnerit, terrori masiv, i cili godiste nga të mundej nuk i shkatërroi themelet e besimit; përkundrazi e konfirmoi atë, pasi një transformim aq i thellë i gjendjes njerëzore sa ç’ishte marksizmi duhet të shenjtërohej me gjak. Ajo që shkatërroi bindjen kolektive, ishte pikërisht mjerimi ekonomik i viteve të Brezhnievit. Ai pohon se, ajo që e bëri besimin të avullojë ishte mjerimi i marrëdhënieve të punës, që në fetë e tjera i korespondon korruptimi i klerit. Pra, prej këtej mund të themi se feja e punës, u rrënua në zemër të kultit të saj. Ajo provoi që zoti i saj ishte i rremë, ndaj dhe u shemb rrëmbyeshëm pa lënë pas asnjë besimtar.

 

Ndërrimi i kulteve në Shqipërinë paskomuniste

E gjithë kjo panoramë na jep mundësinë të kuptojmë më thellë realitetin shqiptar gjatë dhe pas diktaure. Dëshmitë rrënqethëse që vijnë nga bota e terrorit shtetëror të 50 viteve, jo vetëm që nuk kanë sjellë asnjë indinjatë shoqërore për tu shënuar, por duket se nuk ngrenë asnjë sensibilitet qoftë edhe si qendrim moral. Xhelatët e djeshëm, vijojnë të jenë në krye të zhvillimit të demokracisë së sotme si dhe në krye të realizimit të aspiratave europiane, dhe shoqëria mbetet krejtësisht e pandjeshme ndaj një imoraliteti të tillë. Askush nuk e paraqet dënimin e krimeve të komunizmit dhe zbardhjen e të vërtetave të makthit të diktaturës, si program politik elektoral, megjithëse mediat nxjerrin çdo ditë “kuriozitete” të tilla nga e kaluara. Poeti Ervin Hatibi duket të ketë patur të drejtë kur, këtë mazokizëm kolektiv që ofron “striptiza me plagët” e konsideron “trasgresionin më epshor të faqeve të para të gazetave” në Shqipëri. Mesa duket çdo forcë politike e ka të qartë se kjo lloj kauze nuk bën elektorat dhe nuk ngjall asnjë interes tek “sovrani” popull, të cilit duket se nuk i ka dalë ende efekti i opiumit marksist. Me sa shihet kujtesa nuk ka sjellë asnjë reflektim për të kaluarën, vetëm natyralizim me krimin.

Në thelb, kjo ngurtësi kolektive, buron pikërisht nga një sistem shoqëror që ka çmontuar shpirtin për ta zëvendësuar me “ndërgjegjen klasore” të inkorporuar deri sferat më intime të shoqërizimit njerëzor, deri “në gjirin e familjes”. Është pikërisht ky mekanizëm që kultivon ftohtësinë dhe pandjeshmërinë përballë çdo tragjedie njerëzore, i cili ka bërë të mundur dehumanizimin e “njeriut të ri”, të interesuar vetëm për progres material, madje ngushtësisht individual. Kjo është edhe arsyeja, pse në këtë vend nuk ka asnjë solidaritet njerëzor, përveç atij partiak dhe kjo është edhe një prej arsyeve se përse në Shqipëri nuk ekziston asnjë motivim për reagim qytetar ndaj problemve të ndryshme, apo vuajtjeve të të tjerëve, ashtu siç ndodh kudo në botë.

 

Zhgënjimi dhe rimohimi

Komunizmi në Shqipëri në fillim-vitet ’90, duke ndjekur me përpikmëri konstatimet e Gellnerit, u dënua dhe u hodh poshtë për arsye ekonomike dhe thuajse aspak morale. Ai u dënua moralisht më tepër për shkak të varfërisë ku e kish zhytur shoqërinë e jo për shkak të padrejtësisë dhe kriminalitetit që kish instaluar në themel të saj. Asnjë brerje ndërgjegjeje për padrejtësinë sociale dhe asnjë përpjekje serioze për rivendosjen e drejtësisë nuk u pa të motivonte aspiratat e hapave të para drejt lirisë. Thelbi i motivimit të lëvizjeve transformuese përmblidhet në aspiratën “e duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, e cila në fakt nuk përbënte gjë tjetër vetëm se dëshirën për të jetuar në luksin dhe komoditetin e vendeve të industrializuara, nëpërmjet imazheve televizive të kontrabanduara prej perëndimit, kishin lëngëzuar për vite me rradhë, gojët e uritura të një populli barkbosh. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ishte kërkesa imediate e shqiptarëve për të përvetësuar të mirat materiale të botës së konsumit, indiferente krejtësisht ndaj mjeteve, nëpërmjet të cilave arrihen këto të mira. Nga ana tjetër, mosinteresimi për rivendosjen e drejtësisë, u pa në refuzimin e shoqërisë për të mbrojtur të drejtën e pronës, të mohuar për vite me rradhë nëpërmjet terrorit marksist që asgjëson gjithçka private. Shpërfillja ndaj të drejtës së pronës, është dëshmi e një indiference të frikshme morale që vijon të karakterizojë shoqërinë shqiptare paskomuniste.

Zërat nostalgjikë, që përsërisin herë pas here refrenin e mërzitshëm “ishim mirë kur ishim keq”, nuk janë gjë tjetër vetëm se “lapsuse” që, duke iu referuar psikanalizës, na tregojnë tensionet që ziejnë në kazanin e të pandërgjegjshmes sonë kolektive. Parajsa tokësore, duket ende larg dhe askush nuk ka durimin dhe kurajën të investojë për të. Mesa duket, edhe zotat e rinj, të demokracisë liberale dolën mashtrues, një zhgënjim ky i mjaftueshëm për të provokuar tradhëtinë hakmarrëse për të riflirtuar me kufomën e zotit të vjetër.

Ashtu siç shprehet Gellner, besimi ra dhe la pas vetëm vakumin e tij, të shprehur në liberalizmin ekstrem. Thënë ndyrshe, ajo që mbeti është vetëm etja për pasuri e pushtet, asnjë moral, asnjë motivim, asnjë besim zëvendësues. Idhulli i punës u thërrmua në sytë e historisë, por mbeti lakmia për parajsën tokësore, të cilën sot rreket ta përmbushë korupsioni makutëror dhe imoraliteti, dy forcat lëvizëse të asaj filozofie që në në Shqipëri, në një gjuhë më të sofistikuar e quajmë, liberalizëm. Krejtësisht në antitezë, por në një linjë shumë të qartë logjike, njeriu i ri po përpiqet tashmë të arrijë parajsën materiale pa punë e pa vepra, sigurisht edhe pa skrupuj e ideale. Në fakt kjo përbën edhe shkakun kryesor përse shoqëria shqiptare po gjen e rigjen vazhdimisht vetëm ferrin e përditshëm.

Marrë nga E-Zani i Naltë

1 Komente

"Ndryshe nga çdo fe, marksizmi nuk shenjtëron dashurinë, por punën."

Hik ere pirdhu... Ku ishin fetaret nje gjysem shekulli te tere kur marksistet predikonin "make love, not war!"

Artikull i painformum.

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).