Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nxori dje nga fondet dy kinokronika që nuk janë shfaqur që nga koha e prodhimit. Ky është fati i zhanrit dhe i qindra-mijë metër film që u përdorën mirëfilli për propagandë.

Dy kronikat “Dyluftim me flakët” 1957, 25’ dhe “Pavijoni shqiptar ne Bari”, 1972, 9’, u shfaqën dje për 80-vjetorin e lindjes së operatorit Dhimitër Lala, i pranishëm në sallë.

AQSHF kishte përgatitur një album fotografik. Në jetëshkrim theksohet ndërprerja e karrierës për shkak të dënimit të Lalës me 6 vjet burg politik në Spaç.

Konsideratat dhe vlerësimet e kineastëve e rreshtojnë disa ndër themeluesit e kinemasë shqiptare duke e vendosur në nivelin e krijuesve (!), e disa e quajnë punëtor të palodhur që ka kontribuar njëlloj si bashkëkohës të tjerë me kronika e dokumentarë propagandistikë për zhvillimin e Shqipërisë socialiste dhe njeriun e ri.

Lala punoi asistent operator në filmin e parë artistik shqiptar të Hysen Hakanit “Fëmijët e saj” dhe përfundimisht u vendos operator i kronikave dhe dokumentarëve më 1958. Me siguri që “Dyluftim me plakët” është kryevepra e tij si operator dhe realizues për shkallën e lartë të vështirësisë dhe për intensitetin e dokumentimit të ngjarjeve në njëzetë ditë.

Filmimet nga shpërthimi i fontanës së gazit në Ballsh, verën e vitit 1957, janë një pasuri e rrallë dokumentare nga vendngjarja. Ky material filmik është një çudi. Jep hap pas hapi shpërthimin jashtë vatrës së kontrollit dhe pasojat e flakëve, djegien e bimësisë përreth, shkrirjen e kabllove metalikë që tërheqin traktorët, madje edhe mjetet luftarake, deri dhe ngrirjen si një obelisk akulli i fontanës së shuar. Një proces në varësi të ndërhyrjeve çudibërëse të njerëzve për ta neutralizuar burimin e gazit e për ta kthyer në folenë e tokës.

Lala ka xhiruar ditë e natë. Xhirimet natën, ndriçuar nga dy tufat e përbindshme të flakëve njëra vertikal dhe tjetra horizontal, japin punëtorët në një lëvizje të papeshë si në sipërfaqet hënore, diku me shkëlqim verbues e diku me terrin e honeve. Përpjekjet njerëzore përballë kësaj force të natyrës duken të pandalshme. Spikeri që lexon tekstin e Anastas Kondos, thotë se vullneti i këtyre njerëzve, disa të dekretuar heronj të punës socialiste, e ka burimin te Partia. Dhe ky refren propagande që përsëritet të lë indiferent, sepse kamera e Lalës kap portretet e burrave trupthatë, të gjithë njëlloj, një tufë e sakrifikuar për kapelën republike të Adil Çarçanit me pantallonat e ngritura mbi stomak, e që i ardhur në vendngjarje duket si kulmi i fatkeqësisë që një njeri do t’i shkaktonte të ngjashmit të vet.

Kinemaja shqiptare nga fillimet deri me rënien e regjimit komunist, paraqitet si të ishte një botë paradoksesh pa gjykim të shëndosh. Mesazhi që i japin të sotmes kineastët është kimerik. Ai kamuflon, sepse i distancon përgjegjësitë individuale nga pushteti tërësor i një arbitri politik.

Është vështirë të dalësh në përfundime për të vërteta që vijnë nga gabimet njerëzore për sa kohë individët nuk pranojnë ndonjë përgjegjësi, pra e heqin veten të papërgjegjshëm.

Arkivat filmike thonë më tepër se rrëfimet vulgare të arkivave hetimore e gjyqësore. Aty ruhet puna krijuese, vlera dhe dëmi. Dhe gjykimi kritik për këto do të shkonte. Përndryshe, opinioni publik do te mbetet i kapur ndërmjet sehirit e neverisë që i ofrojnë dosjet protokollare të hetuesisë së regjimit.

Biografi

Dhimitër Lala u lind në vitin 1931 në Pogradec. Në fillim të viteve ’50 filloi punë në Kinostudio si përgjegjës i kinemave të Tiranës. Në vitin 1953 filloi punë si asistent kameraman dhe më pas si kameraman. Në vitin 1957 është dekoruar me “Urdhrin e Punës të Klasit të Tretë” për filmit “Pusi 542” me regji të Ilo Pandos si dhe me urdhrin “Naim Frashëri” të klasit të dytë për filmin dokumentar “Dyluftim me flakët”, si kameraman dhe realizues, në vitin 1969. Më 1971 vendoset në TVSH, kur nisën edhe transmetimet ditore të këtij televizioni deri më 1976 kur ndodh arrestimi dhe dënimi për agjitacion e propagandë. Pas 6 vjet burg në Spaç, më 1982, punon punëtor ngarkim shkarkimi deri sa doli në pension si operator i vjetër edhe si punëtor miniere.

_________

Intervista

Zoti Dhimitër, planet tuaja të para janë në pritën e Gjadrit. Mund ta kujtoni saktë atë xhirim?

Isha operator asistent i Hamdi Ferhatit. Në praninë e Adil Çarçanit aty do xhirohej prita e re për mospërmbytjen e fushës së Lezhës. Hamdiu më jep aparatin për të xhiruar 200 metër më larg, si më i ri që isha. Ishte viti 1956. Bëra dy plane të cilat Hamdiu ia prezantoi me krenari kolektivit si plane që i kishte bërë ndihmësi i tij, Dhimitri. Ajo ishte puna e parë që kam bërë. Pastaj gradualisht, kam xhiruar deri sa mbërrita në stadin e operatorit.

Pra ju keni xhiruar me një aparat që Hamdi Ferhati e kish përdorur qysh nga vitet e para të pasluftës.

Ky ka qenë një aparat sovjetik i Luftës së Dytë Botërore me zemberek që merrte 30 metër film. Dhe filmi nuk mbushej në sy sepse nga drita digjej, por duhej të fusje duart dhe “duart t’i kishe me sy”. Në vitin 1957 erdhën aparatet Harry Flex, modernë, të mirë.

Me atë aparat Ferhati kishte filmuar momente të rëndësishme të “historisë së re”, si hyrja e komunistëve të Tiranë…

Këto i ka xhiruar të gjitha Hamdi Ferhati. Ai ka qenë ndihmës punëtor me një operator italian në radio Tirana. Kur Italia fashiste kapitulloi, italiani iku dhe aparatin ia la Hamdiut. Atëherë ai filloi të xhironte vetë dhe ka xhiruar ardhjen e qeverisë nga Berati, prandaj është Hero i Punës Socialiste.

Çfarë parimesh ju mësoi mësuesi juaj i parë?

Tri gjëra duhet të mbajë parasysh operatori, më thoshte: kompozimi i kuadrit, intensiteti i dritës dhe fokusi duhej të ishte i qartë. Këto tri gjëra m’u ngulitën në mend dhe vazhdova.

Si ndodhi që ju nga një formim ushtarak në Shkollën “Skënderbej” u bëtë operator?

Unë punova dy vjet oficer dhe nuk më pëlqente. Vura re se që ta dashurosh ushtrinë duhet të jesh në radhë të parë karrierist, të shkosh lart e më lart. Këtë ka ushtria. Unë nuk e kisha këtë prirje. Pas dy vjetësh kërkova të largohesha dhe në janar 54 erdha në Kinostudio fillimisht si ndihmës kinooperator. Profesionin më tepër e kam vjedhur. Ata që më kanë ndihmuar vërtet ishin Hamdi Ferhati dhe Mandi Koçi.

I kam ndihmuar dhe përkrahur të gjithë ata që erdhën në Kinostudio pas vitit 1957. Edhe Ilia Tërpini e ka nisur udhën e tij me mua, edhe Rakip Zeneli, edhe Vladimir Marko, Jovan Kondakçiu, Diana Diamanti, Muharrem Kondo edhe shumë të tjerë më të rinj.

Duhet të ketë qenë shumë e vështirë të xhironit këtë që pamë sot, nga shpërthimi i pusit në Ballsh më 1957.

Kemi xhiruar për 21 ditë dhe sot duke parë më shkonin lotët. Nuk e besoja që të kem xhiruar një ngjarje kaq të vështirë. Më parë duhej të isha djegur aty në grykën e pusit 542 në Marinëz dhe ku shpërtheu flaka.

Nuk ju duket e padrejtë kjo propagandë që në rrethana ekstreme për jetën, t’ia veshësh partisë vullnetin e këtyre njerëzve?

Sigurisht që është propagandë. Ne propagandë bënim. Filmi edhe pasi të realizohej do të kalonte në hallkat e censurës.

Është shfaqur më vonë dokumentari? Aty del vizita e Koço Theodhosit ministër?

Jo nuk është shfaqur më. Me eliminimin e tij as që mund të mendohej.

Ju keni qenë anëtar i Partisë së Punës, keni besuar në komunizëm. A e vutë në dyshim ndonjëherë besimin tuaj?

Sigurisht që kam besuar në komunizëm. Kam qenë partizan 13 vjeç në Brigadën e Katërt. Atëherë i madh dhe i vogël u ngrit në këmbë për luftën. Komunistët premtuan të ardhme me “lugë floriri”.

Domethënë e njihnit komunizmin nga premtimet? Kur e fituar vetëdijen që komunizmi nuk ishte ai që flitej?

Në burgun e Spaçit dëgjoja se si vrisnin njëri-tjetrin shokët e luftës. Aty kuptova që komunizmi ishte një ulkonjë që hante fëmijët e vetë.

Ishit i dënuar politik?

U dënova për agjitacion e propagandë. Gjatë gjashtë muajve hetuesi disa herë më provokuan duke më thënë se “ti je njeriu ynë, ja fotografitë që ke bërë me udhëheqjen! Duhet të bashkëpunosh!”

Thatë se e vetmja gjë e keqe që s’patë në burg ishte vdekja.

Vazhdoj ta them këtë. Aty po besoja më shumë në Zot. Përndryshe si ta shpjegoj që, mes 1000 të burgosurve, ku kishte të moshuar mbi 75-80 vjeç, priftërinj katolikë, në punë të rëndë në minierë, dolëm gjallë prej andej?

Një komunist që beson në Zot?

Po, po, kam besuar dhe besoj.

4 Komente

"Në vitin 1957 erdhën aparatet Harry Flex, modernë, të mirë."

 

po, po..ky z. Harry Flex ka shpetuar boten moj elsa..

 

"Një komunist që beson në Zot?

Po, po, kam besuar dhe besoj."

O Oranje, e lexove kete apo jo?

 

 

Domethënë e njihnit komunizmin nga premtimet? Kur e fituar vetëdijen që komunizmi nuk ishte ai që flitej?

Në burgun e Spaçit dëgjoja se si vrisnin njëri-tjetrin shokët e luftës. Aty kuptova që komunizmi ishte një ulkonjë që hante fëmijët e vetë.

Komunizmi shqiptar ishte Stalinizem i gjalle nga me i egri, ne Lindje !..Shqiperia u rrit me Stalinizmin me anet me te errta te tij, sigurisht qe `i hante femijet e vet`

Kam pershtypjen se ne Kinostudio, duhet te kete shum dokumentare te çensuruar. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).