Gazmend Oketa, ish ministër i Mbrojtjes dhe zv. kryeministër mbi zgjedhjet e 8 majit, rezultatin e PD-së, rikthimin e opozitës në Kuvend dhe a duhet të ndryshojë qeveria aktuale e drejtuar nga Berisha. Sepse “Qeveria e duarve të pastra” nuk qëndron më

Gazmend Oketa është nga ato figura në Partinë Demokratike që ka ruajtur gjithmonë një profil të tijin politik. Ish ministër i Mbrojtjes dhe ish zëvendëskryeministër në qeverinë “Berisha 1”, sot gjendet jashtë Kryesisë së PD-së pas votimeve partiake në fund të korrikut. “Më i rëndësishëm se diskutimi mbi emra konkretë të cilët mbetën jashtë kryesie, është fakti se më në fund pas dy vitesh vonesë të pa shpjegueshme kemi një kryesi të re”, shprehet ai për Klan. Nëpër rreshta Oketa nënvizon se, në zgjedhjet vendore të 8 majit, nëse do të analizonim vetëm rezultatin e PD-së, nisur nga votat për këshilltarë bashkiak apo komunash, atëherë ky rezultat lë shumë për të dëshiruar. Por, që gjithçka përmbyset nëse shihen votat e fituara në koalicion. Sipas tij, debati publik Berisha-Rama nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, përkundrazi do të kish qenë më mirë sikur ai të zhvillohej çdo javë në sallën e Parlamentit. 

- Zoti Oketa, kanë kaluar më shumë se dy muaj nga përfundimi zyrtar i zgjedhjeve të 8 majit, e megjithatë do dëshironim një vlerësim nga ana juaj: Në tërësinë e tyre, përfshirë edhe atë çfarë ndodhi në Tiranë, çfarë opinioni ndani për këto zgjedhje? 

Analizën lidhur me zgjedhjet lokale të datës 8 Maj 2011 do ta shikoja në dy plane. Së pari, ana e përgatitjeve teknike dhe infrastrukturës zgjedhore. Pavarësisht disa vonesave për shkak të angazhimit të vonshëm në këtë proçes të PS-së dhe aleatëve të saj, mendoj se infrastruktura zgjedhore, listat zgjedhore dhe elementë të tjerë teknik ishin në një nivel shumë të kënaqshëm për të mundësuar zgjedhje konform standarteve të kërkuara. Por, a mjafton kjo? Parë në planin e dytë, atë politik, duhet të pranojmë se situata tejet e polarizuar dhe e tensionuar politike, pavarësisht se kishim thjesht zgjedhje lokale, bëri që edhe mbas mbarimit të këtyre zgjedhjeve shtrëngimi i duarve midis kundërshtarëve politik, urimi i fituesve dhe pranimi i rezultatit përsëri të mungojnë. Tensioni politik, kriza e besimit ndërmjet mazhorancës dhe opozitës, nuk bënë gjë tjetër veçse i paraprinë një fundi të njohur tashmë të proceseve zgjedhore, ku njëra palë nuk e pranon rezultatin përfundimtar. Nëse ne si mazhorancë dhe opozita do të kishim bashkëpunuar para zgjedhjeve bazuar mbi rekomandimet e OSBE/ODIHR të vitit 2009, mendoj se dhe klima zgjedhore do kish qënë më pak e polarizuar dhe vetë proçesi zgjedhor do të përmbushte maksimalisht të gjitha standartet. Gjithsesi gjykoj se determinant në fatin e zgjedhjeve është vullneti politik dypalësh, respekti dhe besimi reciprok ndërmjet kundërshtarëve politik. Ne mund të ndryshojmë pa mbarim kodin zgjedhor, por pa plotësuar këto kushte politike gjykoj se do të ndodhemi gjithmonë në situata të ngjashme me ato të zgjedhjeve të fundit. 

- Mendoni se PD i fitoi apo humbi këto zgjedhje, duke pasur parasysh se ajo humbi në qytetet e mëdha, por fitoi në Tiranë pas një procedure të gjatë e të vështirë ligjore, ku nuk munguan edhe përplasjet juridike? 

Më duhet t’ju bëj një saktësim. PD nuk garoi e vetme në këto zgjedhje, por garoi në koalicionin Aleanca për Qytetarin, koalicion i përbërë nga shumë forca politike. Nëse do analizonim vetëm rezultatin e PD-së, nisur nga votat për këshilltarë bashkiak apo komunash, atëherë ky rezultat lë shumë për të dëshiruar. Nëse do ta analizojmë si koalicion, atëherë rezultati është rreth njëqind mijë vota më shumë në të gjithë Shqipërinë për Aleancën për Qytetarin. Personalisht do të preferoja disa vota më pak si koalicion, por ne duhej të kishim fituar disa qytete të mëdha, duke përjashtuar këtu Tiranën e cila ishte vërtet një fitore e madhe. Fakti që në Tiranë u bë një garë e fortë deri në votën e fundit duhet të na detyrojë që të përgëzojmë të dy kandidatët kryesorë, si z.Basha ashtu dhe z.Rama për fushatën që zhvilluan. Z.Basha në gjykimin tim ishte dhe e veçanta e të gjithë zgjedhjeve lokale, pasi arriti të bënte një fushatë krejt ndryshe. Krejt ndryshe jo vetëm krahasuar me rivalin e tij direkt, por dhe krahasuar me kandidatët e tjerë të Aleancës për Qytetarin. Do të ishte vërtet një gjë tejet pozitive, nëse dhe situata pas përfundimit të numërimit të kutisë të fundit të ishte e qetë dhe e ngjashme me situatën që dominoi gjatë fushatës. Një betejë ligjore, e cila parashikohet në kodin zgjedhor të miratuar nga të dy palët, e zhvilluar pa presione politike, jo vetëm do ishte një mbyllje dinjitoze e një gare të bukur, por do të ishte dhe një vlerë e shtuar në vlerësimet pozitive për këto zgjedhje. 

- Me fillimin e legjislaturës së re në vjeshtë, PS-ja është rikthyer në Parlament, duke i dhënë një mundësi qetësimit të krizës politike që mbretëron prej vitit 2009. Ajo madje ka ofruar një pakt me dhjetë pika, i negociueshëm, por që prek disa nga çështjet më nevralgjike të jetës politike në vend. Si e cilësoni atë pakt dhe a duhet ta pranojë PD-ja, në mënyrë që të ecet përpara me reformat? 

Së pari do të vlerësoja si tepër pozitiv rikthimin e opozitës në parlament, rikthim i cili sigurisht do të ndikojë për mirë si në funksionimin normal të Kuvendit, ashtu dhe në normalizimin e mardhënieve mazhorancë-opozitë. Referuar paketës prej 10 kushtesh të vendosura nga opozita unë kam këtë koment: Tashmë pas dy vitesh konflikti politik, pas dy vitesh mosfunksionimi normal të Kuvendit për shkak të bojkotit të opozitës, të tentosh të rivendosësh urat e bashkëpunimit me mazhorancën duke vendosur kushte pa asnjë lloj negociate paraprake, nuk më duket zgjidhja e duhur. Opozita është në të drejtën e saj të vendosë dhjetë apo më shumë kushte, por nuk më duket normale që ky pakt, këto kushte t’i komunikohen mazhorancës nëpërmjet medias. Rivendosja e dialogut, kontaktet dy apo më shumë palëshe, së paku në nivel kryetarësh të grupeve parlamentare, duhet të kishin përgatitur terrenin për të kaluar në propozime konkrete, të cilat mund të ishin pesë, dhjetë apo dhe më shumë pika. “Ambalazhimi” i këtij propozimi me emërtimin pakt kombëtar për integrimin sigurisht e bën të tingëllojë bukur, por praktikisht nuk duket se ka zgjidhur apo ka ndryshuar gjë në raportin mazhorancë-opozitë. Përkundrazi vazhdon i njëjti stil komunikimi si gjatë këtyre dy viteve të fundit, komunikim nëpërmjet ekraneve të medias, vetëm se me numër më të reduktuar konferencash për shtyp. Nëse duam të bashkëpunojmë për integrimin atëherë duhej që prej një viti të kishim filluar punën për të përmbushur 12 rekomandimet e Komisionit Europian, rekomandime të lëna në tryezën e politikës shqiptare plot 12 muaj më parë. Bashkëpunimi për këto rekomandime do të ndihmonte dhe daljen nga kriza politike, pasi të dyja palët nuk do të ndjeheshin të cënuar në sedrën e tyre politike, shpesh të sëmurë, pasi këto rekomandime nuk janë kushte të vendosura nga njëra palë kundrejt tjetrës, por janë rekomandime të institucioneve europiane, institucione të paanshme, institucione ku ne duam të integrohemi. 

- Si rezultat i kësaj krize të stërzgjatur, në datën 13 tetor Shqipërisë pritet t’i refuzohet marrja e statusit të vendit kandidat në BE. Cilin është opinioni juaj lidhur me këtë refuzim të dytë? 

Fatkeqësisht nisur nga zhvillimet e deritanishme dhe nga mosplotësimi i 12 rekomandimeve të dhëna nga Komisioni Europian 12 muaj më parë edhe këtë vit pritet që Shqipërisë t’i refuzohet statusi i vendit kandidat. Dhe kjo është vërtet për të ardhur keq, pasi të gjithë deklarohemi se jemi për integrim europian, të gjitha partitë politike shqipare e kanë në programet e tyre si prioritet këtë objektiv dhe kur vjen puna për të arritur këtë objektiv ne si gjithmonë “e djegim jorganin për një plesht”. Edhe ky raport që pritet të dalë, me shumë gjasa do të jetë në pjesën më të madhe i ngjashëm me atë të vitit të shkuar, pasi fatkeqësisht gjatë një viti nuk ka pasur asnjë progres në përmbushjen e rekomandimeve. E njëjta gjë pritet të ndodhë dhe me debatin e brendshëm politik, kur për përkthimin nga anglishtja të raportit secili nga kampet tona politike do të përdorë “fjalor” të ndryshëm përkthimi nga anglishtja në shqip. Unë mendoj se dalja e raportit duhet të jetë një moment i fortë reflektimi për ne si politikanë të cilitdo krah. Ne të gjithë kemi detyrimin t’i shërbejmë interesave të vendit dhe jo thjesht interesave momentale partiake dhe mendoj se në funksion të këtyre interesave detyrimisht duhet të gjendet dhe gjuha e bashkëpunimit mazhorancë-opozitë. Në çdo demokraci funksionale mazhoranca dhe opozita janë të “detyruara” të bashkëjetojnë dhe bashkëpunojnë edhe pse nuk e “dashurojnë” njëra-tjetrën. 

- Si vijim i kësaj, Edi Rama ka kërkuar një debat publik me kryeministrin Berisha, ndonëse vetë kish refuzuar më parë një gjë të tillë. Kësaj here ai që e refuzoi është z. Berisha. E shihni si një lojë mes të dyve, apo realisht populli shqiptar ka nevojë t’i dëgjojë një përballje mes tyre? 

Unë nuk marr përsipër të flas në emër të popullit shqiptar, por besoj se më tepër sesa për debate apo batuta politike, të cilat janë me shumicë në ekranet tona çdo mbrëmje, qytetarët shqiptarë kanë nevojë për ekonomi më fortë, shëndetësi më dinjitoze, edukim apo arsim më të mirë për fëmijët e tyre. Dhe këto nuk arrihen me debate për debat, por arrihen me bashkëpunim aty ku duhet bashkepunim dhe me opozitë të fortë aty ku duhet opozitë. Arrihen kur qeveria bën punën e saj dhe përgjigjet për mënyrën si e bën këtë punë, por edhe kur opozita bën siç duhet rolin e opozitës. Unë nuk e kuptoj se ç’të re do sillte ky debat dhe sa do të ndikonte në normalizimin e situatës politike. Nëse duam vërtet të kemi një debat të tillë, atëherë duhet të rifillojë dialogu politik, të rifillojë bashkëpunimi për ato reforma që kërkojnë dhe votat e opozitës, të rivendoset etika e komunikimit, respekti dhe besimi reciprok. Të gjitha këto do të bënin që në fushatën e ardhshme zgjedhore të kishim vërtet një debat të mirëpritur dhe nga qytetarët, debat në qendër të të cilit të jenë alternativat qeverisëse, dhe jo batutat apo etiketimet e rradhës për kundërshtarin politik. Z.Rama para pak kohe kërkoi ndjesë publike për ndryshimet kushtetuese të realizuara në vitin 2008. Gjykoj se do ishte e plotë kjo pendesë nëse do të pranonte dhe gabimin që z. Rama nuk e përfshiu emrin e tij në listat për deputet. Nëse z.Rama sot do të ishte deputet, atëherë ai do kishte mundësi ta bënte këtë debat çdo javë në sallën e Kuvendit, pa pasur nevojë t’i bënte ftesë publike kryeministrit. 

- Ka zëra nga selia blu që mendojnë se me hyrjen e vitit të tretë që qeverisjes së mandatit të dytë, është e nevojshme një rifreskim i qeverisë Berisha. Ju si mendoni? A ka ndonjë dikaster që duhet rifreskuar dhe cilët mund të jenë? 

Unë nuk e di cilave zëra i referoheni dhe argumentave që ata hedhin kur shprehen për ndryshime në qeveri. Unë do ta shtroja çështjen në parim, pa ju referuar asnjë ministrie dhe në këtë pyetje do më lejoni të jap saktësisht të njëjtën përgjigje që kam dhënë pak ditë më parë në një të përditshme të shtypit tonë. 

Nëse nisemi nga arsyetimi se me këtë koalicion dhe këtë qeveri morëm mbi 100 mijë vota më shumë në zgjedhjet lokale, atëherë kjo qeveri duhet të mbetet e pandryshuar deri në vitin 2013. Për mua ministrat që i përkushtohen punës, janë seriozë me pozicionin që mbajnë, punojnë për programin e qeverisë dhe jo për programin ekonomik personal, mund të qëndojnë në pozicion pavarësisht kohëzgjatjes. Ata që bëjnë të kundërtën duhet të largohen menjëherë. Nëse nisemi nga çfarë publikohet në media, jo thjesht e zezë mbi të bardhë por edhe me ngjyra, lidhur me afera të ndryshme, unë mendoj se morali politik i qeverisjes me duar të pastra e kërkon që të ketë ndryshime, dhe nëse nuk ka ndryshime, atëherë duhet të gjejmë ndonjë mbiemër tjetër për duart e qeverisjes sonë. 

- Ndërkaq, në zgjedhjet e fundit në PD për kryesinë e partisë, ju ishit ndër ato figura që mbetët jashtë saj, së bashku me ish ministrin Mustafaj. Çfarë shije ju ka lënë kjo dhe pse mendoni se ka ndodhur, kur ju jeni ndër figurat më të nderuara në PD? 

Së pari do të shprehja respektin dhe vlerësimin tim për të gjithë kolegët të cilët u zgjodhën në kryesinë e re. Personalisht, votimi i fundit për në kryesinë e PD-së më ka lënë një shije krejt normale. Nuk është se në këto zgjedhje ndodhi ndonjë gjë e ndryshme nga herët e tjera. Gjithmonë kur janë zhvilluar zgjedhje për në kryesinë e PD-së, ka pasur emra që kanë dalë prej saj, ka pasur emra të ri që kanë hyrë siç ka dhe emra të cilët nuk mbahet mend që kur kanë hyrë dhe vazhdojnë të jenë aty. Më i rëndësishëm se diskutimi mbi emra konkretë të cilët mbetën jashtë kryesie, është fakti se më në fund pas dy vitesh vonesë të pa shpjegueshme kemi një kryesi të re, por akoma nuk kemi sekretarë apo nënkryetarë të rinj. Kur them të rinj i referohem statutit të partisë, pasi funksionarëve aktual i ka mbaruar mandati këtu e dy vite më parë. 

- Zëra të ndryshëm flasin për grupe të ndara në PD, të cilat shumë shpejt do të dalin në dritë duke u larguar nga PD-ja. Këtë e ka konfirmuar së fundi edhe ish deputeti demokrat, z. Ngjela. A mendoni se ekzistojnë këto grupe? 

Zërat që ju përmendni, besoj se më tepër janë spekullime qoftë mediatike qoftë politike. Unë personalisht nuk merrem me zëra, por merrem me fakte apo ngjarje. Nuk di të ketë një tendencë të tillë, por ajo që mund të them është se ka njëfarë pakënaqësie të shprehur nga kolegë deputetë të cilët nuk e shohin veten të përfshirë pothuaj në asnjë vendimmarrje. Mosfunksionimi i strukturave të PD-së sipas statutit të saj ka krijuar një deformim në mënyrën e perceptimit të funksionimit të saj si forcë politike. Aktualisht pak a shumë në çdo qark ka nga një grup fare të vogël njerëzish të cilët pa as më të voglën transparencë apo informim të strukturave dhe të zgjedhurve lokalë, emërojnë apo ç’emërojnë drejtorë sipas interesave personale, bëjnë “marrëveshje” me aleatët lokalë në funksion të objektivave të tyre dhe jo në funksion të interesave të PD-së. Nga ana tjetër, nuk ndodh që strukturat të mblidhen, dhe në ato raste kur ato mblidhen as që bëhet fjalë të ketë diskutime mbi ide apo platforma politike. Pavarësisht këtyre, nuk gjykoj se bëhet fjalë për shkëputje deputetësh nga grupi ynë parlamentar. 

- A po zhvillohet brenda PD-së një luftë e heshtur për pasuesin e kreut të partisë, pas largimit të z. Berisha? 

Aktualisht PD ka një kryetar të zgjedhur në mënyrë legjitime nga kuvendi i fundit i PD-së dhe një diskutim i tillë më duket tepër i parakohshëm pasi mandati i tij përfundon pas dy vitesh. Sigurisht që një ditë z. Berisha do të largohet, dhe po me të njëjtën siguri PD do të ketë një kryetar të ri, i cili shpresoj të zgjidhet për shkak të meritave apo cilësive personale dhe jo si produkt i luftërave të heshtura apo të zhurmshme.

http://www.revistaklan.com/material.php?id=2001

7 Komente

Nje nga njerezit me te zote dhe gjithashtu te mire qe ka PD. Nuk cuditem aspak qe e thote ky nje gje te tille. Fatkeqesisht si shume te tjere para tij do behet viktime e mungeses se konkurimit brenda ne partite tona diktatoriale, i.e klanet. 

Driteroin e mbulojne me fyerje talibanet tek Tema, Oketen talibanet tek 55-sa.

Personalisht do të preferoja disa vota më pak si koalicion, por ne duhej të kishim fituar disa qytete të mëdha, duke përjashtuar këtu Tiranën e cila ishte vërtet një fitore e madhe.

Personalisht preferoj kshu, se te fitonin disa bashki ca figura te djegura te PD.

Nje nga politikanet, qe cdo parti duhet te ishte krenare, nese do ta kishte ne rradhet e veta, e pakta ne kryesi.

Do te ishte dicka e mrekullueshme, nese PD do te kishte edhe disa dhjetra njerez si Oketa, qe dine te artikulohen si Oketa, por edhe te kene etiken e tij. Atehere politika do te kishte nje faqe tjeter dhe gjerat nuk do te ishin  kaq te kokolepsura mes urrejtjes dhe sharjeve banale.

Nga te paktet qe ka brume te degjohet, edhe kuptohet lehte dhe nga uniformiteti i mendimit te komentuesve te mesiperm. Shume elokuent, i pakenaqur po jo hakmarres, kritik po jo destabilizues. Personalisht ka qene nje zhgenjim i madh moszgjedhja e tij ne kryesine e re te PD, jo se do te ndryshonte ne permbajtje, por ne forme. Gjithsesi, me gjithe veshtiresite dhe situaten emblematike ne dy vitet e ardhshme, nuk e shoh larg PD-se, sic po supozohet shume.

Une them te quhet "Na bashkoi halli i perbashket"

kam respekt per Z.Oketa .Eshte nga te paktet politikan shqiptare qe nuk te sjell  "acarrim " kur e degjon..smiley

Po kush e pyet kete dhe Besnikun ne PD,persa kohe te jene njerez si Berisha dhe Topalli ,ne krye?

Gazmend Oketa, me duket nje politikan moderator i PD, por qe nuk ka per te ngrene buke ne PD, persa kohe aty ekzistojne krokodilet dhe ujqerit e vjeter te politikes. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).