Ky artikull botohet me qëllimin për të shpalosur publikisht të gjithë rrugëtimin e së vërtetës së protestave të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Dhjetor të vitit 2010

 

Si dhe për t’i dhënë fund disa thashethemnajave mbi objektivat e saj të cilat shumëherë janë lakuar si të induktuara apo të politizuara nga struktura jashtë-studentore (nisur edhe nga shkrimi i Prof. Pajtim Lutaj disa ditë më parë në  një nga të përditshmet shqiptare)

Rikujtesë:

Studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Dhjetor të 2010 ndërmorrën një varg protestash që kishin të bënin me reformimin e sistemit arsimor shëndetësor. Ndër kërkesat kryesore ishin: ndryshimi i metodologjisë së mësimdhënies interaktive dhe nxitëse e mendimit kritik, ndryshime në infrastrukturën akademike, ngritjen e sallave të studimit dhe bibliotekave etj. Kërkesat e tyre tërhoqën vëmendjen e Institucioneve të Arsimit të Lartë. Si përfundim, u mbajt një mbledhje e veçantë në Rektorat me të gjithë këshillin e profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë ,nga ku u premtua për tu realizuar shumë prej tyre si kundërpërgjigje e presionit të studentëve për të hyrë në grevë urie.

Protesta, studentët dhe profesorët

Në Fakultetin e Mjekësisë kishte prej mëse dy vitesh që organizoheshin forma të ndryshme peticionesh. Protesta në vetvete ishte një finalizim i aktivizmave të vazhdueshme për të sjellë ndryshimin. Në Shqipëri është shumë e vështirë të bindësh njerëzit dhe t’i ndërgjegjësosh ata që të jesh aktiv në jetën politike dhe civile për të kërkuar atë që të takon,të drejtën tënde, është një nga elementët bazë të demokracisë. Duket që e kaluara jonë historike ka ngulur thellë në identitetin tonë  sjellje pjesërisht të pandërgjegjshme si frika, nënshtrimi ndaj sistemit, të mos kuptuarit të forcës tënde si celulë unike e ndryshimit të madh dhe çka është më e keqe, apatia. Të parat mund t’i luftosh,me kalimin e kohës shpërbëhen  nëse kemi katalizatorët e duhur të politikbërjes demokratike, ama apatia, ajo është vrastare. Si mund të luftosh Hiçin!

Si sa më sipër,pjesa më e madhe e studentëve e shihnin me skepticizëm të madh arritjen e ndonjë ndryshimi me shpresa të humbura ndaj sistemit dhe pesimistë ndaj të ardhmes, vazhdonin bisedat kafeneve a thua se prej andej do të vinte zgjidhja. Të tjerë nuk kishin forcën e duhur për të kaluar vetveten dhe për të mposhtur frikërat e tyre të brumosura në familje,dhuratë nga sistemi i mëparshëm. Disa, thjesht nuk njihnin alternativa të tjera duke u atashuar inercisht nëpër hallkat e sistemit; kategoria tjetër  e studentëve, bijë e bija të këtij të fundit, në pritje të së ardhmes së tyre të sigurtë, ndiheshin mirë në të gjithë këtë paçavure bile kundërshtonin me forcë çdo lloj ndryshimi.

I njëjti kategorizim reagimesh mund të vihej re edhe nga ana e trupës pedagogjike. Gjatë ftesave tona të vazhdueshme për të na mbështetur publikisht apo për të qënë aktivë në  vendimmarrjet e strukturave dhe për të përcjellë zërin tonë, shumë pak profesorë u përgjigjen. Të vetmit që na kanë mbështetur vazhdimisht , edhe publikisht, kanë qënë tre nga Profesorët tanë si Maksim Çela, Bashkim Resuli dhe disi Mentor Petrela. Në gazeta u botuan edhe pse shume kohë pas përfundimit të protestave, refleksione të ish profesorëve të tjerë të Fakultetit të Mjekësisë si Pajtim Lutaj, Isuf Kalo etj. Të tjerët limitoheshin në dhënien e këshillave,sugjerimeve apo pajtoheshin me kërkesat tona duke ndarë të njëjtin mendim në lidhje me gjendjen e mjerueshme të sistemit arsimor shëndetësor .Rreth 300 profesorët e tjerë pranuan në heshtje të gjitha ngjarjet e protestave te studentëve pa marrë asnjë përgjegjësi mbi vete dhe pa dalë asnjëherë në mbrojtje të tyre.

Ama e gjithë protesta u mbajt gjallë dhe u ushqye vazhdimisht me studentë të rinj që i bashkoheshin kauzës së përbashkët. Bëhet fjalë për të rinj energjikë, të talentuar dhe mbi të gjitha me aftësinë për të parë në perspektivë të ardhmen e tyre dhe të të gjithë vendit. Kur bëhet fjalë për profesionin e mjekut, shërbëtorit të jetës, obligimi është i dyfishtë,ndaj vetes dhe ndaj gjithë shoqërisë. Ishin pikërisht këta të rinj që me vizionin e përbashkët çuan përpara me guxim dhe durim të pashtershëm  të gjitha ngjarjet e protestave duke qëndruar fort sulmeve të herëpashershme mediatike,politike, atyre shoqërore apo presionit te pedagogëve në format nga më të ndryshmet.

Polemikat ndaj protestës

Shumë polemika janë ngritur për qëllimshmërinë e të gjitha ngjarjeve të Dhjetorit 2010. U lakua që mbi protestën e studentëve qëndronin eksponentë të tjerë jashtë-studentorë të cilët kërkonin medoemos shkarkimin e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë për përfitimin e tyre. Ata projektonin dhe nxitnin studentët në vazhdimin e protestave. Të tjerë i ngjyrosën politikisht  të gjitha ngjarjet duke i dhënë konotacione të ndryshme objektivave të protestës.

Është me të vërtetë për të ardhur keq që mentaliteti  ynë është kaq i cekët kur bëhet fjalë për gjëra kaq të rëndësishme. Nëse merr guximin dhe proteston, etiketohesh patjetër si mbrojtës interesash ndaj dikujt apo në rastin më të keq opozitar. Akoma kultura e të protestuarit,si një akt civiliteti, shihet si një akt personal ndaj një individi apo klani që ai përfaqëson. Kërkesa jonë për të shkarkuar dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, ka ardhur vetëm si rrjedhojë e pashmangshme e peticioneve të vazhdueshme që kishim zhvilluar në 2 vjet. Ajo ishte kërkesë ndaj një drejtuesi i cili nuk kishte plotësuar detyrat e tij si autoritet ne drejtimin e një institucioni dhe kishte dështuar në këtë qëllim. Kjo kërkesë, ndryshe nga  se është keqkuptuar nga disa, nuk ka patur as një lloj ngjyrimi politik dhe në asnjë rast nuk ka qënë e pamotivuar  dhe rrjedhimisht e nxitur nga persona që ndanin të njëjtat interesa.

Nuk mohojmë faktin që për shkak të mungesës së eksperiencës dhe dlirësisë së veprimeve tona të drejtuara dhe të ushqyera nga  të drejtat legjitime, kërkesat tona u instrumentalizuan nga persona që kishin interesa të tjera përfitimi apo personale e politike. Me përgjegjësinë më të plotë konfirmojmë faktin që në asnjë moment nuk jemi bërë pre e makinacioneve apo interesave të askujt, aq më tepër të ndryshonim rrjedhën e kërkesave tona nga faktorë të jashtëm.  Sa mund të jetë politike apo qoftë e induktuar nga dikush fakti që kërkon një mundësi formimi akademik më të mirë, që kërkon të bësh mësim në kushte të denja, që kërkon nxitjen e kërkimit shkencor siç i ka hije një institucioni shkencor në mbarë botën. Studentët e Fakultetit të Mjekësisë janë tepër largë atyre të vendeve të huaja dhe kjo është mëse e dukshme në vlerën e tregut që ka diploma jonë në tregun e punës. Ato që trumbetonim nuk ishin mashtrime apo gënjeshtra; ishin e vërteta  e trishtë që nuhatej ngado në Fakultetin e Mjekësisë.

Protesta dhe presionet ndaj studentëve dhe familjarëve të tyre

Gjatë periudhës së protestave drejtuesve të saj iu bë presion nga burime të ndryshme në nivel institucionesh dhe partiake. Për shkakt të lidhjeve familjare të dekanit aktual me eksponentë partiakë dhe qeveritarë, lajmi për protestat studentore u etiketua si një përpjekje e opozitës për të nxitur një revoltë studentore kombëtare kundër qeverisë. Ky etiketim vuri në lëvizje personalitete të rëndësishme të qeverisë por edhe te sektorit të shëndetësisë. Përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë morën takime të veçanta me drejtues të protestës së studentëve duke i bërë presion dhe ofruar para me forma të tërthorta. Nga ana tjetër, persona të tjerë në pozicione drejtuese në fushën e mjekësisë, por njëkohësisht edhe brenda fakultetit  këshilluan të ndërprisnim protestat në këmbim të bursave jashtë shtetit. Disa studentëve iu premtua marrja e provimeve në shkëmbim sabotimin e prezencës së tyre në protesta

Megjithë këto, në mëngjesin e hyrjes për në grevën e urisë nga 12 studentë, të gatshëm ishin vetëm 6. Në mbrëmje familjarëve të studentëve u ishin bërë telefonata ku i kërcënonim për pushim nga puna. Në mbledhjen e këshillit të profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë në Rektorat në po atë mesditë, kërkesa e shkarkimit të dekanit aktual nuk u diskutua në asnjë moment edhe pse ajo qe lakuar shumë gjatë kohëve të fundit. Kjo nënkuptoi që atij po i jepej një mundësi e dytë për të plotësuar të gjitha premtimet që nuk u mbajtën kurrë.

Ky është evolucioni natyral i protestave  në vendin tonë. Ata që ngrenë zërin përkundrejt padrejtësive apo një të drejte të mohuar, në rastin më të mirë, meqë çdo kush e ka një çmim,ia gjejnë menjëherë; në rastin më të keq, i kërcënojnë me metodat nga më të ultat. Kështu që bashkë me ta, varroset përkohësisht realiteti i hidhur, për të rilindur përsëri kur të mbushet kupa dhe dëshpërimi të ketë guximin të ngrejë krye. E mira personale është e lidhur pashmangshmërisht me të mirën kolektive, por mesa duket shqiptarët duan ende shumë kohë ta kuptojnë.

Më mirë lakuriq se me përparëse!

Sot, rreth 9 muaj me vonë, asgjë nuk është bërë nga ato që u arritën nëpërmjet protestës. Asgjë nuk ka ndryshuar ne Fakultetin e Mjekësisë, thua se koha ka ngelur në vend për këtë fakultet elitar. Profesorët janë disi më të ndërgjegjësuar nga fakti që mësuan se studentët dijnë edhe të reagojnë.

Gjithsesi është mjaft e qartë që për asnjërin prej tyre,pedagogjia nuk përbën një prioritet. Kjo shihet qartë në mungesën e dëshirës për të zhvilluar orë mësimi interesante interaktive ku nxitet mendimi kritik, në mungesën e pasionit  me te cilin përcjellin dijen tek brezat e rinj në transmetimin e artit të mjekësisë; përkundrazi  jo rrallë kanë një vrull egoizmi profesional për  të ruajtur monopolizimin e saj. Një profesor duhet ta quajë të përmbushur detyrën e tij sublime kur arrin të lërë pas vetes nxënës më të mirë se vetja. Është një hierarki sistemi e kalbur që nga themelet që kërkon një reformë të fuqishme në Arsimin e Lartë. Ajo që kuptuam nga eksperienca jonë është që asnjë nga hallkat institucionale  të Arsimit të Lartë nuk kishte si qëllimshmëri kryesore studentët dhe mirëqënien e tyre. Kjo vërtetohet me premtimet e paplotësuara apo me skandalet e njëpasnjëshme të konkursit të specializimeve në mjekësi, gjë që e kishim parashikuar edhe gjatë protestave tona.

Edhe këtë vit akademik, studentët e Fakultetit të Mjekësisë do të vuajnë të njëjtat problematika: infrastrukturë jo e përshtashme  akademike, biblioteka dhe salla studimi të munguara, libra prehistorikë, staf pedagogjik i pamotivuar, tarifa të shpallura në lek dhe euro për blerjen e notës apo katrahura e marrjes së këtyre të fundit me mjete teknologjike të cilat edhe pse u  deklaruan hapur nga lëvizja jonë, u përdorën edhe në sezonet e këtij viti bile me një frekuencë akoma më të madhe duke i dhënë shuplakën e fundit sistemit të meritokracisë. Turp që mbajmë këtë përparëse veshur!

http://www.almedicus.org/

 

4 Komente

emblematike..

lol nga titulli kujtova se edhe tek ne kishin filluar stili i nude proteste si ne atdheun e Julia Timoshenko, por u gabojta smiley 

shkrim me me vlere reale...

titull zhgenjyes, kujtova se behej fjale per perparse tip uniforme Holloween-i

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).