Na ish nji herë Lee (Ali) Pazari, hamall nga më të dashurit në Tiranë. Askush më shumë se ai s'e kish merituar ndonjiherë krahasimin e bukur në shqip me "paren e kuqe".

Na ish nji herë Lee (Ali) Pazari, hamall nga më të dashurit në Tiranë. Askush më shumë se ai s'e kish merituar ndonjiherë krahasimin e bukur në shqip me "paren e kuqe". E hasje ngado nëpër qytet, bile edhe nëpër ato rrugicat e ngushta me avlli qerpiçi që edhe vendalitë duhet të mendohen pak se ku të nxjerrin. Kur e rastisje përkarshi nuk harronte me të pyet edhe për vëllain në Gjermani. E s’kish pikë rëndësie në qoftë se vëllai mund të ishte dy hapa larg teje apo duke vjel fikun te oborri, Lee-ut nuk i hynin shumë në xhep hollësitë e jetëve të të tjerëve. As nuk i veje dot faj. E gjithë qenia e atij robi ish mbërthyer nga nji mbëhi e vetme; donte si-a-si të shumëfishonte kohën që i kish vënë menjanë Zoti. Kjo, jo se ish i dehur me jetë, a ndonji arsye tjetër të vetrëndësishme. I shkreti bëhesh copash vetëm e vetëm për atë nevojë elementare të ekzistencës njerëzore. Punonte ditë e natë që të kthente kohën në punë e punën në të holla, e megjithatë më larg se kurrë veniteshin prej rrezes së tij të mirat e kësaj bote. Sikur stërmundimi të qe i vetmi shteg që shkonte përmes e tërthor rrangalles së Brakës, hamalli më i famshëm i saj do ish shëmbëllimi i parë i kësaj aksiome. 

Vetëm mbiemri i sajuar do të kish mjaftuar që ai rob të ngulitej ndër mend për kushedi sa kohë, por Lee-u do të tejkalonte dalëngadalë çdo hije parashikimi. Profili i tij filloi të zmadhohesh aq sa dhe cilësimi i përgjithshëm i pazarit nuk i bënte dot më. Fytyra e njohur që shfaqesh gjithkah u bë po aq e zakonshme sa dhe sfondi që e rrethonte, e hamalli kthye në nji nga ato paraqitjet e shpeshta që edhe pse të përsëritshme të sjellin ndër mend shtjelljen pafund të jetës. Rendte me kalë  nganji vend te tjetri e shkurtonte si me magji përmasat e qytetit. Ndaj kur e takoje ishte gjithnji me ngutë. Nganjiherë të përshëndeste nga maja e karrocës, ku në këmbë si tek ‘L’America' i Gianni Amelio-s, trunte me gjithfarësoj fjalësh kalin, e zhdukej përfundimisht përtej horizontit duke ja kaluar dhe autobusëve.

Në kohë të tjera Lee-u do kish qenë shumë lehtë pronar sqimtar i ndonji pajtoni të hijshëm e ndonji pele bojë hini. Buzagaz do shëtiste me to gjatë Lanës turistë kureshtarë e të ngeshëm derisa të lodhej, por ç’e do që shartet e robit janë tundur aq shumë në kupë të jetës sa dhe e kotë të hamenden. 

Tash hamalli buzagaz bënte gjithfarësoj punësh që t’i dilnin përpara. Të dielave për shembull e kishe roje ke stadiumi. Gjindja i lëshonin të shkujdesur biçikletat e mësynin me vrull portat, ndërsa ai shtinte në xhep nga nji pesë-lekësh për secilën dy-rrotëshe, palonte ato me kujdes te stendat kah Dhjetësha e Tiranës, dhe kur stadiumi ish mbushë plot-e-përplot shijonte 90 minutat më të qeta të te gjithë javës. Shtyllat e betonit jashtë stadiumit ishin vendi i fundit në botë ku mund të bitisje qetësimin, por Lee-u ndryshe prej të tjerëve ish bekuar me mospërfillje për çka ndodhte jashtë qarkut të ngushtë të vetes. E kur më vonë përrallisjet e tij filluan të pëshpëriten lart e poshtë nëpër qytet atëherë ish i sigurt që ai njeri kish zënë vend në imagjinatën e shumë të tjerëve. 

Nji ditë mbas ndeshjes nji tifoz vjen të  marrë biçikletën por nuk e gjen aty e pyet Lee-un!

-Lee-o ku është biçikleta

-Shif shif se aty e ke - pergjigjet i bindur Lee-u

 Po ky robi këmbënguli nje tre-kater here te tjera se dhe Lee-ut i mbushet mendja se biçikletën  e kishin përrla me vërtet,

e i zënë ngushtë kthehet këtij i thotë:

-          por mirë, ta paskan vjedh, ç’a të boj un ty nashi

dhe fut doren në xhep e i drejtohet prap:

-          nji pra ku e ke ene pesë lekshin tat.

Shkurtimet e jetës së Pazarit duhet të paralajmëronin me kohë për sish zgjidhje qesharake. Lehtësia me të cilën hidhet poshtë ujdia e mëparshme është njikohësisht palidhje dhe komike. Më kot ai kërkon të kthehet prapa në kohë e të shpagojë zotninë me të njëjtin pesë-leksh me të cilin u lidh për fjalësh para pak kohe. Në kësi përplasje absurdi mangësitë e hamallit dalin sheshit e mund të shihen prej gjithësecilit.

Më me zor dallohen llogaritjet e tij mbi vlerat e jetës e kohës. Paga e zakonshme 5 lekë për 90 minuta vulos në mendjen e tij ratën e të gjitha shkëmbimet e tjera me mëditje. Lee-u mund të qe shitur lirë por ky zhvlerësim justifikohesh deri në nji farë mase. Prania e tij, megjithëse ngado e ndjeshme e gjithmonë e dallueshme, ish më tepër ish nji prezencë fizike sesa mendore.

Veçse prani të tilla drejtonin vende edhe më të rëndësishme sesa stendat e biçikletave ke stadiumi. Kryeministri i fundit komunist shqiptar Adil Çarçani, ndonëse nji prani gjithandej e dukshme, rrezatonte me tepricë boshllik nga çdo lloj mendimi. Imazhi i tij, më pak i dashur se brakaxhiu, varesh si rikujtim i përhershëm përkeqësimi nëpër çdo faqe zyrtare. E ndryshe nga hamalli kjo prani ishte e pamundur të përkthehej në ndonji gjësend tjetër me ndonjifarë kuptimi. Në fakt Çarçanit nuk i shquaje dot asnji shenjë jete. Shprehja e cemtë e kryetarit i ngjante më shumë me nji prerjeje nga skeçet e Paul Whitehouse në ciklin Harry and Paul, ku fytyra e prishur prej byro-politiku zbehte në gri çdo gjë që kishte pranë. Aq e fortë ish idhësia e kësaj gjasimi sa fotot e Çarçanit nëpër zyrat e  kryeministrisë shqiptare mund ishin të zëvendësuar fare mirë nga këto prerje subliminale, e askush ne botë s’do kish vënë re ndonji lloj ndryshimi.

I njohur edhe si Tao –Tao, mbase jo për shkathtësinë e tij seksuale, kryeministri qëndroi shumë gjatë në kulmin e shtetit shqiptar, çka e bëri mefshtësinë e këtij robi edhe më mahnitëse.

Mirëpo as antromorfoza me pandën kineze e as zbrazëtia në mendim e kryetarit nuk janë ndonji gjë e re që mund të lenin vragë. Edhe shumë të mundoheshe  do e gjeje të pamundur të qëmtoje ndonji gjë që mund të justifikonte përmendjen e këtij bajat njeriu. 

Por baraspesha mes harresës e kujtesës lëkundet në fije të perit. Prania e kryetarit u bë edhe nji herë e ndjeshme kur suficiti heroik i kryeministrit të fjetur doli papritmas drite. Larg përfytyrimit të zakonshëm të heroit vetëmohimi i ngulmuar në këtë person ish aq i pamasë sa disa nga medaljet më të larta të tij filluan të qarkullojnë së fundi në treg për shitje. E nuk bëhet fjalë për inflacionin medaljesh heroizmi të njerëzve të zhgënjyer që mërsyen internetin në ethet e reja të arit heroik, e as për kritere të dyshimta si ato medalje të nënës heroinë.

Këtë herë behet fjale për dekoratën më të lartë dhënë kryetarit të shtetit.

$ 2,700 mund të sigurojë nji nga urdhrat më të lartë që lëshonte regjimi, Yllin e Heroit të Punës Socialiste. Dekorata më interesante sesa bartësi është kopje identike e atyre sovjetike, 20 karat florini, e shtypur më 1987 me rastin e 65 vjetorit të Kryeministrit. Të bashkangjitur e shoqërojnë dhe dëshmitë origjinale të nënshkruar nga Kryetari tjetër Ramiz Alia dhe Sekretari Neshat Tozaj. 

Por edhe pa ja zbritur vlerën e arit të medaljes, duket se çmimi i 20 viteve të gjatë në zyrë është shumë më e ulët se mëditja pa pretendime e Pazarit. Ky varg kryetarësh e sekretarësh të mbuluar me kreni të rreme, duket sikur dhe vetë nuk kanë besuar çfarë për 50 vjet predikuan. Ballë tyre Lee Pazari qëndron njiqind herë më i vërtetë e njerëzor.  

Pazari ndershmërisht punoi duke u rropatur, ndersa ata me me zell maniakësh zhvlerësuan kohën përtej vlerës së punës se nji hamalli, dekoruan njëri tjetrin për ngrirje fytyre, certifikuan mandej medaljet që ja dhanë vetë vetes, e më në fund i shiten për t'i shkëmbyer me dollarin e ndytë që kurrë u betuan mos të preknin.

E duke nxjerrë tregut atë çfarë vetë kalitën e përfolën si të vërtetë absolute e të përhershme, lanë pa pajton edhe buzëgazin tonë të dashur Lee Pazari.

 

7 Komente

Se kam njoh Liun por kjo ja vlen:

Por edhe pa ja zbritur vlerën e arit të medaljes, duket se çmimi i 20 viteve të gjatë në zyrë është shumë më e ulët se mëditja pa pretendime e Pazarit. Ky varg kryetarësh e sekretarësh të mbuluar me kreni të rreme, duket sikur dhe vetë nuk kanë besuar çfarë për 50 vjet predikuan. Ballë tyre Lee Pazari qëndron njiqind herë më i vërtetë e njerëzor.

 Kryeministrat e sotëm ja dinë mirë vlerën kohës së punës së kryeministrit dhe  paguhen dhe qesim e pa dekorata por për Liun s'ka as pajton as turista .

Admina with all the respect ..ketu pu vun realiteti  qe zien me plot tema sh te rendesishme  dhe ju na vini fosile historike ..me habitet 

Do shkruaja ndonje gje per cucat gjithmonegati, dmth te permanentangazhuara me ceshtje te rendesishme, po nuk ma ben zemra. smiley

smiley

Bej, i lexoj zakonisht me qejf gjerat qe shkruan, po ketu nuk ke qullosur gje. smiley Dhe per me teper emri i hamallit ka qene Ali, thirresh shkurt Li, duke i hequr a-ne e pare. Korrektesisht duhet ta shkruaje 'Li Pazari. Dhe ne lakim behet Liu. Kurse me Lee mund te besh vetem karate.smiley

Mire qe na e sqarove PF se po e shifsha edhe ne foto po s'po me dukshe si kinez?smiley

Po se ku e ka lidhjen Liu, me Adilin, ket nuk po e kuptoj.... Ne te gjitha kohrat dhe ne te gjitha shoqerite, ka pas dhe gjithmone ka per te pat edhe Li dhe Adil, kjo nuk osht nai gjo e veçante.....

Bej, asgjo te re nga fronti i perendimit.......smiley

""Të bashkangjitur e shoqërojnë dhe dëshmitë origjinale të nënshkruar nga Kryetari tjetër Ramiz Alia dhe Sekretari Neshat Tozaj.""

Per te qene korrekt me te verteten , ne shkrimin e mesiperm ka nje lapsus. Sekretar i Kuvendit nuk ka qene Neshat Tozaj , por SIHAT Tozaj. farefis i Neshatit

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).