Kreditë në lekë do të jenë më të përballueshme me normat e reja

Lajm i mirë për ata që duan të marrin kredi në lekë dhe i keq për ata që kanë depozita në monedhën kombëtare nëpër banka. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë uli dje normën bazë të interesit për lekun me 0.25 për qind duke e zbritur atë në 5 për qind. Vendimi merret me qëllim rritjen e aktivitetit kreditues të bankave si dhe të qarkullimit të parasë në treg pas uljes së treguesve të inflacionit gjatë muajve të fundit. “Lehtësimi i politikës monetare synon të krijojë kushte monetare të përshtatshme për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit, si dhe të nxitë aktivitetin ekonomik nëpërmjet stimulimit të konsumit dhe të investimeve në vend”, – shpjegoi dje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Ulja e normës bazë të interesit do të favorizojë kreditë në lekë duke ulur normat e interesit për këto të fundit. Ky është edhe qëllimi kryesor i bankës për të rritur qarkullimin e parasë në treg si dhe stimulimin e kreditimit. Përkundër favorizimit të kreditimit, ulja e normës bazë të interesit për lekun do të ulë edhe përfitimet për ata që kanë depozituar para në banka. Këta të fundit do të jenë më të prirur që t’i investojnë paratë. Të paktën kjo është ajo ç’ka synohet, pasi nxitja e investimeve mbart një mori faktorësh të tjerë, në të cilët duhet ndërhyrë.

Të pasigurt për të ardhmen, qytetarët zgjedhin shtyrjen për një kohë më të përshtatshme të investimeve duke i ruajtur paratë. “Konsumi dhe investimet janë mbështetur nga kreditimi i sistemit bankar, por rritja e tyre kushtëzohet nga hezitimi në kryerjen e shpenzimeve”, – tha Fullani. Një fenomen i tillë ka bërë që të ulet aktiviteti ekonomik i vendit, ç’ka pasqyrohet edhe nga mos realizimi i të ardhurave nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar përgjatë muajve të shkuar.

Më shumë se me një ndikim direkt në ekonomi një masë e tillë është më shumë një sinjal ndaj aktorëve të tregut, siç janë bankat, sipërmarrjet e mëdha, etj, për të thënë që Banka e Shqipërisë është duke ndjekur zhvillimet në tregje. Ndikimi i një ulje të tillë, nuk pritet të vërehet në një afat të shkurtër, por tregon trendin e ekonomisë dhe orientojnë politikat e aktorëve të treg.

Një vendim të tillë, Fullani e kishte paralajmëruar një muaj më parë në konferencën e fundit për shtyp, ku theksoi se vendit i nevojitet një stimul i ri ekonomik. “Në të ardhmen e afërt, tendenca rënëse e inflacionit dhe zhvendosja në kahun rënës e balancës së rreziqeve mund të krijojnë premisa për një rishikim të politikës monetare”, – do të shpjegonte ai në konferencën e fundit për shtyp. Ky vendim vjen direkt pas treguesve të uljes së inflacionit dhe aktivitetit të ekonomisë. INSTAT konfirmon se inflacioni gjatë muajit gusht ishte 3.1 % me një ulje të vazhdueshme që prej majit të këtij viti.

Formimi i inflacionit

Rritja e çmimit të ushqimeve është një ndër përbërësit kryesorë të inflacionit në vend. Ndikim në rritjen e përgjithshme të çmimeve pritet të ketë edhe rritja e taksave për karburantet

65 % Ushqimet
35 % Transport, qira, veshje, etj

Shqiptarët ngurrojnë të shpenzojnë

Ulja e konsumit është një ndër treguesit më problematik që po has sot ekonomia shqiptare. Për muaj më radhë, në raportet e Bankës së Shqipërisë pasqyrohen të dhëna që tregojnë për ulje të konsumit dhe pasiguri të qytetarëve tek ekonomia duke i shtyrë shpenzimet për një periudhë tjetër. Vazhdimisht, Guvernatori Fullani ka deklaruar se ekonomia shqiptare po zhvillohet nën kapacitetin e saj duke i bërë njëkohësisht thirrje konsumatorëve që të rrisin shpenzimet. Një gjë të tillë ai e bëri edhe dje duke konfirmuar të njëjtët tregues. “Konsumi vijon të vuajë nga pasiguria e perceptuar nga familjet shqiptare, duke i shtyrë ato të rritin normën e kursimit megjithëse të ardhurat agregate shfaqen në rritje. Ecuria einvestimeve private vlerësohet të ketë qenë e ngadaltë në periudhën në fjalë, por ajo ruan norma pozitive rritjeje”, – shpjegoi ai. 

10 Komente

help: kur thuhet se "INSTAT konfirmon se inflacioni gjatë muajit gusht ishte 3.1 % me një ulje të vazhdueshme që prej majit të këtij viti" dmth krahasohen periudhat Gusht 2010 me Gusht 2011 apo?????????

Nuk eshte specifiku ne artikull po aty permenet inflacioni vjetor. 3.1 dmth gusht 2011/gusht 2010. Ne renie se prej 4.2 qe ishte ne maj (dmth maj2011/maj2010), shkoi 3.9 ne qershor, 3.6 ne korrik dhe 3.1 ne gusht. Artikullshkruesi ka dash me permen ecurine e ndryshimit vjetor te ICK, nuk eshte mor fare me ndryshimet mujore.

Norma baze e interesit e Bankes se Shqiperise eshte 5%? Kur te arrije aty te 1.5 ose 2% flasim. Ku jane dhe ku do levizin ne keto kushte normat e 'verteta' te interesit, dmth normat e interesit te bankave te nivelit te dyte, aty ku individet dhe bizneset shkojne per te marre hua?
Me bejne syte mua, apo aty ne paragrafin e fundit Fullani 'kritikon' publikun qe kursen me shume se sa duhet? Di njeri sa eshte perqindja e shpenzimeve konsumatore ne PBB te Shqiperise tani?

Gjo e keqe kur nisesh me paramendim. Kshtu sic e ke fillu muhabetin, cardolloj numri te te thone do thujsh qe eshte shume. Mire eshte me i dhone konsideratat masi merret ndonje e dhene.

I vetmi paramendim qe kam eshte per menyren si paraqitet artikulli, dmth pa informacionin ndihmes qe do t'a bente te mundur venien ne kontekstin e duhur dhe nxjerrjen e konkluzioneve. Pyetjet ishin pikerisht per te qartesuar kontekstin. Ceshtja nuk eshte nese eshte shume ose pak, ceshtja eshte c'fare ndikimi kane masat e marra, dmth ku dhe ne c'mase kane potencial per te ndikuar ne ekonomi. Per momentin, pas leximit te ketij artikulli nuk thua dot asgje.

Te dhenat e konsumit duhet t'i publikoje Instati kur publikon PBBne. Nqs konsiderohen te dhena te terthorta, duket qe ka nje frenim te rritjes, pra nuk po shtohet konsumi, por po qendrohet ne nivelet e njejta te nje viti me pare.

Paragrafi i fundit eshte i sakte - ulja e konsumit ka efekte negative ne biznese e pastaj ne aktivitetin ekonomik ne pergjithesi, papunesi, biles dhe ne uljen e te ardhurave buxhetore etj.

Sa per uljen e normes baze te interesit le te shohim sa efekt do te kete. Ne shqiperi percjellja e politikes monetare te BQ ne tregun financiar ka qene pothuaj gjithmone e dobet apo vonuar.

Ndonse nisma e BQ eshte me vonese, prap them me mire vone se kurre. Edhe kur plasi kriza me 2008, dhe te gjitha bankat qendrore perendimore dhe lindore, ulen normen e interesit, BQ shqiptare nuk po levizte, biles po thoshja se pse po ngurojne, kur aty nga fundi i 2009 a 6-mujori i pare i 2010, (ne mos gaboj) BQ e uli me 0,25 pike, nderkoh qe bankat qendrore perendimore e kishin ulur tre here gjer me ate kohe. As une nuk e kuptoj se pse ky ngurim, ndoshta Fullani ka shpresuar fjalet e Buall Mavrise se, Shqiperia nuk preket nga kriza. 

Sa per renien e shpenzimeve, kjo po ndodh ne shum vende, ca nga frika e krizes ku njerzit fillojne e kursejne per diten e keqe, ca nga renia e fuqise blerse nga papunsia, tkurrja e ekonomise ne pergjithesi (me pak produktivitet, me pak rroga, me pak shit-blerje etj) , e kjo pune keshtu vazhdon si nje reaksion zinxhir ne krahun negativ. 

E kam thene para 2 vjetesh, ketu ne nje koment, se; njerzit duhet te blejne e te blejne. Pra te shpenzojne per te shpetuar njeri-tjetrin. 

Pjer, nuk mund te pretendosh qe te sherosh cdo smunje me te njejtin ilac. Keshtu nqs kur te dhemb koka merr aspirine, nuk eshte e thene qe edhe kur ke nai smunje tjeter, si p.s: majasillin te marresh prap aspirine. Nuk besoj se do te punonte. (nuk jam 100% i sigurt se nuk flas dot nga eksperienca personale, po shanset jane shume te medha qe nuk do punoje).

Nuk e di a ke nai informacion per ecurine e depozitave ne Shqiperi ne 2008, apo hajt tja fusim nji here ksaj normes, se eshte ne mode!

Pjer, norma e inflacionit brenda targetit, rGDP ne nivelin e 3-4% vjetore qe eshte ok, per c'arsye duhe te kete ulje drastike te normave? Mua me duket levizje e drejte, mbase duke parashikuar ndonje shock te vogel ne 12 muajt ne vazhdim. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).