Ligji për plehrat, pas miratimit në Parlament, pritet të dekretohet ose jo nga Presidenti në datën 8 tetor. Justifikimi zyrtar për kalimin e ligjit për sjelljen e plehrave nga jashtë është “nevoja për plehra-lëndë e parë e bizneseve që merren me riciklim”

Nga ky vëzhgim që po botojmë sot (e gjeni te plote poshte ketij komenti) del se ky motiv është i rremë, dhe me shumë gjasa, është thjesht koperturë për qëllime të tjera. Pse?

- E para, ata që riciklojnë plehrat shqiptare janë deri në fyt me “lëndë të parë shqiptare” nga një mekanizëm i vetëndërtuar që nis nga mbledhësit e plehrave e deri tek grumbulluesit dhe ricikluesit. Madje jo vetëm kaq, por mbi 40 përqind e mbetjeve që groposen në fushën e Sharrës janë të riciklueshme, ama vetëm 20 përqind e tyre arrijnë të riciklohen dhe 80 përqind e lëndës së parë të riciklueshme vetëm në Tiranë, ne e groposim. Me fare pak sforco, shteti “shqiptar” nëse do ishte vërtet i interesuar për “inestitorët shqiptarë të riciklimit” mund të shmangte groposjen e këtij 80% dhe t’u plotësonte atyre “kërkesat” nëse ka vërtet të tilla.

- E dyta, bizneset tona të riciklimit, nuk janë investime që përballojnë të gjitha fazat e riciklimit. Ato kryejnë njërën pjesë të procesit dhe pjesa tjetër e punës, bëhet në Kinë, Greqi etj. Por edhe sikur të ishin plotësisht të afta për procesin, si është e mundur që një vend si Italia (që bashkë me Gjermaninë dhe Zvicrën) ka industrinë e riciklimit më të sofistikuar në Europë të preferojë fabrikat shqiptare dhe jo ato të vetat?!

Atëherë lind pyetja: Nëse ne kemi vetë rezerva të mëdha ende të pashfrytëzuara për riciklim dhe nëse ricikluesit tanë ende nuk kryejnë të gjithë procesin e plotë, pse këmbëngulet kaq shumë dhe çfarë duan plehrat e Italisë dhe ato të vendeve të tjera të Europës në Shqipëri? Këtë e dinë më mirë plehrat me dy këmbë. Kurse ne dimë pasojat. E nisim nga më e vogla:

- E para, plehrat e huaja do vijnë këtu dhe do depozitohen. (Ligji i ri lejon depozitimin, gjë që më parë ndalohej). Male të tëra plehrash do krijohen gjoja “në pritje të riciklimit”. Jo më kot, Italia ka hartuar një studim të habitshëm për vendet dhe qytetet ku mund të ngrihen vend-grumbullime plehrash në Shqipëri. Të mos harrojmë që ajo është nën penalitete të forta nga BE për situatën e plehrave; pikat e mëdha të grumbullimit kanë mbyllur afatet e lejuara; asnjë qytet italian nuk pranon më të ngrejë pika të tilla afër.

- E dyta, dhe më e rënda, hapja ligjore e rrugës për hyrje masive plehrash, cilido qoftë justifikimi për to dhe sido që të quhen nga “ligjvënësit” idiotë e të shitur të Shqipërisë, krijon kushte për futjen në lojë të trafikantëve të mbetjeve të rrezikshme. A ka ndonjë që beson realisht se në doganat shqiptare mund të ketë seriozitet dhe efiçensë në kontrollin e plehrave? Shqipëria është një vend ideal për këta trafikantë. Kosto të ulta transporti, korrupsion i lartë, politikanë pa atdhe. Roberto Saviano, një njohës i jashtëzakonshëm i mafias na paralajmëron: “Çdo minierё e braktisur do tju shndёrrohet nё njё vendshkarkimi mbeturinash, cdo fabrikё e braktisur do tju shndёrrohet nё njё magazinё plehrash. Italia po sheh, (dhe jo vetёm Italia mafioze), po sheh nё territorin shqiptar njё mundesi pёr mbeturinat. Sa mё shumё dёshirё do kete pёr tё bёrё kete nga ana e shqiptarёve, aq mё eksponencial ёshtё rreziku gjeografik, biologjik, natyror pёr Shqipёrinё. Pas pesё vjetёsh ne do tё takohemi pёrsёri dhe do tё themi se si vallё periferitё e qyteteve shqiptare, fshatrat shqiptare janё plot me mbeturina toksike, mbeturina italiane, mbeturina ballkanike. Pra, bёni shumё kujdes! Bёni kujdes me kёtё qё po ndodh!..”.

Po kujt i flet? Kush dëgjon më në këtë vend? Shpresojmë të dëgjoj së paku Presidenti në 8 tetor!

_____________

 

Ferr-parajsa e Sharrës

Kristi Pinderi & Entela Resuli

Në orën 23:30 minuta, në një rrugë pranë Fakultetit Juridik në Tiranë, Eraldi, një i ri rom 24 vjeç ndalon biçikletën e vet dhe nis të grumbullojë kanoçet në kazan. “Punoj çdo mbrëmje 4 orë apo maksimumi 6 orë”, – pohon ai. Këtë punë e ka nisur që kur ishte 9 vjeç, pra 15 vjet më parë. Klasën e tretë mezi arriti ta merrte atë vit, por më pas nuk e preku më asnjëherë pragun e derës së shkollës.

Sipas një studimi të Forumit të Pavarur të Gruas Shqiptare, mbi situatën njerëzore dhe sociale në landfildin e Sharrës, rezulton se të paktën 56 për qind e fëmijëve që punojnë në Sharrë për grumbullimin e plehrave të riciklueshme sëmuren në mënyrë të vazhdueshme, pasi mbeturinat i kapin dhe i mbledhin me dorë, ose në raste të veçanta mund të përdorin ndonjë shkop. Pjesa më e madhe e atyre familjeve që jetojnë dhe punojnë në Sharrë nuk rezultojnë as të regjistruar në Gjendjen Civile. Mbi 90 për qind e fëmijëve të pyetur në këtë sondazh të kësaj organizate pohojnë se kanë të paktën edhe nga një person tjetër në familje që merret gjithashtu me këtë punën e plehrave, gjë që konfirmon faktin se ky është shndërruar në një biznes familjar për këtë komunitet. Një inxhinier i mjedisit në Sharrë na pohoi se duhet të ketë të paktën 200 persona të ndryshëm që punojnë çdo ditë në Sharrë, që do të thotë se duhet të kemi të paktën mbi 100 apo mbi 120 familje që merren me këtë punë.

Eraldi, bisedon me ne për punën që bën, ngaqë beson se ne interesohemi për të hapur një pikë grumbullimi për aluminin (në këtë shkrim ne po përdorim emër të rreme, për të ruajtur konfidencialitetin). “Bëj 10-15 mijë lekë të vjetra çdo mbrëmje”, – thotë ai.

Alumini, pra kanoçet e pafundme të pijeve që ne konsumojmë çdo ditë, janë dhe më të shtrenjtat për këdo që merret sot me riciklimin e tyre. Aldo, 28 vjeç, një tjetër i ri që punon çdo natë duke grumbulluar kanoçe së bashku me të vëllanë, tregon se çmimi për çdo kilogram alumin varion nga 90 deri në 110 lekë (të reja). “Duhet të kesh sa më shumë material për ta shitur, pasi çmimi është dhe më i lartë në rastet kur çon më shumë peshë”, – pohon Aldo.

Në të vërtetë ka dhjetëra e dhjetëra pika grumbullimi të dorës së parë në kryeqytet. Funksionon në këtë mënyrë: Pika e parë e grumbullimit, nëse nuk ka një fabrikë të mirëfilltë riciklimi, e shet te një pikë e dytë, me çmim më të lartë, kjo e dyta te një e tretë, me një çmim edhe më të lartë derisa çmimi i hekurit, gizës, aluminit, i metalit në përgjithësi, i plastikës, i letrës, i qelqit etj., arrin çmimin real të tregut.

Brenda fushës së tmerrit, të punosh mbi një bombë

Ta shikosh landfildin e Sharrës është një përvojë që nuk të shqitet lehtë nga kujtesa. Ta vizitosh atë, është një përvojë që të shokon! Është e tmerrshme të shikosh gra shtatzëna që punojnë atje, fëmijë, pleq, burra të dobët e të sëmurë që mezi mbahen në këmbë! Është si një skenë e papërshkrueshme filmi, ku një njeri i zakonshëm shikon brenda pak sekondave një skemë të mirëfilltë skllavërimi në kohë moderne, një fotografi gri që të pengon më vonë të shikosh ngjyrat e kryeqytetit që ndodhet aty, disa qindra metra larg e që nuk e ka as më të voglën ide se çfarë ndodh në periferi.

Para se ta shihnim vetë këta na e pohuan aktivistë të ndryshëm të shoqërisë civile që janë marrë me këtë segment. Diçka tjetër sërish e habitshme është që pothuajse të gjithë njerëzit e tjerë me të cilët biseduam para se të shkonim vetë në fushën e Sharrës, refuzuan të tregonin identitetin e tyre.

“Hajde shkojmë tani të kuptojmë se çfarë po ndodh”, – i them njërit prej tyre një mbrëmje në Tiranë. “Je në vete ti? E kupton se çfarë po thua, apo jo? Unë hyra me gjithë ato rekomandime atje dhe sërish më ndoqën me një makinë të madhe me xhama të zinj, pasi dola, derisa mbërrita në shtëpi!”

Sapo del nga makina e parkuar në landfildin e Sharrës, duhet të vesh duart në hundë, për shkak të duhmës së keqe që të pushton menjëherë. I pari që takojmë në fushën e plehrave në Sharrë është një 26 vjeçar nga Kamza, i cili ka filluar të punojë te plehrat në Sharrë 2 vjet më parë e vazhdon të bëjë të njëjtën gjë edhe sot. Mes gishtave mban ndezur një cigare. “Kam dy djem, të madhin 1 vjeç e gjysmë, të voglin 2 muajsh”.

Ai nuk është i vetmi në atë fushë ku sheh qindra njerëz që turren përpara maunës sapo ajo bën derdhjen e plehrave. Era e tyre të mbyt, por për ata që punojnë aty ky nuk është problem, pasi janë mësuar. Disa turren me një shkop me gjilpërë në majë, që u mundëson të tërheqin materialin që kërkojnë, lehtësisht nga grumbulli masiv.

Kamionë, ekskavatorë, çapitje të “kërkuesve” në kërkim të plehrave të riciklueshme, kjo është panorama e zakonshme atje që fillon nga ora 4 e mëngjesit, deri në orën 2 të mbrëmjes pasardhëse.

Momenti më i rëndësishëm është kur shkarkohet kamioni me plehra që vjen nga Tirana. Të gjithë janë rreth e rrotull tij, gati sa nuk mbulohen nga plehrat në momentin kur kamioni i shkarkon ato. Janë aq të shpejtë sa i shpëtojnë edhe ndonjë derdhjeje të menjëhershme të mbeturinave. Ashtu si në çdo vend punë edhe të punosh aty ka xhelozi se kush grumbullon më shumë…

Pasi kamioni shkarkohet, kolektorët (mbledhësit) fillojnë të mbledhin materialet që u nevojiten ( Kartonë, plastikë, shishe plastike, material metalike si shufra alumini, bakri, çeliku etj). Këto materiale, pasi i grumbullojnë i shesin tek ndërmjetësit e firmave ricikluese. Këta të fundit janë stacionuar atje, m’u në mes të landfildit ku kanë vendosur peshore, të cilat peshojnë thasët me plehrat, të ndara tashmë në thasë të veçantë.

Dita e punës e një punëtori shkon te 40 mijë lek të vjetra. Shumë prej tyre kanë edhe dy pjesëtarë të tjerë apo më shumë nga familja e kësisoj të ardhurat familjare arrijnë edhe 120 mijë lekë në ditë apo më shumë, e duket se përpos lodhjes ata shkojnë të kënaqur në shtëpi, ndonëse gjithmonë tentojnë të tregojnë më pak të ardhura se sa realisht fitojnë. “Për një gjë jam i vetëdijshëm”, – shprehet punëtori 26-vjeçar nga Kamza, “që nëse unë e vazhdoj gjatë këtë punë, kur të shkoj 40 vjeç me siguri që do të kem vdekur”. Të sëmurë atje ka plot. Vuajnë nga infeksione për shkak të çarjeve të shumta ngaqë shumica punon pa masa mbrojtëse. Ka nga ata që u bie të fiket në mes të plehrave, por “shyqyr nuk ka vdekur ende njeri”, – siç na thonë!

Një pjesë e fushës është e izoluar me një plastmasë dhe mbi të është i vendosur një sistem tubash që sigurojnë përcjelljen e gazrave që formohen nga depozitimi i mbeturinave në një gropë të tillë. Në fundoren e vet ai lloj gazi është shpërthyes. Në momentin e punës aty nuk lejohet të ndizet cigare apo të mbash me vete shkrepse, pasi rreziku është i madh. Ajo shpërthen. Sipas specialistëve që gjendeshin në Sharrë në ato momente, praktikisht njerëzit aty punojnë mbi një bombë gjigante! Çdo ditë fuqia e kësaj bombe rritet edhe më shumë. Aty punojnë rom dhe komunitete të tjera.

Si u “pushtua” Sharra…

Kur dielli perëndoi më 1 maj të vitit 2010, në landfildin e Sharrës u dëmtua rëndë rrethimi që pengonte hyrjen e njerëzve të paautorizuar. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në qendër të Tiranës, 22 deputetë të Partisë Socialiste kishin nisur një grevë urie të paprecedentë dhe Policia Bashkiake, që deri në atë moment e kishte mbajtur mjaftueshëm larg Sharrës komunitetin e romëve apo të të tjerëve, nuk u ndodh atje. Prej asaj dite një konglomerat i pakontrolluar interesash të gjithfarësoj, biznesesh kryesisht, por edhe komunitetesh të paintegruara në shoqëri e tejet të varfra, kanë zaptuar tashmë të gjithë territorin e landfildit dhe e kanë shndërruar atë në një burim të ardhurash. Dhe jo pak…

Në vitin 2008, përmes një projekti të “Cooperazione Italiana” Tirana dhe rrethinat u pajisën me një landfild të tillë. Shumë interesant duket fakti që pas çdo projekti për menaxhimin e plehrave në Shqipëri qëndron Italia. Vendgrumbullimi i mëparshëm i Sharrës që ndodhet sot po aty, u mbulua. Ngjitur me të u ndërtua gropa e re e landfildit, u pajis kompleksi me mjete të nevojshme logjistike, u botua informacion e u konsumuan qindra orë trajnimi derisa gjithçka ishte gati. Kushtoi mbi 6 milionë euro dhe u parashikua që jetëgjatësia e atij landfildi do të ishte, rreth 4 vjet. Mirëpo sot, ngaqë mbi 80 për qind e materialeve ricikluese humbasin në gropë pa u pikasur dhe për rrjedhojë, pa u ricikluar, gropa mbushet më shpejt (nëse do të guxonim ta shpjegonim kaq thjesht). Kush lobon që kjo mënyrë joefikase të vazhdojë? Mos vallë të njëjtët që thonë që “plehrat shqiptare” nuk bëjnë ndaj do të sjellim “plehra të mira” nga jashtë?

Landfildi i Sharrës

“Landfildi i Sharrës ka kushtuar mbi 6 milion euro, një fakt ky që dihet tashmë, por nëse mbeturinat do të seleksionoheshin që në fillim, pa u futur në fushë, përfitimet do të ishin të pafundme për të gjitha palët”, – sqaron Xhemal Mato, ambientalist.

“Çdo kontenier mbeturinash, në një vend normal që kërkon të mbrojë mjedisin por edhe të fitojë të ardhura mbi bazën e rregullave të shtetit dhe të ekonomisë së tregut, do ta konsideronte jo si një grumbullim plehrash, por si një arkë monedhash!” – thotë më tej z. Mato, sipas të cilit, të gjithë ata pjesëtarë të komunitetit rom apo dhe të tjerë që ne shikojmë çdo ditë në rrugët e Tiranës me biçikleta duke pastruar kazanët, janë ndoshta personat më ekologjikë në këtë vend: përdorin biçikletat, pastrojnë atë që në fakt mund të kishim filluar që në shtëpi ta pastronim duke seleksionuar plehrat, pra mjedisin. Dhe në fund, fitojnë jo pak!

I ndan ti në shtëpi plehrat, në mënyrën selektive që ndjek sot gjithë Bashkimi Europian, pyes një inxhinier të mjedisit. “Pse ta bëj atë? Ku do të përfundojnë ato plehra? A nuk do të përfundojnë që të gjitha, të pandara në Sharrë?!” – përgjigjet duke më bërë të ndihem totalisht naiv për atë pyetje…

Landfildi i Sharrës, ndonëse ishte parashikuar të funksiononte për 4 vjet, duket se do ta kemi funksional për plot 7 vjet, pra edhe për ca kohë, ngaqë do zgjerohet gropa, e cila, për fat të keq, në çdo moment rrezikon të shpërthejë vatra zjarri ngaqë gazrat më përbërje metani që mbeturinat krijojnë ndizen me çakmak nga vetë 200 e kusur shqiptarët që netëve bëjnë dritë për të kërkuar kanoçe, karton, qelq e çdo material tjetër të riciklueshëm atje!

“Do paguajmë prapë 6 milion euro për një landfild tjetër?”, pyesim specialistin e rradhës që refuzon të identifikohet… “Përmes taksës së gjelbërimit që kushton afërsisht 40 mijë lek për çdo familje – pra diku te 4 milion po të pretendojmë se do e paguajnë 100 mijë familje në Tiranë, – pushteti vendor do të kishte mjaftueshëm të ardhura për të paguar një mënyrë menaxhimi ekologjike, ekonomike dhe të shëndetshme të plehrave”, – përgjigjet një ambientalist…

Por ky sugjerim që ai përmend, që në fakt është një rrugëzgjidhje e shëndetshme edhe mjedisore, edhe ekonomike, do të thotë që kushdo që ka fituar deri më sot të fitojë më pak! Ose, të humbasë. Sqarimi është i thjeshtë: nëse plehrat dhe mbeturinat menaxhohen me pak kosto në mënyrë të tillë që ato të seleksionohen e të diferencohen që në fillim, do të thotë se sasia e plehrave që grumbullohen në Sharrë do jetë shumë më e vogël, pasi materiali i riciklueshëm është hequr para se kamionët ta shkarkojnë në landfild!

Pyetja që ne shtrojmë është: kush fiton nga ky kaos aktual e që nuk ka interes që Shqipëria të ketë një menaxhim edhe ekonomik, edhe fitimprurës edhe ekologjik të plehrave?

Përsërisim pyetje-përgjigjen e pjesës më sipër: Mos vallë të njëjtët që thonë që “plehrat shqiptare” nuk bëjnë ndaj do sjellim “plehra të mira” nga jashtë?

Shifrat

Rreth 1 milion banorë të Tiranës dhe rrethinave të saj prodhojnë të paktën 700-800 tonë mbeturina urbane çdo 24 orë. Ato shkarkohen në Landfildin e Sharrës, falë tenderit që kanë fituar 6 kompani pastrimi në kryeqytet që paguhen, hë për hë, të paktën deri në fund të këtij viti, mbi bazën e kilometrave katrorë që kanë marrë përsipër të pastrojnë, e jo mbi bazën e peshës së mbeturinave që përcjellin në Sharrë.

Nga këto 800 tonë mbeturina, të paktën 40 për qind e tyre janë të riciklueshme! Megjithatë, ngaqë nuk ka një politikë të qartë dhe një rregull të përcaktuar, por një kaos dhe errësirë transparence, vetëm 20 për qind e këtyre mbetjeve urbane riciklohen nga landfildi i Sharrës.

Por edhe me kaq pak shfrytëzim të këtij landfildi, sërish Shqipëria arrin të furnizojë me lëndë të parë industrinë ricikluese në vend, prej të paktën 15 vitesh. Aktualisht ka të paktën 25 kompani të regjistruara vetëm në rrethinat e Tiranës që paguajnë taksa dhe punojnë me kapacitet të plotë në fushën e riciklimit, ndërsa informacionet në terren tregojnë se ka dhe dhjetëra e dhjetëra biznese të tjera të vogla dhe të mesme që merren me grumbullimin dhe shitjen e lëndëve ricikluese. Numri i saktë dhe i plotë i tyre, është pothuajse i pamundur për t’u zbuluar!

Sipas analizave mercologjike të kryera në Tiranë (përfshirë Vorën, Krujën dhe komunat përreth, analiza të tilla ka kryer organizata CoPlan), rezulton se 29-30 për qind mbeturinave që shkarkohen sot në Sharrë çdo 24 orë janë lëndë plastike, një “super mineral” ky për industrinë ricikluese, çmimi fillestar i së cilës arrin sot edhe në 500 lekë për kilogram.

Kina, që teknologjinë e industrisë dhe manovrat e saj tregtare i ka ende sekret, rezulton të jetë një prej vendeve ku Shqipëria eksporton çdo vit qindra mijëra tonelata plastikë, që pastaj shkrihen në temperatura të larta derisa transformohen në objekte plastike që rifuten si mall më vete sërish në Shqipëri. Shumë prej fabrikave shqiptare të prodhimit të ujit të pijshëm përdorin pikërisht materiale të tilla plastike të ardhura nga Kina. Ose në gjendje përfundimtare, ose, në rastin e shisheve në një formë “embrionale” që mjafton t’i kompresosh, për t’i shndërruar ato “embrione shishesh” në shishe të vërteta që mbartin ujin e pijshëm! Pjesa tjetër e plastikës shkon në Greqi, Turqi e madje dhe në Gjermani sipas vëzhgimeve që Shekulli ka bërë në terren për këtë temë.

Vetëm 2 për qind rezulton të jetë metal në këto qindra mijëra ton mbeturina që Tirana me rrethinat konsumon çdo 24 orë (industria e skrapit dhe riciklimit të metalit duket se tashmë ka hyrë në një fazë më të avancuar fitimi, e kësisoj edhe më të vështirë për ta monitoruar), dhe pjesa tjetër përfshin materiale të tjera të riciklueshme si letra dhe kartoni, qelqi etj.

10 Komente

Hije skandali për makinat e vjetra 
 

 

Mesditën e 22 shtatorit mazhoranca miratoi vetëm me votat e saj projektligjin për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve”, pavarësisht kundërshtimit të fuqimishëm nga opozita. 

Thelbi i këtij ligji është lejimi i importimit të mbetjeve për qëllime riciklimi. Pak ditë më vonë, Parlamenti miratoi sërish me debate dhe kundërshtimin e opozitës, një akt normativ të qeverisë, lidhur me mbylljen, deri në datën 7 tetor, të biznesve të ashtuquajtura varrezat e makinave, që ushtrojne aktivitet pranë rrugëve nacionale. 

Qeveria e motivoi vendimin për arsye të ndotjes mjedisore që ato shkaktojnë. Opozita sërish kundërshtoi duke thënë se nuk ka pse ky akt të miratohet me urgjencë. 

Qeveria vendosi që nëse deri në datën 7 tetor, pronarët nuk i kanë larguar makinat e vjetra 1 kilometër larg rruges, atëherë ato do të sekuestrohen dhe ushtria do të vijë në ndihmë për këtë operacion. Nga nje vezhgim i Top Channel rezulton se pak varreza makinash kane nisur te levizin, qe do te thote se pas tre ditesh kamionet e ushtrise do te ngarkohen me hekurishtet e tyre. Po ku do të shkojnë ato, kush do t'i shesë, kush do t'i bleje, ku do të përfundojnë e për llogari të kujt?

Zyrtarisht nuk ka ende asnje informacion mbi këtë, derisa afati zyrtar ende nuk ka skaduar. Por një investigim i Top Channel ka zbuluar se paralelisht me punën për hartimin dhe miratimin e këtij ligji, për importin e mbeturinave dhe aktin normativ për sekuestrimin e makinave të vjetra, në terren është vijuar me ndërtimin e impianteve, ku do të përpunohen mbetje.

Vetëm disa dhjetera metra larg nga mbikalimi i Xhafëzotajt, në të djathtë të rrugës Tiranë-Durrës është ndërtuar së fundi një impiant, ku ka filluar të bëhet perpunimi dhe përfitimi i skrapit nga makinat e vjetra.Rojet që patrullojnë objektin pohuan, se impianti është ndërtuar nga kompania Scholz. Nga një kërkim në Qendrën e Kombëtare të regjistrimit të bizneseve, rezulton se kompania Scholz është regjistruar që në 25 prill 2008 me qendër në Shkodër dhe pronarë, Branisllav Pejovic dhe  Rado Brajoviq.

Po nga QKR-ja, mësohet se objekti i aktivitetit të këtij subjekti është “grumbullimi, përpunimi, riciklimi, tranzitimi, transporti, eksporti mbetjeve të ngurta dhe të vëllimshme me përmbajtje metalore”.Licensa per kete aktivitet eshte marre nga kompania gjermane Scholz AG me qender ne Essingen, Baden-Wurttemberg në Gjermani, ndërsa filiali qe ka ndertuar ne Shqiperi quhet Scholz LTD Albania. 

Sipas përllogaritjeve, sot në Shqipëri ndodhen rreth 100,000 ton mbetje skrap nga varrezat e makinave apo makinat e vjetra, për të cilat u miratua edhe një akt normativ për sekuestrimin e tyre, nese nuk largohen deri ne daten 7 tetor. Një impiant si Scholz parashikohet të ketë një fuqi përpunuese deri në 10 mijë ton në muaj, që do të thotë se për përpunimin e 100,000 mijë ton skrap nga makinat në territorin e vendit tonë, kjo kompani ka lëndë të parë vetëm për 10 muaj. 

Por si do të sigurohet lënda e parë për këtë kompani apo të tjera të ngjashme të ndërtuar në mënyrë legjitime për këtë aktivitet? Përgjigja mund të gjendet tek neni 49 i ligjit të miratuar pak ditë më parë ku thuhet:
 
“Lejohet të importohen në vend mbeturina urbane të parrezikshme, të cilat mund të përdoren si lëndë e parë për industrinë perpunuese në vend, kur ajo nuk plotësohet me nevojat e mbeturinave qe prodhohen ne vend”.

Scholz AG kompania mëmë e Scholz LTD Albania është partnere e kompanisë C.I.O.S GROUP e cila merret me grumbullimin e skrapeve dhe te mbeturinave urbane. Ajo ka qendrat e saj ne Serbi, Bosnje-Hercegovine, Kroaci dhe Shqiperi. 

Banorët lokale tregojnë edhe për ndërtimin e një tjeter fabrike disa metra me larg asaj të Scholz, e cila do të merret me shkrirjen e baterive te makinave, plumbit dhe metaleve me ngjyrë qe do te dalin nga perpunimi i makinave te vjetra dhe do t'i shkrije ne kallepe zinku e plumbi, një proces teknologjik tejet helmues.
Besohet se fuqia e instaluar ne impiant te do te jete sa trefishi i te gjithe akumulatoreve e baterive qe ka vendi yne te reja e te vjetra. Levizja e qeverise per te hartuar kuadrin ligjor per importin e mbeturinave dhe sekuestrimin e makinave te vjetra, ka qene paralele me punen për ndërtimin e bizneseve, puna e të cileve varet nga ky ligj. 

Nuk ka asnjë informacion nese makinat që do të sekuestrohen do te perfundojne ne kete fabrike, apo se edhe mes mbeturinave që do të importohen do të ketë edhe makina të vjetra nga vende te tjera. Por ajo qe ofrojne dokumentat zyrtare është fakti se bizneset për riciklimin e mbeturinave dhe vecanerisht importin dhe eksportin e tyre, janë regjistruar në QKR në kohën, kur ende nuk ishte hartuar dhe miratuar ligji, qe lejon importin e tyre.

http://www.top-channel.tv/artikull.php?id=219887

 

eshte hartuar ndonje peticion drejtuar presidentit, ku mund te firmosim kundra ketij ligji. c'bejne keto OJQ dhe shoqatat e mjedisit? nje peticion ju lutem.

E bene nje peticion por fatkeqesisht kishte qelluar letra mire per kaush.

sa i lumtur qorri partise...se di qe ka per ti lind femija me 3 vesh

Pervec kesaj duhet levizje e dukshme - protesta etj.

Ose si amerkanet - OCCUPY THE PARLIAMENT

 

PS. faleminderit per artikullin - duhet munduar te botohet dhe ne gazete se shume shqiptare nuk jane te informuar e nuk perdorin internetin.

se di qe ka per ti lind femija me 3 vesh

Me 3 vesh mbase jo, por paret gati per doktore e antibiotike cdo dy jave.  

Ky ligj eshte monstruozitet.  Dhe nuk eshte thjesht ceshtje apo problem OJQ-sh.  Plehrave u vihet flaka ne kazane ne mes te Tiranes.  Mire restoja e shoqerise qe eshte e mbytur ne halle e rrugen e perditshme e ben mes plehrave, por edhe "klasa chique" e Tiranes qe ndoshta s'i bie rruga, te njejtin ajer, te njejtin qelbsillek fusin ne mushkrite e tyre.  

 

Ah po, per nje cik garniture:

Landfilli i Bushatit, pa pune, dy muaj pas perurimit

Peruar nga KM-ja qe ne mbyllje uroi perzemersisht :

Edhe një herë ju përgëzoj për përfundimin me sukses të kësaj vepre të rëndësishme. Ju përgëzoj për marrëveshjen që keni nënshkruar. Nuk duhet të harrojmë kurrë se menaxhimi më i shkëlqyer është menaxhimi privat.

Edhe një herë, urimet më të mira!

Faleminderit!”

Te gjithe ata qe e ideuan, votuan, bojkotuan, intriguan, dhe perfitojne nga ligji i plehrave te ardhura nga Italia, shpresoj qe te vuajne kancerin e radiokativitetit tek kalamajte e tyre!!!

Nga te dhenat e fundit mbi njerzit e pasur, thuhet se nder milioneret dhe miliarderet qe po shtohen keto vitet e fundit, pjesa dermuese vijne nga industria e riciklimit. Veç ne Shqiperi, e keqja eshte se nuk ka disiplinim e ndarje te plehrave, dhe impiante per djegjen e tyre dhe perfitimin e energjise. Mendoj se duhet filluar me perpunimin e plehrave shqiptare nje here, pastaj pas disa vitesh, shihet puna, a duhet te importojme apo jo, sepse une kam mendimin se pa disiplinuar, ndare dhe perpunuar plehrat shqiptare, nuk mund te importojme plehra te huaja,  kur akoma te tonat i kemi neper kembe dhe i groposim. 

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).