“Vllehtë e sotëm i kanë harruar paraardhësit e tyre, që luftuan për shqiptarizmin”. Këtë “zbulim” e bëri gazetari i rubrikës së përjavshme në Top Chanel, “Shqipëria tjetër”, M. Mema, në mbrëmjen e Ditës së Verës. Dhe pas kësaj përpiloi shpejt e shpejt listën e paraardhësve, që paçka se paskan qenë puro-vllehë, kanë bërë luftë në emrin e Shqipërisë: Asdreni, Themistokli Gërmenji, Mihal Grameno, Naum Veqilharxhi, Kristoforidhi, Spiro Bellkameni, Kole Idromeno… Në këtë “listë” mungojnë për shembull Faik Konica e Sali Butka, meqë hulumtohet në trevat e juglindjes, sepse si myslimanë ata s’mund të ishin edhe vllehë, por mund të ishte përmendur ta zëmë Fan Noli që është po aq kolonjar sa Themistokliu. Do s’do, gazetari i bëhet krah atij plakut vllah në Drenovë, që gjatë intervistës i bëri iso me zë të plotë konsullit Ikonomu, kur tha se gjithë ortodoksët e jugut janë vorio-epirotë, pra grekë safi! Që herë pas here disa nga gazetarët e rinj i hyjnë detit në këmbë dhe nga mungesa e informacionit, apo nga vetësiguria këpusin broçkulla, është diçka e kuptueshme dhe mund të kalohet me ironinë e monitorimeve te “Fiks Fare” (nuk di nëse do ta përmendin edhe këtë rast, meqë lidhet me rrjetin ku hanë bukën), por prirem të besoj se vllehtë e Shqipërisë do të ndihen shumë krenarë që paskan nxjerrë nga gjiri i tyre këto figura të mëdha të shqiptarizmit dhe s’e paskan ditur. Kurse Themistokliut, Mihalit, Naumit, Spiros e të tjerëve do t’u jenë dridhur eshtrat aty ku prehen. Sa për Asdrenin, autorin e tekstit të “Hymnit të Flamurit”, njëri nga poetët modernë të viteve ’30 me “Psallme Murgu”, që është nga Drenova, e vërteta është tjetër. Banorët e Boboshticës dhe Drenovës që tani janë të populluara me vllehë apo më saktë me arumunë, dikur janë përcaktuar se kanë një prejardhje të largët sllave. Deri një brez para meje, e di fort mirë që midis tyre përdornin një gjuhë të ngjashme, ndoshta me bullgarishten. Për origjinën e tyre ka disa hipoteza, midis të cilave studiues të huaj e vendas mendojnë për një ngulitje polake, mbetur që nga koha e Kryqëzatave. Mbiemra të njëjtë me ato të banorëve të sotëm, sipas historianit Petraq Pepo gjenden në kodiket e Selasforrit dhe në tefterët e taksave të shek. të XV. Gazetarit do t’i kish mjaftuar të pyeste çdo drenovar me pesë para shkollë që ta mësonte, se Asdreni vetëm vllah s’mund të quhej. Koha që ka rrjedhur ka lënë gjurmët e saj dhe përveç Asdrenit, njerëz të tjerë të shquar të dalë prej këtyre fshatrave si Viktor Eftimiu, Kristaq Antoniu, Pr. Kuneshka e të tjerë, gjithmonë e kanë shpallur veten si shqiptarë.
Nuk e vë në dyshim dëshirën e mirë të gazetarit për të ngritur një problem akut, megjithatë ai do t’i kishte shërbyer më saktë synimit të tij investigues jo vetëm duke shmangur identifikimin si vllehë të disa nga figurave me të ndritura të historisë sonë, por edhe duke kërkuar, përveç pleqve rastësorë që takoi nëpër rrugë e në kafene, të takonte e të pyeste edhe banorë të vjetër të këtyre fshatrave. (Nuk besoj që të gjithë ata kishin vajtur në mal me bagëti si ai që përmendet). Sidomos të kishte pyetur njerëz të rinj e të shkolluar nga komuniteti arumun aty ose gjetiu, që nuk marrin 300 euro në muaj asistencë sociale.(Pension e quajnë duke e zbukuruar, kinse kanë derdhur djersë në Helladhe) Dhe atëherë do te kish mësuar e do të mund të na thoshte se vllehtë e intervistuar prej tij i përkasin një degëzimi arumun, që në anët tona quhen sarakacanë dhe që janë marrë me blegtori. Ata nuk kishin vendbanim të përhershëm. Ishin një popullsi nomade që jetonin nëpër stane, që vepronin në malet e Pindit, apo Gramozit dhe dimëronin në zonat e buta të vendit tonë. Aty lindnin, aty rriteshin, mësë shumti të pashkolluar, por me një zgjuarsi gjenetike për ta pasur zili. Nuk i përkisnin asnjë kombësie, as shqiptare e as greke. Ishin thjesht dhe vetëm arumunë, vllehë apo çobanë, siç i quanin në krahina të ndryshme dhe meqë këta kushërinj të parë të rumunëve, të hapërdarë nëpër Ballkan, nuk krijuan dot shtet dhe as komb, morën shtetësinë dhe për rrjedhojë edhe kombësinë e vendit ku u nguliten përfundimisht, pasi mori fund jeta e tyre nomade nëpër kasollet e përkohshme të staneve. Atëherë, përse i ka aq për zemër vllehtë e Korçës, Sarandës, Delvinës e krahinave të tjera ku ata hodhën rrënjë, pasi shteti komunist ua shtetëzoi kopetë e bagëtive? Përgjigjen e kësaj pyetjeje, me arrogancë e me naivitet njëherazi e dha konsulli, që ka të njëjtin emër me mua. Sa më shumë njerëz të vetëdeklarohen me kombësi greke gjatë procesit të regjistrimit të popullsisë, aq më i madh do të jetë zelli për të shpallur, përveç atyre që janë realisht edhe treva të tjera minoritare, sidomos “Koricaqin” (Korçën) e bukur e të pasur dhe pastaj, në emër të të drejtave të njeriut, në një shtet të paqenë multietnik, të kërkohen “të drejta” të tjera si shkolla, përdorim i gjuhës zyrtarisht, përfaqësime të përcaktuara në Kuvend, në qeverisjet qendrore e lokale e të tjera ////bilmemëra. Disa analistë tanët e quajnë këtë helenizim me qëllime të largëta, por unë kam bindjen e patundur se edhe sikur të ketë një oreks të tillë në rropulli të dehura, ky nuk do të kthehet dot në një kurs zyrtar, në kushtet e një Europe të Bashkuar. Vetiu lind pyetja: atëherë pse t’i vëmë një prag të drejtës për të vetëdeklaruar kombësinë? Përgjigja është e thjeshtë: sepse kështu do të ushqejmë një realitet virtual dhe meqë siç thuhet qeni leh aty ku e ushqejnë, ka të ngjarë që ata “pensionistë”, të cilët u intervistuan dhe thanë se “rumunë jo se jo nuk mund të quheshin”, nesër pasnesër të vetëdeklarohen rumunë (aq më tepër që i afron edhe gjuha), nëse Rumania do t’u jepte nja 50 euro më shumë sesa greku. Dhe atëherë, ne që deklarohemi shqiptarë mund të mbetemi minoritet në Shqipëri. Këto ditë, një boboshtar autokton, i shpërngulur tashmë në qytet, më thoshte seriozisht: “Meqë ata qenkan grekë dhe marrin pension prej tij, pse nuk shkojnë në Greqi dhe të na i lënë tokat që i morën me ligjin 7501 në ish-pronarëve?” Qesha dhe i thashë se kjo do të qe një shkelje e Kushtetutës, sepse tani ata mbrohen si pronarë të ligjshëm. “Atëherë, le ta bëjë edhe greku si Amerika. E di si e bën ajo me të moshuarit që bëhen qytetarë të saj?”, – shtoi. Unë e dija fort mirë, se kam motrën e moshuar aty. Ajo merr nga sigurimi shoqëror(social security e quajnë,) aq sa i mjaftojnë për të jetuar mirë, por me kusht që të mos largohet nga Amerika më shumë se një muaj në vit. Në dashtë të jetojë në Shqipëri, asistenca i pritet pa një, pa dy. Po ku Amerika me ligjet e saj strikte dhe ku Greqia! Aq më shumë kur nuk dihet qartësisht nëse asistencat e saj bujare burojnë nga taksapaguesit vendas, apo nga ata të BE-së. 

2 Komente

Këto ditë, një boboshtar autokton, i shpërngulur tashmë në qytet, më thoshte seriozisht: “Meqë ata qenkan grekë dhe marrin pension prej tij, pse nuk shkojnë në Greqi dhe të na i lënë tokat që i morën me ligjin 7501 në ish-pronarëve?” Qesha dhe i thashë se kjo do të qe një shkelje e Kushtetutës, sepse tani ata mbrohen si pronarë të ligjshëm.

ama i kane bere edhe pronare te ligjshem, epo kane te drejte keta qe e hedhin shurren perpjete...

Paske rjedhur zoti Laco! Nese disa vlleh te moshuar shqipetar edhe mund te deklarohen greke nese i pyesin, pasi varferine e skajshme te tyre e zbusin me  pensione te "majme" greke per kushtet tona, ti i ke lepire bythen Saliut per ca leke me shume. Pra nuk ndryshoni, pleq te raskapitur e te drobitur jeni katandisur.

A te tepron ndonje leke per ta luajtur ne kazino?

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).