Njëmijë e një mendime më sulmojnë njëherazi trurin dhe s’më lënë të nis të shkruaj sot kur BBC-së i ikën shqipja. Janë plot 18 vite nga 28 shkurti i 1993. Duken shumë, por s’janë veçse sa një ëndërr.

Tani rishoh me sytë e mendjes trajtat e fytyrës sime, ndërsa paskam qenë në ëndërr!

E shoh atë tek qesh si fëmijë kur në fund të kronikës së parë time, në mbrëmjen e programit të parë thashë “Ilir Kadia BBC Tiranë!”. Zëri vinte nga Londra e hynte me valën e mesme të dhënë nga Radio Tirana aty në katin e pestë të Varrit të Bamit, ndërsa babait dhe nënës i dukej çudi e nga krenaria sytë u ndrinin.

E shoh të dirsur, duke rendur me biçikletë sa nga njëri burim lajmi te tjetri me këshillën e Tim Cook, si vath në vesh: “Jo më pak se dy burime, kujdes balancën, mos u nxito më mirë i dyti dhe i saktë, si i pari por gabim! Dhe nga zelli e shoh të harrojë edhe bukën dhe të rrudhet nga uria!

E shoh fytyrën time duke jetuar kohën ëndërr të BBC të shpërthejë nga hareja kur vetëm pas dy vitesh, Gallupi thotë se Tirana ka thyer rekordin e dëgjueshmërisë të të gjitha kohërave të BBC World Service!!!.

E shoh të përlotur atje në zgafellat e minierës së Batrës kur minatorët në grevë urie i quanin kolegët e mediave të tjera të huaja si të BBC-së, e shoh të frikur nëpër natë fshehur mbrapa kurrizit të një të panjohuri që bëri badigardin e më çoi me motorin e vjetër të SMT nga Zhama në Rrogozhinë për të transmetuar të parën revoltë për skemat nga ajo kuvlia që i thoshin postë dhe ku gratë e burrat më lëshuan radhën që kishin zënë për të pyetur si u mbërritën djemtë dhe vajzat nisur përtej detit me gomone.

E shoh serioze fytyrën time të ndiqte Papën Vojtila tek puthte tokën e Nënë Terezës dhe të bekonte qindra e mijëra bashkëqytetarët e mi në mes të sheshit “Skënderbeg”, tek sheh Toni Blerin veshur kuq e zi të dalë nga helikopteri në fushë të Bradasheshit e t’u japë shpresë nga maja e një rimorkioje refugjatëve kosovarë e të stepet veç një çast nga gjarpri që i pret rrugën mes jonxhës. Tek bisedon me Rugovën, si me një mik të vjetër pa e ditur se ajo do ish hera e fundit.

E shoh të shtangur nga marria e marsit 1997 kur fqinjët rrëmbejnë kallashnikovët e vrasin njëri-tjetrin, kur dikush bën plane të të zhdukë e të shfaqet në derë në tre të mëngjesit vetë i tretë ndërsa, pak ditë më parë ta ka shkruar dënimin në faqe të murit të shtëpisë: “Varrosje së gjalli”!

E shoh kryeneçe të mos i bindet urdhrit dashamir për t’u larguar nga Atdheu se qenkësha në rrezik dhe pastaj të buzëqeshet kur Julia Goga që i lutej “Eja!” t’i thotë tre muaj më vonë: “Sa mirë bëre që s’erdhe! Na nderove!”

E shoh të llahtarisur kur trupin e mikut tënd të vrarë vetë vrasësit e përdorin si kokë dashi për të hapur portën e Kryeministrisë, të cilën i zoti e pat braktisur me kohë! Kur rrugën në Presidencë ta tregojnë njollat e gjakut dhe tanket zihen rob me dorë. Kur fqinjit të vrarë të luten t’i lidhësh kollaren që nëna ia kish bërë gati për dhëndër e ti s’di, kur...

E shoh pastaj t’i gëzohet ndërtimit sa hap e mbyll sytë të shtëpive vila, atje ku një muaj më parë ishte një bunker, çeljes së shitoreve që as në Londër s’i ka parë, bukurisë së një rinie që shoqe ka veten në Europë, respektimit të flamurit kuq e zi njëlloj si shokët e tij në NATO, dyndjes së miqve të tu anglezë përgjatë rivierës të Atdheut tënd, këngës së mikes tënde që pëlqehet edhe në Moskë, jetës që bëhet çdo ditë më e mirë për njerëzit e tu!

Sot kur shqipja ikën nga BBC nuk them që s’jam i mërzitur. Por jo i trishtuar. Që u lidha me BBC më ndihu fati, që e pata timen për 18 vjet, punova për fatin!

9 Komente

 Shkrim shume i bukur. Te lumte Ilir.

 nostalgjia mik,ajo te ben te rreqethesh dhe te shruash me telat e shpirtit.

 Liro, te kujtohet kur ishe tek "Zeri i Rinise" dhe thoje: "ishalla na heqin nga puna qe te gjejme nje pune me te mire?" smiley

Per BBC-ne ne shqip pastaj eshte nje humbje e madhe qe nuk e kemi me. Me shume se radio ishte nje simbol e standart ne te njejten kohe. Eppur si muove!

 Do te na mungoje BBC ne Shqip. Ka qene nje kohe kur kjo BBC dhe VOA perbenin te vetmet mjete informimi te besuesheme. Sot World Service e shkurton BBC ne Shqip me argumentin se mediat e pavaruara lokale e bejne te panevojshem, por fatkeqsisht, une nuk jam plotesisht i bindur se eshte keshtu. Faleminderit per sherbimin e ketyre viteve.

 Per fat te keq, VOA e shkaterroi tifozlliku qorr i Elez Biberajt per Sali Berishen. Mbas 1991 nuk e kam degjuar me, se u be si Radio Tirana.

 Ah, shume keq! smiley

BBC Shqip ishte i vecante! 

Ishalla ka zone, ajo fara e gazetarise se BBC-se qe ka kaq vjet qe hudhet nder veshet dhe trute e shqiptareve! 

Eshte fare e mire ajo! 

 

 P.S.

Kur eshte dita e fundit qe do transmetohet ne ajer ne Shqipni? 

Sot te Marten, apo neser, te Merkuren? Apo ka kry? Se ne internet vazhdonka si prani!  

BBC Shqip ishte destinuar per tu hequr pasi i kishte kaluar koha. Ne kushtet e sotme ne Britani, nuk mund te lejohet nje "luks" i tille.

Per me teper, nuk mund te quhet "humbje" pasi ne shumicen e lajmeve te BBC nuk kishte asgje te vecante qe nuk mund ta gjeje ne nje media vendase. Gazetaret e BBC anonin shume sipas "porosive" dhe shqiptaret e sotem nuk jane me ata te 90. Nese per gazetaret e BBC kerkohet 2 burimi informacioni, per shqiptarin e thjeshte para televizorit dhe radios ka me qindra burime me nje te shtypur te pultit.

Ashtu si edhe VOA keto media jane mbeturina te luftes se ftohte dhe sa me shpejt te largohen aq me mire. VOA eshte katandisur me keqe se Radio Tirana njeher e nje kohe.

 

 

 nje te mire e ka kjo pune. Iliri tani do shkruj dhe shkruan bukur. nuk besoj te kete njeri qe di me shume se ai ne kete tranzicion. 

 Sot, me n'fund, pata kohe me degju emisionin e fundit permbylles te BBC-se ne Shqip. 

Jua rekomandoj t'a degjoni, nese keni interes per radion shqip ne pergjithesi. 

http://www.bbc.co.uk/albanian/

 

Emisioni perfshin edhe emisionin e pare fare te BBC-se ne shqip, ne 1940-ten. Shume interesante, gjithnji nese t'a nnin per pune radiosh! smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).