"Me këtë lëmoshë që na jep shteti, dhe pa dhënien e mundësisë për punësim, është krijuar një situatë e tillë në të cilën të verbrit janë kthyer në parazitë. Fatkeqësisht, midis tyre është krijuar psikologjia sikur nuk do të punojnë kurrë, janë bërë të pavullnetshëm, nuk kanë forcë të kërkojnë diçka për veten e tyre, u ka humbur durimi, u duket sikur nuk ka fare vlerë ajo që bëjnë... ".

Dëgjuar nga një tërësisht i verbër, nuk ka si të mos tingëllojë prekëse. I njohim pak, për të mos thënë aspak. Ndoshta përditshmëria na ka ulur ndjeshmërinë për të dalluar çka atyre u nevojitet. Shtetit edhe më tepër....

***

Takimi me të ishte i rastësishëm. Teksa çoja kompjuterin për të rregulluar tek një miku im. Ky i fundit më tërhoqi dhe vëmendjen. "Ëngjëllushi mund të të vlerësojë dhe nga zëri. Femrat i njeh kështu". Pas xhamave të zinj të syzeve, nuk dallova asgjë. As në pjesën tjetër të fytyrës së djaloshit, nuk kishte lëvizje. E kuptova pak me vonesë... Tërësisht i verbër.

Ideja që u kristalizua më vonë, teksa njoha botën e tij, ishte se ndoshta jemi ne ata që nuk shikojmë dot më larg nga guacka jonë. Vëmendja për ta është jo më tepër se njëditore. Zakonisht në ditën e "Shkopit të bardhë" apo në ndonjë protestë sporadike, kur ata duken në ekran e faqet e gazetave, për të kërkuar diçka më tepër se shuma e limituar "lëmoshë", me të cilën shteti i kujton në pagesën standarde mujore.

Ëngjëllushi është 25 vjeç, dhe vijon vitin e tretë në degën e Juridikut në universitetin "Ismail Qemali" të Vlorës. Nuk është e lehtë për një të verbër të hedhë hapin njësoj me shokët e tjerë, por Ëngjëllushit nuk i duket asgjë e pamundur, përveç ndoshta kthimit të shikimit. Ai nuk ka parë asnjëherë në jetën e vet. Percepton thjesht me zë, edhe figurën e nënës së vet apo familjarëve, por kjo nuk e pengon të përkëdhelë me dashuri djalin e tij 3-vjeçar dhe të luajë me të sa herë që vogëlushi e merr për dore.

Jetesa në Vidhishtë të Roskovecit është modeste. Aty ai jeton me të shoqen, djalin e vogël, nënën dhe motrën. Shkolla ka nisur sërish dhe Ëngjëllushit i duhet të mendojë për leksionet apo për të gjetur ndonjë metodë që do ta ndihmonte për ta pasur më të lehtë përvetësimin e tyre. Mungesa e shikimit është shumë herë kufizuese. "Jo gjithmonë janë mundësitë. Leksioni duhet të jetë në format "word", që unë ta marrë në USB e ta lexoj në kompjuterin tim. Por kjo jo gjithmonë të vihet në dispozicion. Ka pedagogë që mendojnë se po e dhanë në mënyrë të tillë, nuk vijnë studentët në leksion. Unë e fillova shkollën me vonesë dhe kjo ishte një tjetër vështirësi.

Fillimisht dëgjoja ç'mund të merrja aty në auditor, pastaj me kasetë. Tani kam dëgjuar se ekziston një program skaner dhe me të mund të lexosh libra. Por është sakrificë e madhe. Më ka ndodhur edhe që më kanë lexuar të shtëpisë. Disa herë nusja apo mami dhe motra", rrëfen Ëngjëllushi.

"Ka të verbër, që shumë herë u drejtohen të afërmve t'i ndihmojnë, t'i lexojnë herë pas here, por kjo është pak bezdisëse. Për shkollën më ndihmuan nga shoqata dhe më kanë ndihmuar edhe dy pedagogë, por është sakrificë shumë e madhe të kryesh studimet në kushte të tilla.

Nuk është e vërtetë që ne jemi të pazotë për të qenë të dobishëm. Ne mund të orientohemi jo keq, madje duke u udhëhequr nga instinkti. Unë për shembull, kafen e bëj vetë. Ajo që ndihmon gjithmonë është intuita. Ka një zhurmë karakteristike kur vjen moment i zierjes dhe në mënyrë instiktive, dora ose do të më shkojë te gazi për të mbyllur çelësin, ose te xhezvja. Nuk di ta shpjegoj as se si arrij të rregulloj gjëra që prishen në shtëpi.

Njohja më e mirë për ne, është nëpërmjet dëgjimit të zërit. Por ka edhe të tjera detaje të veçanta. Një shokun tim për shembull, e njoh vetëm nga parfumi. Ai nuk e ndërron asnjëherë markën dhe kjo më bën ta dalloj praninë e tij edhe pa më folur. Për t'u disiplinuar me njohjen e të veçantave një pjesë të meritës e ka një ish-shoqja ime e shkollës së mesme. Ajo më thoshte: "Vetëm ditët e para do të të flas, pastaj do ta gjesh vetë mënyrën për të më njohur. Nuk ka asgjë që s'bëhet"...

Familja
Dikur pati shumë dëshirë të ndiqte Akademinë e Arteve. Këmbëngulja ishte aq e fortë, sa konkurroi tre vite rresht, por pa sukses. Paralelisht me shkollimin, të cilën e vlerëson shumë të rëndësishëm, pjesa më e qëndrueshme dhe që i jep forcë, është familja e tij. Një nga momentet më të bukura mbetet takimi me Dorinelën, me të cilën tashmë është martuar.

"U takuam në një studio fotografike në Lezhë. Unë shkova me një shok, e shoqëroja për të montuar disa kompjutera. Gjithçka ishte e rastësishme. Ndoshta më ndihmoi fakti që si mirë dhe keq, unë do flas. Kështu bëra dhe me të. I fola, biseduam dhe kur do të ikte, lamë të takoheshim sërish. Me pak fanatizëm pranoi edhe numrin e telefonit, duke e parë një mundësi për të folur bashkë. Ne që nuk shikojmë, fillimisht na tërheq zëri, kjo më tërhoqi edhe te Dorinela, por edhe ngrohtësia e saj, sjellja.

Nuk e kisha marrë asnjëherë këtë lloj ngrohtësie. Vazhduam të kontaktonim me anë të numrit të telefonit. E mbajtëm fshehur. Gjërat morën shumë më mirë akoma. Ndiheshim sikur të ishim vite që ishim njohur. Vijuam kështu katër muaj dhe pastaj e kërkuam në familje, në Fan të Mirditës. Kishim dhe pak vështirësi, por e zgjidhëm më pas dhe tani jemi bashkë, të dy. Kemi dhe djalin, marrëdhënia me të cilin është shumë e veçantë. Luaj, e mbaj në krah, e përkëdhel. Ndihem shumë mirë me familjen time, pavarësisht vështirësive që tashmë na janë bërë pjesë e jetës".

"Më bëri përshtypje zgjuarsia e tij, si dhe mënyra si fliste", tregon Dorinela. "Ka qenë një marrëdhënie shumë e mirë, pasi në fillim ishim thjesht shokë, pastaj më shprehu dashurinë. Ishte vërtet gjë shumë e bukur. Jemi bashkë dhe ndihem mirë që kemi arritur këtu.

Ka vështirësi, por i përballojmë. Pasi edhe vetë Ëngjëlli duhet të përballojë jetën me aq sa mundet. Faktin që ai është në shkollë e kam pranuar se e ka të nevojshme ta vazhdojë atë. Më vjen shumë keq se gjatë kësaj periudhe është jashtë familjes, por është diçka që i duhet për të qenë dhe ai dikush në jetë. Mendoj se duhet të kishim më tepër përkrahje e mbështetje. Kjo do të thoshte shumë për ne".

Nëna e Ëngjëllushit tregon se ndihet keq për faktin se ai nuk e njeh, por është krenare që ai po vijon shkollën e lartë. "E kam ndjekur nga pas gjithë jetën dhe kjo është shumë e vështirë, - tregon ajo, - por sot që shikoj se ai vijon studimet, më vjen shumë mirë. E keqja është se ata nesër nuk i merr njeri në punë. Ky është hall i vërtetë për ta".

Mungesa e punës, shqetësimi kryesor
Kristaq Xhaho, kryetari i shoqatës së të verbërve në Vlorë, pohon se më shqetësuese për të verbrit është pamundësia për t'u punësuar. "Në Shqipëri numërohen rreth 10 mijë të verbër. Pjesa aktive, pra të rinjtë, përbëjnë rreth 30 %, ndër ta edhe fëmijë, ndërmjet të cilëve pa asnjë mundësi rehabilitimi për shikimin.

Dikur të verbërve u gjendeshin mundësitë për punësim. Sot ata marrin rreth 10 mijë lekë në muaj. Kjo nuk është ndihmë ekonomike, por është pagesë verbërie, për kompensim fizik, çka keqkuptohet nga strukturat shtetërore, duke u etiketuar thjesht si një asistencë ekonomike". 

1 Komente

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).