Priten hektarë të tërë limona, ullinj të vjetër, portokaj, bimësi e egër

Në një kohë kur bota e civilizuar diskuton për minimizimin e kostove mjedisore, çështjet e lidhura me ambientin, florën dhe faunën në Shqipëri konsiderohen ende “luks”.

Madje, problematika të pasurive e trashëgimive natyrore nuk janë ende prioritet e angazhim në axhendat e autoriteteve më prestigjioze në vend. Shqetësimi për një shkatërrim të bimësisë së re e të vjetër, të butë e të egër, vjen nga shoqata “Pronarët e Borshit për zhvillim”. Në një letër të hapur, kryesia e shoqatës ka përcjellë shqetësimin e banorëve të Borshit, Lukovës lidhur me shkatërrimin e bimësisë, problematikë kjo që u është drejtuar edhe autoriteteve politike e vetë kreut të qeverisë.

Veç mjedisit dhe bimësisë, një tjetër problematikë e krijuar është edhe betonizimi e ndërtimet pa kriter, të cilat po ngrihen në emër të anarkisë, informalitetit dhe shkeljes ligjore.

Shqetësimi

“Të shqetësuar pa masë nga gjendja e krijuar kohët e fundit në fshatin Borsh të rrethit të Sarandës, ne kryesia e shoqatës ‘Pronarët e Borshit për zhvillim’ deklarojmë përmes medias se gjendja është skandaloze”. Ky ka qenë qëndrimi zyrtar i djeshëm i kryesisë së shoqatës. “Në mes të ditës, nën hundën e forcave të rendit dhe policisë të Komunës Lukovë po priten hektarë të tërë me ullinj të vjetër dhe të rinj, portokaj dhe limonë, bimësi e egër dhe e kultivuar, një pasuri e monumenteve të natyrës që përbën edhe një pasuri kombëtare. Në një kohë kur Kryeministri flet për një fushatë zgjedhore për pushtetin lokal, ku në qendër do të jetë ambienti dhe e drejta ambientale, situata pragzgjedhore në Borsh po shfrytëzohet si një mjegull jashtëligjore për krime ndaj natyrës dhe për një informalitet ekstrem të betonizimit që nuk ndalet”, njofton zyrtarisht shoqata.

Thirrja

Nga kryesia e “Pronarët e Borshit për zhvillim” është kërkuar vëmendje nga autoritetet shtetërore. “I bëjmë me dije ministrit të Ambientit dhe Inspektoratit Kombëtar të Mjedisit që paguhen për mbrojtjen e ambientit, se në Borsh po ndërtohet barbarisht pa leje mjedisore, ndaj para se të mbillen fidanë të rinj, çka është një investim me vlera dhe për brezat që do të vijnë, të mbrohen me forcën dhe autoritetin e ligjit ato pasuri që brezat e mëparshëm na ka lënë”, shkruan shoqata. Sipas tyre, keqinterpretimi i ligjit dhe argumentet kulte duhet të ndalen, sepse gjithkush duhet të kuptojë se nuk ka më tokë në përdorim, ajo është vetëm pronësi dhe prona është ligj dhe aset.

“Politika e faktit të kryer që ushqen informalitetin është armiku i shtetit ligjor. Na thoni të nderuar politikanë me kë të jemi ne pronarët e ligjshëm, me ligjin apo me anarkinë”, mbyllet letra me shqetësimet e pronarëve. 

3 Komente

Ehhh mire swed ...

Per artikullin, nga kush po priten hektare te tere?  Emer, mbiemer, soj, sorrollop?  

Kur letrat deshtojne, ka edhe keshtu: Hands off our Forest

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).