Shumë diskutohet. Dikush bën sikur i jep rëndësi, e i pararend me shfaqje pas shfaqjeje ndër ekrane. Po u mblodhën disa bëhet dhe humor. “U dhamë leje grave, u dhamë kaq e aq...” Porosisin sekretaret të mos harrojnë ritualin e viteve të fundit: lulet më të bukura në zyrën e zonjës X!”, pastaj shënojnë shpejt e shpejt  një kujtesë në një copëz letër se mos harrojnë dhuratën edhe për bashkëshorten...

Media në letër apo ekran sipas traditës “fotografon” ditën dhe ngjarjet femërore të saj. Nga njëra media në tjetrën ndryshon pak vetëm  këndi i  shikimit: në varësi të gjysmës së gotës plot apo bosh. Aq pak sa ndryshon edhe vetë politika e majtë me të djathtën.

Është apo nuk është festë? Për të festuar jemi ne...? duhet të shkojmë në protestë, por çfarë do ndryshojë pas saj? ...po e politizojnë edhe këtë ditë...! e miratoi Ai fondin për gratë e ... për në ...?, ku do e lëmë të mblidhemi...? po premiera e shfaqjes për gratë, e grave në Teatrin Kombëtar kur është...? je ftuar në takim se më duket se do jetë edhe Zonja e Parë...., do dhurojmë përsëri gjak? do hedhim ca fletushka nga qielli, mbase do jetë kohë e mirë? do t’u bëjmë dhuratë nënave?  Do...do...

E kështu derisa të mbërrijë dhe ky 8 Mars!

Këto dhe shumë të tjera si këto janë copëza reale bisedash, planesh, dëshirash që lidhen me 8 marsin urban (për gratë e fshatit as që bëhet fjalë) dhe tregojnë, pse jo, diversitetin, aq shumë të kërkuar e të nevojshëm.

Asgjë të keqe nuk ka këtu.

A është politik 8 Marsi? Që prej zanafillës së tij. Plot 100 vjet më parë, në mars të 1911-s, një vendim i grave socialiste nga 17 vende të botës në forumin e tyre ndërkombëtar në 1910, nxori në protestë kundër shfrytëzimit dhe për përmirësimin e kushteve të punës, miliona gra në sheshet e Gjermanisë, Danimarkës, Zvicrës, Austrisë etj. Në rrjedhën e viteve, aktivizimi i grave dhe arritjet tregonin qartë kushtëzimin e këtyre të fundit nga ndërgjegjësimi dhe pjesëmarrja. 8 Marsi politik bënte bilancin. Dhe kështu gradualisht ai u bë pjesë e kulturës politike e sociale në të gjithë botën. Vende të ndryshme, kryesisht të Lindjes komuniste, edhe në vlerësim të kontributit aktiv të grave e shpallën ditë feste, disa të tjera jo komuniste e kthyen në festë të nënave. Të dy palët ndoshta edhe për t’i pakësuar vlerën politike.

Sot tradita lindore festive e gjysmëshekullit të kaluar, duket se po i lë vendin më shumë protestës, në mos në shesh, në shpirt e zemër, ndërsa tradita perëndimore e protestës duket se luhatet mes objektivave të bujshëm konferencash të mëdha grash elegante të shoqërisë civile globale dhe festëprotestave. Si për të vërtetuar edhe një herë vlerën e disa ligjeve të përbuzur të dialektikës...

Po gratë në Shqipëri? Si edhe më parë, as në Lindje as në Perëndim, edhe në lindje edhe në perëndim. Edhe protestë edhe festë.

I padiskutueshëm në këtë ditë është bilanci. Cilado grua apo vajzë, kudo që do të niset nesër, për në protestë apo në festë, bën bilancin e saj. A është më e mirë se një vit më parë jeta e saj? A duhet të paguajë më shumë apo më pak për të marrë ato që i nevojiten për veten dhe familjen e saj? A është më e sigurt jeta e saj se një vit më parë? A do ta qëllojnë po të shkojë në protestë? A do t’i vlejë protesta?

Dhe nëse hedh sytë pak më tej dhe kërkon të dijë nëse është pakësuar apo jo numri i grave të papuna, atyre të shkurajuara për të kërkuar punë, i grave të margjinalizuara, të vetme dhe pa të ardhura, i grave e vajzave të familjeve të ngujuara, i grave e vajzave të kërcënuara nga krimi dhe trafikimi, i grave që banojnë në kushte të vështira pa ujë e energji elektrike, pa shërbime shëndetësore e sociale, i grave që vuajnë dhunën në familje, i vajzave që nuk po arsimohen më, i grave e vajzave që vriten egërsisht në shtëpinë e tyre apo shtypen rrugëve...? I grave që pohojnë në kamerën e ndonjë gazetari fisnik, që mbërrin deri në fshatin e tyre, se nuk dinë asgjë se çfarë ka përtej fshatit apo se nuk kanë asnjë ëndërr për të realizuar?

Ku duhet ta gjejë përgjigjen?

Në shifrat e qeveritarëve? Në programet alternative? Në agresionin jo vetëm verbal të atyre burrave (shteti ???) qëkur duan të bëjnë brenda ditës, protagoniste, heroinë filmash apo podiumesh dhe po brenda ditës, kur nuk u bindesh, “të nxjerrin në bulevard”? Si për të të mësuar, nëse nuk e ke ditur, që idealizmi e përjashton protagonizmin. Dhe se lojën e bëjnë Ata! Rregullat gjithashtu Ata!

Pushteti burrëror është dukuri jo vetëm shqiptare. Prandaj dhe është shënjestruar, jo për diskriminim, por për dinjitet njerëzor. Europa e qytetëruar ku jemi pjesë, e zvogëlon gjithnjë e më shumë hendekun mes burrave e grave.

Raporti më i fundit i Forumit Ekonomik Botëror, i janarit 2011, pasqyron ecurinë e këtij procesi gjatë vitit 2010, në 134 vende të botës. Ai mbështetet në treguesit kryesorë të shpërndarjes së burimeve dhe mundësive ndër burra e gra brenda një vendi. Evidenton dallimet në punësim, të ardhura, vendimmarrje, arsimim, shëndet etj.

Shqipëria? E parafundit në Europë, sipas raportit. Vitin e kaluar ishte e fundit. Islanda e hirit vullkanik kryeson renditjen për dy vjet radhazi, me treguesit më të lartë të barazisë apo hendekun më të ngushtë të pabarazisë, e ndjekur nga vendet nordike, të cilat që prej 2005, ndërkëmbejnë pesë vendet e para me njëra-tjetrën, duke dëshmuar stabilitetin e politikave dhe vlerën e vërtetë të strategjive.

Edhe ne kemi strategji, shumë strategji. Që këto të fundit, me gjithë investimin e bërë për hartimin e tyre, të mos jenë veç ca letra më shumë sa për t’iu “përafruar acqui-së”, duhen zbatuar, monitoruar, matur me tregues konkretë. Ato duan vullnet real politik, jo demagogë të korruptuar.

A është ende politik 8 Marsi? Përgjigjen e ka secila prej nesh. Edhe ky 8 Mars problemet i gjen po aty, po ato dhe më keq. Për pushtetarët e radhës është festë, për ata opozitarë gratë duhet të jenë në protestë. Dhe përsëri dialektika që na ndëshkon se e kemi përbuzur dhe deformuar... Problemet përsëri do të jenë aty, nëse nuk bëhemi realisht pjesë e zgjidhjes. 

11 Komente

Gezuar 8 Marsin Nenave Shqiptare kudo qe ndodhen.

 Bota eshte e burrave.PIKE! 

Sa i beni qejfin vetes mo meshkuj smiley

Profesore Saimira ishe nder te mrekullueshmet ne ato vite!

 

 

 Saimira ben pjse ne gjysmen me te bukur te botes, me shume dinjitet.

Gezuar 8 marsin,  ç`do guraje shqiptare !

Nena ime

eshte me e mira ne bote

e une,me bastard bredh rrugeve

Nena ime

eshte me fisnikja ne bote

e une,me i keqi bir nene

Nena ime

eshte me e dashura ne bote

e une,plage ne shpirtin e nje nene.

-------------------------------------

kjo eshte nje poezi e FATMIR BACIT'

nuk i kam marre vesh ndonjehere nevojen e ketyre festave jo 8 marsi jo 14 shkurti jo 1 qershori...sikur ditet etjera je me pak femije apo me pak i dashuruar.nejse njerezit kane gjithnje nevoje per iluzione

 8 Marsi nuk eshte feste, eshte proteste ! Duke qene se shqiperia eshte nje vend i dhunuar nga korrupsioni protesta mbetet si forma me e pershtatshme anti korrupsion per shqiptaret femra ! Te mesohen njerzit te luftojne arrogancen e qeveritareve te reagojne kunder shprejeve bastarte te Kryeministrit te vendit per grate ! 

 

Aman se kjo feste te jep pershtypjen, me kaq tam-tame qe behen ne shqiperi, sikur nje dite ne vit ka te drejte gruja shkrete me dal e me bo qef. Me duket hipokrizi e tera. Eshte ideja ime apo vetem ne shqiperi festohen festat me kaq "ulerima"? Pastaj, c'kuptim ka feste pa burra? Te kercesh pa kavalier? Te paguash vete?  Mos e thente zoti smiley

Për të komentuar tek Peshku pa ujë, ju duhet të identifikoheni ose të regjistroheni (regjistrimi është falas).